Fitër Bajrami festohet në Maqedoni dhe botën islame, gëzuar!

Muslimanët në Republikën e Maqedonisë si dhe e tërë bota islame, sot e feston Fitër Bajramin. Bajrami është ditë e festimeve dhe falënderimeve ndaj Allahut. Fitër Bajrami shënon përfundimin e agjërimit të muajit të Ramazanit dhe është dita e parë e muajit Shaual. Shumica e myslimanëve e festojnë këtë Bajram të paktën 3 ditë.

Manifestimi qendror i Fitër Bajramit u organizua në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup. Në orën 4:25 u fal namazi i sabahut, kurse namazi i Bajramit u fal në ora 05.40.

Gjatë muajit të Ramazanit çdo mysliman  e ka për detyrim të japë sadakatul-fitrin. Fitri duhet të jepet para se të falet namazi i Bajramit, e nëse ndonjërit i kalon ajo kohë, atëherë ai sërish obligohet ta japë atë si kompensim.

Bajrami është dita kur takohet forca e të pasurit me dobësinë e të varfërit në dashuri, mëshirë dhe drejtësi nga shpallja e qiellit, titulli i të cilës është zekati, bamirësia dhe lehtësimi, është dita kur gëzohen fëmijët duke luajtur dhe duke u argëtuar, dita kur gëzohen të varfërit duke iu lehtësuar jeta dhe duke shijuar komoditet, dita kur farefisi takohen në bamirësi dhe kujdes për njëri-tjetrin, dita kur muslimanët bashkohen në falje dhe vizita reciproke, dita kur miqtë i ripërtërinë urat e dashurisë dhe elementet e afërsisë, dita kur shpirti fisnik i harron gabimet e të tjerëve ndaj tij, bashkohet pas ndarjes, pastrohet pas përnjollosjes dhe e përshëndet pas injorimit.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Reis ul Ulema H.Sulejman ef. Rexhepi me rastin e festës së Fitër Bajramit i dërgoi mesazh myslimanëve në Republikën e Maqedonisë.

“E madhëruam këtë Muaj, si gjithnjë herave të tjera, sepse Vetë Allahu xh.sh. e madhëroi, në të përcaktoi data të shenjta që nuk gjenden në muajt e tjerë të vitit. Mbi të gjitha, në këtë Muaj zbriti Kurani i Shenjtë, u trasua rruga e nderit, rruga e moralit, e pastërtisë, e devotshmërisë, u përcaktuan ligjet e dashurisë, të respektit, të humanitetit; u ngrit arkitektura e mirëqenies, u zbërthye dhe u bë e qartë se sa e lehtë është arritja e paqes, e kohezionit dhe sa madhështor është diversiteti i gjithëanshëm që na e ka dhuruar Krijuesi i Gjithësisë. Thënë shkurt, e madhëruam këtë Muaj sepse pikërisht në të u hodh gurthemeli i fesë së mbarë njerëzimit dhe për të gjitha kohërat, në këtë Muaj nisi të rrezatojë drita islame” tha mes tjerash në urimin e tij, Rexhepi.

Urime kanë dërguar edhe liderët politik në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.

Redaksia e Portalb.mk të gjithë besimtarëve ua uron festën e madhe të Fitër Bajramit. Zoti ua pranoftë agjërimin dhe lutjet. Me shëndet!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button