Në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë muslimanët falin namazin e Fitër Bajramit

Nën organizimin e Bashkësive Fetare Islame, në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, u mbajt manifestimi qendror për faljen e namazit të Fitër Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).

Nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup u mbajt manifestimi qendror për faljen e namazit të Fitër Bajramit.

Gjatë ceremonisë u kënduan Kur’an dhe ilahije në disa gjuhë. Në ceremoninë e faljes ishin të pranishëm një numër i madh i besimtarëve, mes të cilëve edhe kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, i cili njëherësh drejtoi faljen e namazit.

Hytben e Bajramit, në emër të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, e lexoi nxënësi i Medresesë “Isa Beu” në Shkup, Orhan Zendeli, ndërsa në të qëndronte porosia se sapo është kaluar një ramazan me plot lutje dhe ibadet, me mesazh mirësie.

Në mesazhin të cilin Zendeli e lexoi në tre gjuhë, konkretisht shqip, maqedonisht dhe turqisht tha se “Sot festojmë Bajramin e Ramazanit e cila manifeston kënaqësinë tonë të qenurit musliman”.

Edhe në xhamitë tjera të Maqedonisë në prani të madhe të besimtarëve musliman u fal Fitër Bajrami.

Besimtarët muslimanë iu janë drejtuar xhamive në Shqipëri të falur namazin e Fitër Bajramit. Pas përfundimit të muajt të shenjtë të Ramazanit, besimtarët në të gjithë vendin kanë falur namazin e Bajramit.

Në Tiranë me recitimin e Kur’anit, filloi edhe manifestimi qendror i faljes së namazit që është organizuar në sheshin “Skënderbeu”, ku morën pjesë mijëra besimtarë, klerikë dhe zyrtarë të ndryshëm. Pas faljes në namazit përfaqësuesi i Myftinisë së Tiranës ka mbajtur hytben e rastit.

Me rastin e festës së Fitër Bajramit kanë ardhur mesazhe urime nga drejtuesit e shtetit shqiptar, mes tyre edhe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Hytben e Fitër Bajramit në xhaminë̈ e Madhe në Prishtinë e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, i cili iu drejtua opinionit të gjerë me mesazh urimi për këtë festë dhe theksoi se këto festa ngjallin ndjenjën për vepra të mira.

“Për ta ruajtur porosinë hyjnore dhe mësimet e Muhammedit a.s. nga çdo kush që tenton t’i devijojë ato duhet ta ngrisim zërin se islami është i pastër nga çdo gjë e ligë që tashmë i mveshet Islamit. Edhe sot nga ky vend i shenjtë ju themi të gjithëve se një rrugë të vetme ka e ajo është rruga e paqes, e harmonisë dhe e respektit në mes njerëzve”, u shpreh Tërnava.

Tërnava duke uruar se ky Ramazan duhet të shërbejë që të punohet bashkërisht e pa hile në çuarjen e proceseve përpara në të mirën e atdheut, apeloi tek të gjithë faktorët politik dhe institucione të vendit “që t’i lënë anash interesat partiake, personale e grupore dhe të angazhohen seriozisht në ruajtjen e unitetit veprues në të mirë të vendit e të popullit, sepse populli i Kosovës para vetes ka shumë sfida e shumë punë që “vendin ta bëjnë ashtu siç e dëshirojnë”.

Sot besimtarë muslimanë kremtojnë Fitër Bajramin. Siç edhe është traditë, pas faljes së namazit besimtarët mulsimanë vazhdojnë festimet në shtëpitë e tyre, duke shkëmbyer vizita mes të afërmeve, etj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button