Incident tjetër mes Rusisë dhe NATO-s

Pas përplasjeve të fundit verbale e ushtarake në qiejt e Sirisë, tensionet mes Rusisë dhe forcave ndërkombëtare vazhdojnë të mbeten të larta.

Një F16-të i NATO-s i është afruar avionit me të cilin po udhëtonte ministri i brendshëm rus, Sergei Shoigu, transmeton Top Channel.

Kjo ka nxitur reagimin e një bombarduesi rus Su-27, që u pozicionua mes dy mjeteve fluturuese, duke treguar armët e duke detyruar tërheqjen e avionit të aleancës.

Mediat ruse pretendojnë se incidenti ndodhi në hapësirë ajrore ndërkombëtare, mbi detin Balltik, kur Shoigu po fluturonte në enklavën ruse të Kaliningradit.

Pas mbërritjes në destinacion, ministri i brendshëm rus foli kundër atyre që i quajti akte agresive të NATO-s në kufijtë ruse.

“Situata që po zhvillohet në kufijtë tanë perëndimorë ka tendencën për t’u përkeqësuar. Kjo lidhet me intensfikimin e aktiviteteve ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s në lindje të Europës. Aleanca ka grumbulluar forcën ushtarake në shtetet balltike dhe kjo tregon qëndrimin e partnerëve tanë europianë, pro politikave anti-ruse”, tha Sergei Shoigu.

Më vonë, aleanca veri-atlantike konfirmoi se kishte gjurmuar 3 avionë rusë, përfshirë dy bombardues mbi detin Balltik, pasi ata nuk e kishin identifikuar veten dhe nuk i ishin përgjigjur kontrollit të trafikut ajror.

Një zëdhënës i NATO-s u kujdes të theksonte se nuk kishin informacione se kush fluturonte në avion.

Të hënën Washingtoni bëri të ditur se një avion ushtarak rus kishte fluturuar vetëm 1.5 metra larg një avioni përgjues amerikan.

Për këtë incident të rrezikshëm, që ndodhi sërish mbi Balltik, Shtetet e Bashkuara fajësojnë Moskën, por kjo e fundit këmbëngul se avioni zbulues amerikan kishte bërë një manovër provokuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button