Vështrim mbi librin “ Dhoma 334” të autorëve Saranda Iseni dhe Hysen Ibrahimi-Suedi

Kur loti i shqiptarëve u bë armë dhe priste sinjalin e shkrepjes

Përmbysjet e regjimeve, shndërrimet e mëdha gjatë kohërave na kanë mësuar se metamorfoza e një sistemi shoqëror kërkon mendje të ndritura, burrëri, sakrifica dhe qëndrueshmëri ndaj idealeve kombëtare.
Gjatë periudhës së Revolucionit të Madh Francez, Volteri ka shkruar: ” Ne kemi thënë se do të vijë koha, kur ligjet do të jenë më të qarta dhe më uniforme; kur gjyqtarët do të arsyetojnë vendimet e tyre; kur asnjëri nuk do ta marrë tjetrin në pyetje fshehurazi, nuk do të bëhet i vetmi pronar i fjalëve dhe i mendimeve të tij, i jetës dhe i vdekjes së tjetrit, kur dënimet do të përputhen me krimet, kur torturat që dikur ishin shpikur nga hajdutët, nuk do të përdoren më në emër të qeveritarëve. Ai që do t’i plotësojë këto dëshira, do të bekohet nga shekulli i sotëm dhe nga brezi i ardhshëm.” Këtë e thotë Volteri në kohën e largët të vitit 1789. Edhe në këtë shekull, në mesin tonë kemi njeriun që lufton për lirinë e popullit dhe dinjitetin e tij, demokratin strugan që përpiqet të flet si “i barabarti me të barabartin.”
Veprën me vlera kombëtare “ Dhoma 334 “ mund ta quani skenar filmi; zërat e intelektualëve mund t’i quani zëra protestuesish, sepse ky libër është zë, është ulërimë kundër padrejtësive që u bëhen qenieve njerëzore, është zëri i demokracisë që i bashkohet demokratit të kohës sonë. Çdo shkronjë e shkruar nga shkrimtarët i dedikohet protagonistit plot karizmë. Çdo tingull mund ta shihni si aureolë mbi kokën politikanit Zijadin Sela, të cilin do ta ruajnë këto thesare si shembëlltyrë për gjeneratat e reja, si prototip të demokratëve më të njohur botëror. ”Në politikë kam hyrë, nga dashuria që e kam për popullin tim…” thotë Dr. Ziadin Sela. Kjo figurë madhore e kombit tonë që ecën me këmbë të hekurta drejt udhës së veprimtarisë politike, do të shkëlqejë në faqet e historisë së popullit shqiptar në Maqedoni dhe më gjërë. Në këtë libër, autorët e shohin protagonistin si vullkan: edhe komentuesit e faqeve të fb.-së, edhe poetët, edhe gazetarët, edhe aktorët, edhe zanatçinjtë, edhe bujqit… Ky njeri relativisht i ri, i përkushtuar, i guximshëm, thellësisht i bindur se do të fitojë drejtësia, me oratori të thukët, me gjaktoftësi, me syrin që e drejton si shqiponjë drejt bashkëbiseduesve, me arsye të njerëzishme përcjell mesazhet e rrugës demokratike, paraqet horizonte të prekshme dhe të afërta e na risjell dinjitetin dhe krenarinë. Të gjithë ata që e shihnin se asgjë nuk ecte mbarë në vendin ku jetonin, pritnin që para tyre të shfaqet mbinjeriu, Prometheu, ngaqë populli shqiptar në R.M. burgosej, torturohej, vritej, shkilej në mënyrë makabre. Biri ynë mishërohej me dhembjen e të sëmurëve, me hallin e të varfërve, me dhembjet e prindërve që ua rrihnin djemtë e vajzat në autobusët urban, me familjet e të burgosurve të pafajshëm, me voglushin e shkelur që mbeti i vdekur nën rrotat e makinës, me vajzushen e përlotur në ngjarjen e kurdisur tek “ Lagjja e trimave” dhe me dhembjet e të gjithë shqiptarëve kudo që gjenden.
