Urimet e krerëve politik në Maqedoni për Fitër Bajramin

Krerët e partive politike të Maqedonisë ua kanë uruar besimtarëve mysliman në vend festën e Fitër Bajramit. Mesazhi i përgjithshëm i tyre është që të mbizotërojë solidariteti dhe mirësia tek të gjithë, njofton Portalb.mk.

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, me rastin e festës së Ramazan-Bajramit i dërgoi urim kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Reis ul ulema, Haxhi Sulejman efendi Rexhepit dhe qytetarëve të cilët e festojnë festën.

“Ua uroj festën e madhe të Ramazan Bajramit juve, anëtarëve të Bashkësisë Fetare Islame dhe të gjithë qytetarëve që e festojnë festën, në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe në emrin tim personal. Festat e shenjta siç është Ramazan Bajrami sjellin fuqi të madhe shpirtërore e cila e përforcon besimin e njerëzve në të mirën, të vërtetën, drejtësinë dhe nxisin dëshirë për respektim të ndërsjellë, mirëkuptim, solidaritet. Këto janë vlerat të cilat çojnë drejt një jete më të qetë dhe më të lumtur. Ndërsa njeriu mund të jetë i qetë dhe i lumtur në të vërtetë, nëse jeton në një shoqëri me njerëz të qetë dhe të lumtur”. Prandaj bashkëqytetarë të nderuar, të vazhdojmë së bashku në rrugën të cilën e zgjodhëm, të bashkuar dhe të unifikuar. Filluam ta ndërtojmë një shoqëri të përbashkët për të gjithë qytetarët, me mundësi të barabarta për secilin dhe e di se së bashku do t’ia dalim të sigurojmë jetë cilësore për të gjithë ne. Jini të ndershëm dhe përgjegjës ndaj vetes, ndaj familjes tuaj dhe ndaj shtetit. E ardhmja jonë e përbashkët është në Maqedoninë me zhvillimin ekonomik dhe prosperuese, në të bashkërisht japim mund së bashku dhe së bashku do t’ia dalim. Urime Ramazan Bajrami të nderuar bashkëqytetarë!”, shkruan kryeministri Zaev në urimin për festën.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka uruar me fjalët në vijim:

“Urime festën e madhe të Fitër Bajramit me dëshirat më të sinqerta për shëndet, urtësi, mirëqenie dhe harmoni në familjet tuaja.Ditët e mira si kjo vijnë pas një përkushtimi dhe sakrificash. Pas një periudhe krizash të një pas njëshme, dhe përkushtimit tonë të pa lëkundur për vlerat demokratike dhe rrugëtimin tonë euro-atlantik, Ju uroj ditë dhe vite të progresit dhe mbarësisë. Qofshim më të mirë për veten, për njëri tjetrin dhe për shoqërinë.

Edhe kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela përmes një postimi në profilin e tij në facebook, i ka uruar besimtarët muslimanë për festën e Fitër Bajramit.

“Sot është dita e fundit e muajit të bekuar të Ramazanit ku besimtarët musliman agjeruan për 29 ditë duke bërë kështu sakrificë në këto ditë të ngrohta të verës, vetëm për të arritur kënaqësinë e Zotit dhe për tu solidarizuar edhe me të varfurin, skamnorin apo ndokënd që nuk e ka “luksin” e të ushqyerit tri herë në ditë! Muaji i Ramazanit ngërthen në vete një afërsi të madhe mes njerëzve ,shtohet dashuria dhe solidariteti, dhe ky Ramazan ishte i tillë dhe përçoi elemente të tilla edhe në vendit tonë. Pa dyshim se pas çdo sakrifice, mundimi apo lodhjeje vjen shpërblimi, freskia apo e mira dhe gëzimi dhe festa për komunitetin musliman është festa e Fitër Bajramit me çrast unë shfrytëzoj rastin që gjithë vëllezërve dhe motrave tju uroj festën duke ju dëshiruar paqë, harmoni, lumturi dhe dashuri në familjet e juaja, hapsirat ku jetoni e veproni , vendin ku ndodheni e ku punoni. Qofshit çdo herë të lumtur dhe festofshim çdo herë së bashku, me shumë rrespekte për ju Ziadin Sela!”, ka shkruar Sela.

