Pse janë kundërhistorike dhe joreale propozimet e shteteve fqinje për ndryshimin e emrit të Maqedonisë?

Bullgaria, Serbia dhe Greqia janë nënshkruese të të ashtuquajturit Traktati i Paqes, ose Marrëveshja e Bukureshtit, e 10 gushtit 1913, me të cilën pjesa e territorit në Jug të Gadishullit Ilirik i njohur që në periudhën antike me emrin Maqedoni, përkatësisht pjesët e tij të njohura me emra të veçantë, si Maqedonia e Egjeut, Maqedonia e Vardarit (Bardharit) dhe Maqedonia e Pirinit, me miratimin edhe të Fuqive të Mëdha, sidomos me ndërmjetësimin e Rusisë, janë ndarë mes shteteve fqinje, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë.

Pa shfuqizimin e kësaj marrëveshje ndërkombëtare (marrëveshjet ndërkombëtare mund të shfuqizohen me kërkesë të palëve nënshkruese pas 100 vjetësh nga nënshkrimi i tyre (1913-2013), që për këtë marrëveshje nuk e ka kërkuar asnjëra palë nënshkruese, as vetë shteti i krijuar më vonë me këtë emër, Republika e Maqedhonisë), prandaj, Serbia, Bullgaria dhe Greqia nuk kanë asnjë të drejtë të kërkojnë ndryshimin e emrit të një shteti fqinj, i cili është krijuar më vonë në territorin nga i cili ato kanë hequr dorë përmes një marrëveshje ndërkombëtare e cila ende është në fuqi. Këtë të drejtë e kanë vetëm shqiptarët vendës, sepse pjesa më e madhe e këtij shteti shtrihet në territoret etnike të tyre dhe nuk janë nënshkrues të ndonjë marrëveshje ndërkombëtare për copëtimin dhe ndarjen e territorit të Maqedonisë, të njohur ndër shekuj si emër gjeografik i një rajoni në pjesën më jugore të Evropës, me qendër Selanikun, qytetin e lashtë ilir me emrin Terma.

Banorët e shtetit të sotëm të Maqedhonisë, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, gjuhësore, fetare dhe të traditës kulturore, disa periudha të historisë më të re të këtij vendi i njohin se periudha të pushtimit, kolonizimit dhe okupimit, si: Okupimi i parë dhe i dytë nga Serbia, okupimi i parë dhe i dytë nga Bullgaria etj. Nga shumë autorë vendës dhe të huaj janë botuar shumë studime dhe libra, vepra me relevancë shkencore, për periudhën e ekupimit, kolonizimit dhe terrorit serb mbi Maqedhoninë, përkatësisht nga periudhat e ekopumit të egër bullgar mbi popullatën e këtij vendi. Greqia në këtë rast, përveç okupimit të Maqedonisë së Egjeut, mban përgjegjësinë edhe për dëbimin me dhunë të popullatës sllave nga ky rajon (Maqedonia e Egjeut), pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht gjatë luftës qytetare në Greqi të viteve 1945-1949.

Kërkesa e faktorit ndërkombëtar për ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit të Maqedonisë, lidhur me kontestin e emrit, që nga viti 1993 deri më sot, mes Greqisë fqinje dhe Maqedhonisë, mbështetet në parime të së drejtës ndërkombëtare, e cila e ka bazë ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare, që e ka parasysh të kaluarën e përgjakshme të popujve të këtij rajoni, synimet e pandalura për pushtime territoresh, dominim dhe sundim ndaj njëri-tjetrit, me këtë edhe falsifikimin e historisë, krijimin e miteve të rrejshme dhe gjenerimin e konfliketeve të vjetra në epokën e globalizimit, që është apsolutisht i papranueshëm për civilizimin e sotëm.

Popujt dhe shtetet e këtij rajoni neuralgjik të Europës Juglindore, më tepër se kurrrë kanë nevojë për pajtim, paqe, fqinjësi të mirë, progres shoqëror dhe ekonomik, integrim të përbashkët në struktuar euroatlantike dhe strukturat tjera globale, jo për pushtime të reja, konfrontime, dominim dhe sundim ndaj njëri-tjetrit.

Republika e Maqedhonisë, me këtë apo me emër tjetër, kurrë nuk mund të jetë shtet i dytë serb, as pjesë e tij, as nuk mund të shndërrohet në shtet të dytë bullgar, as pjesë e tij, dhe më së paku ta lidhë perspektivën me fqinjin e saj jugor, Greqinë, e cila asgjë nuk ka të përbashkët me këtë territor, etninë, gjuhën, traditën kulturore dhe historike të këtij shteti të ri, të krijuar në vitin 1944 dhe të pavarësuar pas shkatërrimit të ish federatës jugosllave, në vitin 1991.

Kjo e drejtë u takon vetëm qytetarëve të këtij shteti, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, gjuhësore, fetare, apo çfarëdo përkatësie tjetër. Përfundimisht, pa ndërhyrjen e fuqishme dhe të drejtpërdrejtë të faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e kësaj çështje, ky rajon i trazuar dhe përgjakur në të kaluarën, lehtë mund të shndërrohet në ferr për të ardhmen e të gjithë popujve dhe shteteve të tij.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button