Gruevski: Jo për zhbllokim të rekomandimeve, por për fillim të negociatave

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski me delegacion partiak mëngjesin e sotëm në Shërbimin evropian për punë të jashtme (EEAS) në Bruksel do të takohet me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini, njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli.

Në kuadër të vizitës së tij treditore në kryeqytetin evropian, Gruevski mbrëmë në Parlamentin Evropian u takua me kryetarin e Komitetit për punë të jashtme të PE-së (AFET) Dejvid Mekalister, ndërsa pastaj edhe me kryetarin e Këshillit të Evropës, Donald Tusk.

Kjo vizitë e tij në Bruksel, sipas ish-kryeministrit të Maqedonisë është me një qëllim të vetëm që në bisedat me përfaqësuesit e lartë të BE-së të gjendet mënyrë të ndihmohet Maqedonia që ta përshpejtojë lëvizjen e saj drejt integrimeve euro-atlantike.

“Theksova se ka ardhur koha që të ndihmohet Maqedonia që t’i fillojë negociatat. Jo të flasim për zhbllokim të rekomandimeve dhe ngjashëm, por për fillim të negociatave, hapje të kapitujve dhe përfundim të këtyre negociatave, që do të përfundojë me anëtarësim të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Nga ky aspekt, unë theksova se ne si VMRO-DPMNE jemi të gatshëm që në Parlamentin e Maqedonisë të japim mbështetje për gjithçka që do të vlerësojmë se do të jetë në dobi të qytetarëve dhe shtetit. Është normale se si opozitë edhe do ta kritikojmë atë që do të vijë, e që do të konsiderojmë se ndoshta nuk është më së miri e planifikuar dhe paramenduar”, deklaroi mbrëmë Nikolla Gruevski.

Ngjarje qendrore nga vizita treditore e ish-kryeministrit të Republikës së Maqedonisë në Bruksel është Samiti i nesërm i Partisë Popullore Evropiane (EPP), grupi më i numërt i deputetëve në Europarlament, anëtare shoqëruese e së cilës është edhe VMRO-DPMNE-ja, ndërsa do të ndodhë në mesditë. Në këtë Samit të EPP-së, i cili do të mbahet në Akademinë mbretërore të Belgjikës, krahas Nikolla Gruevskit, do të marrin pjesë edhe Tusk, kryetari i Komisionit Evropian Zhan-Klod Junker dhe kryetari i Parlamentit Evropian Antonio Tajani. Gjithashtu, është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e Angela Merkelit (kancelare e Gjermanisë), si dhe e kryeministrave Mariano Rahoj (Spanjë), Nikos Anastasiadis (Qipro), Klaus Johanis (Rumani), Bojko Borisov (Bullgari), Viktor Orban (Hungari), Andrej Plenkoviq (Kroaci) dhe Leo Varadkar (Irlandë).

Pasdite, madje, Nikolla Gruevski ka caktuar takim bilateral me raportuesin për Maqedoninë në Parlamentin Evorpian, Ivo Vajgëll.

Pjesëmarrjen në ngjarjen me krerët e Bashkimit Evropian, si dhe takimet e tij bilaterale me njerëzit e parë të BE-së, Gruevski dhe delegacioni i VMRO-DPMNE-së pritet ta shfrytëzojnë për avancim të bashkëpunimit që partia e tij e ka me ta, si dhe për përshpejtim të integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë, duke pasur parasysh atë që agjenda për anëtarësim urgjent të Maqedonisë në Union dhe NATO është prioritet i lartë i VMRO-DPMNE-së dhe udhëheqësisë së saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button