Poetët zemërbrishtë nuk e kursyen penën, ata shkruajtën pas ditës së kobshme të 27 prillit për idealistin, për forcën e tij mendore e morale, për njeriun që vinte si shiu i kulluar për të pastruar të palarat në mes të turbulencave. Legjenda e gjallë edhe pas 27 prillit u sulmua në faqet e fb.-së nga disa smirak. Poetëve ua çau rrashtën e ballit, përbaltja për interesa partiake dhe çmitizimi. Ata e mbrojtën heroin e tyre me vargje:
“Ulërijnë çaprazët
nga frika se t’mirën dritë dielli ua ke marr,
kaltrinë e qiellit n’grushtë ua mba.” P. Ziba
Shumëçka është përfshirë në këtë vepër të rëndësishme historike: ngjarja e llahtarshme që ishte shkaktare e britmave të nënave, shkaktare e lotëve që u bënë armë dhe pritnin sinjal për të shkrepur armën, nervi i poetit që u ngacmua deri në dhembje, ngaqë në turmën e vandalëve ishte edhe një i pangopur që kishte paskësh dhënë betimin e Hipokratit, si dhe zëri i orakullit që ne e quajmë popull. Një farë mjeku maqedonas nga Ohria që i pëlqente dhuna dhe zotërimi mbi gjithçka, gjendej asaj nate në turmë. Motrat e demokratit e kërcënuan me britma nga verandat e tyre:
“O,ti kopil Bruto
babai të jepte drithë me okë
për një peshk
dhe ti ngjyeje bukën me kripën time.
Ah,të shitofshin zanat e maleve
që ruajnë liqenin e desaretëve.
Ti që deri dje
me kandrra ke shtruar darkën,
na paske mbetur
të ngresh dorë mbi  birin e Ohrisë
e t’i rrasësh turinjtë
në pellg gjaku
që ne të vdesim
me sy të vakët
mbi kokrra loti!?
Po sikur të na rrok gjaku i demokratit… “ P.Ziba
“Krejt mllefin dhe urrejtjen e tyre patologjike, huliganët e Gruevskit, që hynë dhunshëm në ndërtesën e Kuvendit të Maqedonisë, sikur e kishin me djaloshin flokëgjatë e trupgjatë nga Livadhia e Strugës, krenar e elokuent dhe të formuar politikisht, zotin Ziadin Sela.” Shkruan Agim Vinca.
Duke shikuar Zijadin Selën m’u kujtuan vuajtjet dhe synimet e ideologut kombëtar, hartuesit të platformës politikoushtarake të UÇK-së, z. Ukshin Hoti. Thotë Z. Daim Hyseni.
Poeti strugan Ibrahim Abedini shkruan për StrugaLajm. Ai e përshkruan Ziadin Selën duke ia vënë epitetin e merituar: “Nuk vritet luani.”
Në libër përfshihet edhe emri i të nderuarit, i shpëtimtarit Abdylfetah Alimi. Ai rrëfen ngjarjen historike: “Filluan pastaj telefonatat që të vijnë të na ndihmojnë. U interesua familja e Selës, familja ime, shokët, por humba besimin dhe nuk kisha guximin t’i tregoj askujt se ku jemi. I kam thënë një njeriu të besueshëm se Sela është kidnapuar me qëllim që ta shpërndaje lajmin dhe mos ta kërkojnë më. Dera e zyrës 334 ka qenë jetë a vdekje për ne. Kam patur cigare me vete dhe kam ndez një cigare, në ndërkohë kryetarin e kisha nën tavolinë. E pyeta: Ziadin a po do cigare? Ai mu përgjigj me gjysmë zëri: “ A ke cigare? Ia zgjata sikur me ja zgjat gjysmën e botës. Më ka dëgjuar, nuk e kam lejuar të tregoj se ku jemi dhe i kam thënë se nëse vepron si them unë dalim të gjallë. Më pas i kam treguar Zylfi Adilit dhe një shokut që është në polici. Zylfi Adili më tregoi se ku gjendej, por që e kishte të pamundur të vjen. Më pas i kam thënë këtij policit që t’i dërgon katër polic tjerë. Më pas ia dhash numrin e dhomës dhe kanë ardhur të katër djemtë bashkë me një mjek, si edhe një motër medicinale. “
KY ËSHTË NJË FRAGMENT NGA RRËFIMI I ABDYLFETAH ALIMIT, PUNONJËS I SIGURIMIT NË KUVENDIN E MAQEDONISË, NGA ORIZARJA E KUMANOVËS.
