Eurobasket femra, mësohen gjysmëfinalistët

Franca realizon pritshmëritë dhe kualifikohen për në gjysmëfinale të Evropianit të basketbollit për femra që po zhvillohet në Çeki.

Skuadra franceze mundi me shumë lehtësi në çerekfinale Sllovakinë me rezultatin 67-40. Ishte një ndeshje që u luajt vetëm në një drejtim, pasi basketbollistet transalpine e dominuan krejtësisht atë për të siguruar një vend mes 4 më të mirave të Evropianit.

Kundërshtarja e radhës për Francën do të jetë Greqia, me të cilën u përball edhe në fazën e grupeve. Skuadra greke siguroi kalimin në gjysmëfinale pas fitores në derbin ballkanas me Turqinë me rezultatin 84-55. Skuadra turke e nisi mjaft mirë sfidën, duke fituar periodën e parë 15-10. Më pas, gjithçka foli për përfaqësuesen greke, e cila vuri plotësisht diktatin e saj në parket, duke e mbyllur sfidën me një avantazh prej 29 pikësh.

Edhe Spanja u kualifikua me lehtësi për në gjysmëfinale të Evropianit të basketbollit të femrave. Skuadra e trajnerit Lucas Mondelo mundi Letoninë 67-47, në një ndeshje ku diferencën në parket e bënë Alba Torrens dhe Marta Xargay. Spanjollet, ndryshe nga sfida me Çekinë, ishin më të sakta në lojën e tyre dhe nuk vonuan shumë që të merrnin frenat e lojës në dorë. Diferenca me letonezet ishte gjithnjë mbi 10 pikë, gjë që u dha mundësinë iberikeve që të administrojnë pa probleme këtë sfidë.

Në gjysmëfinale, Spanja do të luajë ndaj Belgjikës, e cila eliminoi Italinë në çerekfinale, teksa e mposhti 79-66. Pas një periode të parë praktikisht perfekte të Belgjikës, që e fitoi 27-13, erdhi reagimi i Italisë që fitoi 2 periodat e tjera, duke e shkurtuar në vetëm 2 pikë diferencën, për të çuar rezultatin në 57-55. Belget u kthyen të dominojnë ndeshjen në 10 minutat e fundit, kur bënë të mundur që diferenca e pikëve të rritej sërish dhe ato të fitonin ndeshjen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button