Muslimanët e rajonit përgatiten për festën e Fitër Bajramit

Në prag të festës së Fitër Bajramit, në tregjet dhe dyqanet e kryeqyteteve dhe qyteteve të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë vërehet numër i madh i qytetarëve të cilët janë duke bërë përgatitjet e fundit për pritjet e kësaj feste të madhe për besimtarët muslimanë. Qytetarët tashmë prej disa ditësh kanë nisur përgatitjet, por pamjet e Anadolu Agency (AA) në ditët e fundit para kësaj feste tregojnë frekuentim më të madh në krahasim prej ditëve të tjera.

Përgatitjet për festën e Bajramit sjellin gjallëri në Çarshinë e Vjetër të Shkupit

Shitësit e tregjeve të qytetit të Shkupit thonë se furnizimet për t’u shërbyer qytetarëve i kanë nisur shumë ditë më parë dhe theksojnë se në tregun e Çarshisë së Vjetër të Shkupit gjallëria për këtë festë ndihet tashmë një javë ditë.

Qytetarët theksojnë se pavarësisht mundësive financiare, ata arrijnë që të përgatiten mjaftueshëm për t’i shijuar ushqimet tradicionale të kësaj feste bashkërisht me familjen e tyre.

“Besoj se secili për Bajram e gjen mënyrën financiare dhe e kalon si zakonisht me familjen e tij. Besoj se edhe këtë vit do të kalojmë një Bajram të mirë”, u shpreh Jakup Ramushi, qytetar nga Shkupi i cili kishte dalë në treg për t’u furnizuar me produkte ushqimore.

Njëra nga ëmbëlsirat që nuk mungon gati te çdo familje është edhe bakllavaja. “Kemi shumë qytetarë që kërkojnë bakllava. Për Bajram kemi filluar të përgatitemi me porositë e qytetarëve para disa ditëve. Më së shumti kërkojnë bakllavën turke Angela Merkel, por edhe tullumba”, thotë Dostana Mustafçe, pronare e një pastiçerie, e cila bakllavanë që prodhon e ka emërtuar ‘Angela Merkel’.

Bakllavaja vazhdon të mbetet ëmbëlsira e preferuar për Bajram në Shqipëri 

Për festën e Fitër Bajramit, në çdo familje muslimane në Shqipëri, pavarësisht kushteve ekonomike, përgatiten gatimet tradicionale, si dhe ëmbëlsirat, ku në mesin e tyre vazhdon të jetë e preferuar bakllavaja.

Nga ana tjetër edhe tregtarët ofrojnë pothuajse të gjitha produktet e nevojshme që kërkohen nga qytetarët për festën e Bajramit, ndërsa në Tiranë ka kërkesa të larta për bakllava nëpër pastiçeri.
Mario Sila, menaxher në një dyqan ëmbëlsirash në Tiranë për AA, shprehet se pastiçerinë e kanë si biznes familjar. Ai thekson se sot me përgatitjen e bakllavasë mbulojnë një pjesë të mirë të kërkesave të qytetarëve në Tiranë. “Festa e Bajramit është një festë që ka konsum të bakllavasë dhe i nxehti nuk është se krijon problem në konsum. Është një traditë. Në drekën e Bajramit tryeza pa bakllavanë nuk ka kuptim”, tregon ai.

Sila shton se në pastiçerinë e tyre përgatisin “bakllavanë shtëpiake” e cila përbëhet nga petë, gjalpë dhe arrë.

Përgatitjet për festën e Fitër Bajramit në Kosovë

Qytetarët e Prishtinës kanë filluar të përgatiten për festën e Fitër Bajramit. “Tregu i Gjelbër” në Prishtinë është i mbushur me fruta e perime të freskëta, si dhe shumë artikuj të ndryshëm.

Bakllavaja e cila përgatitet në Turqi ka arritur edhe në tryezat e familjeve kosovare. Mjeshtri i përgatitjes së bakllavasë, Ömer Toplu nga qyteti i Konjës të Turqisë, është nga ata persona që përgatit bakllavanë origjinale turke në njërën nga ëmbëltoret e Prishtinës.

Toplu për AA u shpreh se ka shumë kërkesë për bakllavanë turke në Prishtinë. Ai theksoi se bakllavaja turke e cila përgatitet me petë shumë të holla dallon nga mënyra se si përgatiten në Kosovë.

Ndërsa, një qytetar nga Prishtina, Sejdi Halimi, për AA u shpreh se secila familje në Kosovë e feston sipas mundësive të veta, dhe se duhet të kujtohen edhe njerëzit në nevojë.

Ndërkohë e njëjta traditë pothuajse është në të gjitha familjet që festojnë Fitër Bajramin në mbarë territorin e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, ku tryeza është e mbushur gjithmonë me gatime të ndryshme tradicionale. Gëzimi dhe atmosfera është më festive sidomos në ato familje ku edhe është agjëruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP