LSDM: Dëmet e VMRO-së do të kushtojnë 2 milionë euro, do të mbahet Superkupa e UEFA-s

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) nëpërmjet kumtesës së dërguar sot ka bërë të ditur se kurdisjet e tenderave të VMRO-DPMNE-së, dëmet e shkaktuara ndaj autostradave, shkollave, spitaleve dhe së fundmi ndaj stadiumit ku do të mbahet Superkupa e UEFA-s, do ta dëmtojnë buxhetin e Maqedonisë për 2 milionë euro, njofton Portalb.mk.

Sërish ata vlerësojnë se edhe pse janë bërë dëme të mëdha, qeveria e re e udhëhequr nga LSDM do të sanojë dëmet dhe do të mundësojë zhvillim të Superkupës së UEFA-s.

“Qeveria e udhëhequr nga LSDM aktivisht është duke punuar në përmirësimin e dëmeve të shkaktuara nga VMRO-DPMNE-ja. Do të sanohen dëmet e autostradave dhe do të përfundojnë të gjitha detyrimet ndaj stadiumit dhe do të ketë Superkupë të UEFA-s në Shkup. Qeveria e mëhershme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja dhe Shoqëria Aksionare për Menaxhim me Objekte dhe Hapësira kanë shkatërruar pamjen e Republikës së Maqedonisë dhe e kanë dëmtuar organizimin e Superkupës së UEFA-s, ngjarjes më të madhe të sportit që zhvillohet në Maqedoninë e pavarur. Ky keqpërdorim i qeverisjes paraprake dhe Shoqërisë Aksionare, Maqedonisë do t’i kushtojë 2 milionë euro”, shkruan ndër të tjerash në kumtesën e LSDM-së.

Nga atje vlerësojnë se VMRO-DPMNE-ja dëmtoi qytetarët me kurdisjet e tenderave dhe punësimin e personave pa cilësime adekuate.

“Nëpërmjet kurdisjeve të tenderëve si ajo me shërbimet fabrikore dhënë ndërmarrjes nën pronësi të vëllaut të deputetit Kërsto Mukoski, nëpërmjet huave të larta ndaj shkollave dhe spitaleve, nëpërmjet punësimeve partiake pa ndonjë kualifikim arsimor të përshtatshëm dhe me honorare të mëdha për ushtarët partiak, VMRO-DPMNE-ja 11 vjet ka varfëruar qytetarët dhe ka shkatërruar institucionet”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button