SHQIPTARË DHE SLLAVË

Kështu titullohet eseja historike e Lumo Skëndos, alias Mid’hat Frashërit, botuar në Lozanë në vitin 1919. Eseja nis me gënjeshtrën e Gregor Jakçiçit, të botuar në Le Temps (1913), që flet për gjoja shtrirjen e shqiptarëve në tokat e Serbisë së Vjetër dhe Maqedonisë. Natyrisht, nëpërmjet kësaj akuze për uzurpim territoresh të huaja synohej përgatitja e opinionit ndërkombëtar për ta mirëkuptuar krimin serb për rikthimin e lumit shqiptar në shtratin e vet…

Sipas Mid’hat Frashërit, asokohe çdo sllav e ndjente për obligim të shpërndante gënjeshtra të tilla, kurse mediet pariziene, si Le Temps, kishin vënë faqet e tyre në dispozicion të shfryrjes së urrejtjes dhe diabolizimit të shqiptarëve.

Më të zëshmit ishin albanofobët me tituj shkencorë, të cilët Mid’atit ia impononin pyetjen: cili është universiteti që u ka dhënë titujt e doktorit eruditëve të një kalibri të tillë?

Për të ishte e qatë se pseudohistorianët sllavë dhe mercenarët e tyre evropianë mëtonin të dëshmojnë se në Kosovë dhe në Maqedninë Perëndimore nuk ka shqiptarë. Shi për këtë, serbët shpikën Serbinë e Vjetër si sinonim të Serbisë, grekët Vorio Epirin si sinonim të Greqisë, kurse bullgarët Maqedoninë, të cilën deshën ta bëjnë sinonim të Bullgarisë iredente.

Kësaj tendence për zhbërjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, Mid’hat Frashëri i përgjigjet me studimet e shkencëtarëve të mëdhenj të kohës, si puna e albanologut Georg Von Hahn, i cili për shqiptarët thotë se e përbëjnë popullatën shumicë dhe më autoktone të katër vilajeteve: Janinës, Shkodrës, Manastirit dhe Shkupit. Ai, bie fjala, e thotë troç se: pjesa dërmuese e popullsisë në Fushë – Kosovë deri në brigjet e Vardarit dhe në Shkup është shqiptare.

Po kaq autoktonë, Mid’hat Frashëri i sheh dhe shqiptarët e Sanxhakut të Nishit, të cilët u dëbuan me gjenocid nga vatrat stërgjyshore, si pasojë e Luftës ruso-turke…

Lidhur me popullatën e Maqedonisë, pinjolli emërmadh i frashërllinjëve sjell dëshminë e Noel Buxton-it, kryetarit të Komitetit Ballkanik, që nuk kishte asnjë simpati për shqiptarët dhe që nuk i fshihte paragjykimet për ta. Megjithatë, më 1907, edhe ai detyrohet ta pranojë se: Raca shqiptare formon një faktorë të rëndësishëm në Maqedoni. Ndaj, është e pamundur të shtrohet çështja ‘maqedonase’ pa i përfillur kërkesat e këtij populli të vjetër.

Në fund, ndoshta pa dashur të dekonspirojë qëllimet e mbrame të anbanofobëve, pjesë e të cilëve ishte dhe vetë, Buxton-i ua bën me dije gllabëruesve të tokaver shqiptare se: Shqipërinë nuk mund ta ndash, pa e shkatërruar si komb.

Për shqiptarët e Maqedonisë Perëndimore flet dhe Antonia Baldaci, dijetari i shquar Italian: Kjo pjesë e Maqedonisë është një zonë qytetërimi patriarkal dhe në kufirin e saj perëndimor ndodhen shqiptarët. Dhe atje, në atë pjesë të Maqedonisë, gjenden njerëzit më të fortë fizikisht dhe etnografikisht më të pastërtit nga ana racore e Gadishullit…

Kësi arguentesh na vijnë nga dijetari erudit e poliglot Mid’hat Frashëri për tërësinë etnografike shqiptare, që shtrihej e fortë në mes të masave greke, bullgare dhe sllave.

Sa argumente domethënëse për mbështetjen e kërkesave legjitime të shqiptarëve të këtij nënqielli për të qenë etni shtetformuese, pa asnjë të drejtë qytetëruese mangut!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button