Nga mërgata vijnë fjalët e ëmbla dhe përplot uzdajë të shkrimtarit Hasan Qyqalla. “I nderuari Z. Sela, do të jemi me ju edhe në këto çaste të vështira kurimi, nëpër të cilat po kaloni sot. Do të jeni kryefjala jonë në të gjitha takimet që i kemi intensifikuar këtu në botën perëndimore. Jeni personazh identifikimi i urtisë politike, vizioneve filozofike, jetësimit të platformës pragmatike të demokracisë. Jeni emblema demokratike me vlera kombëtare. Zoti ju bekoftë, dr. Zijadin Sela! “ –Tregon shqetësimin e tij Z.Hasan Qyqalla.
“Rrugëtimi i Zijadin Selës nisi qysh në kohën kur gjendej në bërthamën familjare i rrethuar me njerëz të veçantë, inteligjent dhe patriot me vizione perëndimore. I linduri për së dyti ose i mitizuari ska si të jetë ndryshe, përveç se djali i një familjeje të dalluar brez pas brezi si luftëtar për liri. Vetëm sojliu i një familjeje patriote, ravijëzon tipare të kodeve të trungut.”P.Ziba
Nga komentet, të cilat me sens i kanë përzgjedhur autorët e kësaj vepre, lexova:
Mirdie Ademi Etemi thotë: E kemi traditë që derën e shtëpisë nuk ia mbyllim as armikut, e jo më këtyre te zgjedhurve nga populli. Mbaju Ziadin Sela se po marrin nder nga “dera” jote, po marrin nder nga gjaku yt…Zoti të dhashtë jetë të gjatë e shëndet bashkë me familjen tënde! Ju jeni një pasqyrë ku ata mund të shihen.
“Me helm le ta ngjyejnë bukën çakejtë e tu
se ujët, gurët, fushat me gjakun tënd janë la.
Kurmi t’u mboll mes lulesh të bukura Homeri i mirë,
hëna e dielli mbi supe po të fle se hove zgjimi po merr
ah, hove zgjimi po merr…” P.Ziba – thotë poetja
Njëzet e ca vjet jam shtetas i Maqedonisë dhe s’e mbaj mend të kem qenë krenar ndonjëherë për këtë, por pas ngjarjeve të djeshme nuk e di për të satën herë, turpërohem për nënshtetësinë time. Shkruan mjeku Bekim Tateshi, ngaqë ndiet i zhgënjyer dhe i ronitur në shpirt.
Thirrja rutinore për durim, drejtuar shqiptarëve të zvetënuar nga durimi, le të mbetet testi i fundit i verbërisë së tyre, përpara bishave gjakatare të etura egërsisht për gjak shqiptarësh të ,,durueshëm”. Thotë poeti Lebit Murtishi dhe fjalën durim e fut në thonjëza.
Për Z. Zijadin, për simbolin e rezistencës kombëtare, në libër janë futur edhe shumë shkrime, shumë komente që burojnë nga gurra e pashtershme e burimit popull.
Në kapitullin e pestë lexojmë Zijadinin: ”Mua mund edhe të më vrasin, por gjuhën dhe Kombin Shqiptar nuk do mund ta vrasin kurrë! Ka vetëm një gjuhë shqipe dhe ajo është unikale. “ – thotë Zijadin Sela.
Falëminderojmë autorët e librit Znj.Saranda Iseni dhe Z.Hysen Ibrahimi. Dy njerëz bujarë e patriot të devotshëm që e ndien si obligim moral, intelektual dhe kombëtar që të gjitha shkrimet të cilat u shkruajtën nëpër portale, në faqet e fb-së, nëpër gazeta të ndryshme pas natës së tmerrshme të 27 prillit, i kanë lexuar dhe i kanë mbledhur për ta shfaqur të realtë figurën markante të politikanit Zijadin Sela. Ata i bënë tufë të gjitha shkrimet në këtë libër të shenjtë që do të mbetet gjurmë në historinë e popullit shqiptar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button