Pa regjistrim të popullatës, manipulohen zgjedhjet

Regjistrimi i popullsisë është një ndër proceset më të rëndësishme të një shteti, pa të cilin dukshëm nuk kemi shifra të sakta në rritjen e ekonomisë, devijon procesin e rregullt zgjedhor madje ndikon edhe në marrëdhëniet ndëretnike.

Juristi Osman Kadriu shprehet për Portalb se për shkak të mos realizimit të regjistrimit të popullsisë tani përballemi me krizë politike pasi që ky proces ndikon dukshëm në procesin zgjedhor.

“Regjistrimi i popullsisë është obligim i çdo shteti. Në Maqedoni, më parë çdo dhjetë vjet është bërë regjistrimi i popullsisë në të cilat kishte të dhëna për natalitetin, mortalitetin, të dhëna të cilat ndihmuan shtetin për zhvillimin e procesit ekonomik, për zhvillimin e familjeve dhe faktikisht ato të dhëna ndihmuan edhe mbarëvajtjen e shoqërisë sidomos në lëmin e ekonomisë, politikës sociale edhe në të drejtat dhe liritë e njeriut, gjë që është shumë me rëndësi. Në këtë kohë duke pasur parasysh edhe të drejtën zgjedhore. E drejta e votës është e drejtë e cila garantohet me kushtetutë, nëse ne kemi regjistrim adekuat dhe objektiv atëherë natyrisht nuk mund të kemi dukuri negative në procesin zgjedhor të cilat i kemi tash. Tani listat zgjedhore nuk janë adekuate sipas gjendjes faktike të numrit të banorëve dhe të numrit të qytetarëve me të drejtë vote. Kjo cenon zgjedhjet demokratike në vend”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai shtoi se procesi i cili u stopua kohë më parë duhet të realizohet.

“Është e nevojshme që qeveria ta vazhdojë atë aktivitet që e filloi kohë më parë. Qeveria në agjendën e saj duhet të parashikojë regjistrimin e popullatës dhe ta ketë atë prioritet. Duke pasur parasysh që regjistrimi i popullatës është obligim i shtetit dhe ndikon në vetë zhvillimin e tij, jam i bindur që qeveria patjetër duhet të ketë iniciativë dhe të ndahet pjesë e buxhetit sepse patjetër duhet të zhvillohet ky proces”, shtoi Kadriu. 

Bexheti: Mos-regjistrimi ndikon në saktësinë e Listës Zgjedhore

Abdylmenaf Bexheti i cili në 2011 dha dorëheqje nga funksioni i nënkryetarit të Komisionit Shtetëror për Regjistrim, shprehet për Portalb se më e rëndësishmja e këtij procesi është azhurimi i listave zgjedhore.

“Rëndësia e një regjistrimi të vonuar tanimë 3 vite është shumë komplekse edhe si operacion statistikor për zhvillimin ekonomik, social, kulturor, gjithëmbarshëm. Më e rëndësishmja është statistika e numrit të qytetarëve me të drejtë vote, dhe legjitimiteti eventual për ndërtim të këtij sistemi. Sot kontesti kryesor i referohet një liste të votuar që fare nuk mund të jetë e azhuruar, e përvetësuar, por e ndërtuar mbi baza të projeksioneve të caktuara. Procesi i regjistrimit të popullatës është dashur të jetë prioritet jo vetëm i qeverisë së re por edhe i atyre të vjetrave prej momentit kur dështoi dhe nuk u realizua ai”, tha Bexheti.

Ai shprehet se kjo qeveri ishte ajo që ndali këtë proces në 2011 andaj nuk beson se do të përfundojë kjo gjatë këtij viti, apo mandati.

“Qeveria si duket nuk ka kapacitet, gadishmëri dhe vullnet politik por gjithashtu ka edhe mungesë të kapacitetit teknik për të kryer një operacion të tillë. Personalisht nga kjo qeverisje që mori shumicën politike të zgjedhjeve të sapo përfunduara nuk besoj se do të realizojë regjistrimin e popullsisë për arsye se kjo qeverisje ishte ajo e cila ndërpreu këtë operacion dhe nuk kishte aftësi t’i del në fund”, tha Bexheti.

Deralla: Me këtë qeveri, nuk ka regjistrim të saktë

Kryetari  i Organizatës joqeveritare “Civil” e cila vazhdimisht merret me parregullësitë zgjedhore, Xhabir Deralla shprehet se disa herë janë dërguar ankesa dhe kërkesa për realizimin e regjistrimit të popullsisë, mirëpo ato nuk janë realizuar.

“Kemi dërguar disa herë ankesa deri tek institucionet që të organizojnë regjistrim të popullatës, që të krijojnë hapësirë dhe mundësi për zhvillime të proceseve demokratike sidomos nëse bëhet fjalë për zgjedhje. Përveç se kemi thënë se institucionet duhet t’i kushtojnë rëndësi të madhe regjistrimit, gjithashtu duhet të depolitizohet ai, që do të thotë që regjistrimi është operacion statistikor dhe i tillë duhet të mbetet. Nëse më pyetni që kjo garniturë politike a do të lejojë që Maqedonia të realizojë regjistrim të popullatës në mënyrë profesionale dhe të depolitizuar, unë do të them “Jo”. Nuk ekzistojnë parakushte që të kemi një fotografi të qartë për popullatën ashtu siç nevojitet dhe se regjistrimi i ri do të thotë tensione të reja politike të panevojshme. Për përfitime politike kjo gjë nuk lejohet dhe nuk besoj se do të ketë regjistrim të popullatës. Kjo gjë rrezikon edhe marrëdhëniet ndëretnike në vend si dhe normal krijon tensione politike”, tha për Portalb, Deralla.

Ai shtoi se edhe po që se realizohet ky proces, nuk do të jetë relevant.

“Sa më shpejtë të realizohet, do të ishte më mirë, mirëpo duke pasur parasysh rrethanat dhe vullnetit politik si dhe kapacitetit shoqëror, nuk mendoj se ajo do të realizohet. Edhe nëse realizohet, nuk mendoj se do të jetë regjistrim i saktë dhe relevant”, shtoi Deralla.

Pas mbarimit të regjistrimit të popullsisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedonia dhe Somalia mbeten dy vendet e vetme në botë që nuk kanë bërë regjistrimin e popullsisë. Në Buxhetin e vitit 2014, nuk ka të ndara para për regjistrimin e popullsisë, ndërkaq në opinion qarkullonin informacione se për  regjistrimin e dështuar janë harxhuar 14 milion euro.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button