Kryetari i Levizjes BESA, Bilall Kasami, ka uruar besimtarët për festën e Fitër bajramit.

“Pas një muaj agjërimi, me përkushtim e devotshmëri, sot po dalim në ditën e Bajramit të Madh, duke shpresuar se krejt përpjekjet e adhurimet tona të jenë pranuar dhe ky Ramazan të ketë qenë një shteg drejt kalitjes për sfidat që na presin në rrugëtimin tonë. Me këtë rast të gjithë besimtarëve muslimanë jua uroj këtë festë madhështore, duke u lutur që këto ditë Bajrami t’i kaloni në gjirin tuaj familjar në harmoni e lumturi.  Paçi Bajram të mbarë dhe të lumtur! Urime për shumë mote Fitër Bajrami!”, thuhet në urimin e Bilall Kasamit.

Poashtu edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi ka shpreh urime të sinqerta me rastin e festës së Fiter Bajramit.

“Më lejoni që në emrin tim dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Bashkësisë Islame dhe të gjithë besimtarëve mysliman t`Ju përcjell urime të përzemërta për Festën e Fitër Bajramit. Shpresoj që gjatë këtij muaji të shenjtë të Ramazanit të jenë pranuar agjërimi, lutjet dhe sakrificat dhe kjo të shërbeje si urë lidhëse për transmetimin e vlerave njerëzore dhe morale tek brezat e rinj. Uroj që kjo ditë e bekuar e Bajramit të na gjejë të bashkuar në harmoni, paqe dhe mirëkuptim me njëri tjetrin dhe të na bëjë ta shohim botën me sytë e më të dobëtëve dhe të varfërve. Paçi gjithmonë lumturi dhe paqe ne shtëpitë dhe në zemrat Tuaja. Urime dhe për shumë vjet Bajrami!”, thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit.

“Kjo është një ditë kur ne duhet të vizitojmë familjarët tanë, farefisin, të përgëzojmë të varfërit dhe jetimët, dhe të rikujtojmë të dashurit tanë që nuk janë më në mesin tonë. Kjo është një ditë kur gëzimi dhe lumturia jonë bëhen një formë adhurimi ndaj të Plotëfuqishmit. Gëzohuni kësaj dite për çdo çast që e kaloni me familjarët, shokët, dhe popullin tuaj.
Në emrin tim personal dhe në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare, të gjithë shqiptarëve të besimit islam, dhe gjith muslimanëve tjerrë anekënd botës, urime festën e Fitër Bajramit me dëshirat më të mira për shëndet, lumturi dhe mirëqenie. E gëzofshi Fitër Bajramin me gjith familjet e juaja.” uron kështu Vesel Memedi nga Rilindja Demokratike Kombëtare.

Edhe nga partia UNITETI kanë shprehur urime për festën e Fitër Bajramit.

“Kryetari i partisë UNITETI, Gjen.Gëzim Ostreni të gjithë besimtarëve mysliman ua uron festën e Fitër Bajramit. Le të jetë kjo festë e shenjtë momenti i solidaritetit dhe dashurisë ndër njerëzit, i lumturisë sonë dhe për të afërmit tonë”, thuhet në urimin e partisë.

Kreu i PDSh-së, Menduh Thaçi ua ka uruar besimtarëve mysliman festen e Fiter Bajramit.

“Uroj që sakrifica e agjërimit dhe ibadetet gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit të kthehen në mirësi, paqe e begati në shtëpitë dhe familjet tuaja. Në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare të gjithë besimtarëve të fesë islame ua uroj festën e Fitër Bajramit duke ju dëshiruar shëndet të plotë, mirëqenie dhe mbarësi”, thuhet në urimin e kryetarit të PDSh-së, Menduh Thaçi.

Gjithashtu edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka uruar besimtarët muslimanë për festën e Fitër Bajramit.

“Festat e mëdha fetare janë mundësi që t’u kthehemi vlerave dhe traditave që janë themel i fesë Islame, por edhe feve të tjera. Këto momente t’ua kushtojmë familjes, të ndihmojmë ata që kanë nevojë dhe të përmbahemi nga mendimet e këqija”, shkruan mes tjerash në mesazhin e urimit të kreut të VMRO-DPMNE-së.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button