Specialja duhet të vazhdojë

Qeveria e re po tregohet mjaft proaktive për të filluar sa më parë punët të cilat kishin mbetur në status-quo për më shumë se një dekadë. Shihet një angazhim mjaft aktiv dhe përpjekje serioze për të rregulluar marrëdhëniet e acaruara me shtetet fqinje, veçanërisht me Greqinë dhe Bullgarinë. Poashtu, edhe brenda vendit shihen tani më disa nga punët e para të qeverisjes e cila premton reforma të përgjithshme në sistemin udhëheqës të vendit. Këto ditë pritet të votohet edhe shkarkimi i Zvrlevskit si Prokuror Publik i RM, një hap i shumëpritur dhe tërësisht i natyrshëm për këto kushte. Pas këtij shkarkimi do të vazhdojë procedura për zgjedhjen e Porukorit të ri Publik të RM, procedurë kjo e cila do të ketë vështërsitë e veta, varësisht prej asaj se sa lojal ndaj pushtetit të kaluar do të vendosë të tregohet Këshilli i Prokurorëve. Prokurori i ri Publik i RM do t’i ketë duart plot me punë, ka aq shumë njerëz që duhet të bartin përgjegjësi për krime të rënda të cilat është koha të fillojnë të ndiqen dhe të dënohen në mënyrë efikase.

Por nga ana tjetër, ka një heshtje të përgjithshme lidhur me punën e mëtejshme të Prokurorisë Speciale. Përnjëherë, institucioni që gëzon besim më të lartë tek qytetarët, është vendosur në plan të dytë, dhe nuk ka asnjë iniciativë për të vazhduar afatin e saj për të ngritur aktakuza. Fillimisht të sqaroj, vazhdimi i këtij afati është tërësisht çështje formale, e cila duhet të zgjidhet dhe mund të zgjidhet. Rruga më e lehtë është përmes shpalljes së nenit 22 të Ligjit për Prokurori Speciale si kundërkushtetues nga vetë Gjykata Kushtetuese e RM. Por kjo do të thotë që kjo gjykatë në fakt, duhet ta bëjë punën e vetë. Fatkqësisht në Maqedoni, kjo pritshmëri është ende utopike, dhe gjasat që ky institucion realisht të kryejë funksionin e vetë primar, të shpallë për kundërkushtetuese nene të ligjit që haptazi janë në kundërshtim të plotë me të paktën dy nene të Kushtetutës, janë të vogla, për të mos thënë jo-eksistente. Për ata që interesohen më shumë, neni 22 i Ligjit për Prokurorinë Speciale që përcakton se kjo prokurori ka afat prej 18 muajsh nga dita e pranimit të materialeve për të ngritur aktakuza për të gjitha lëndët e saja shkon në kundërshtim me nenin 8 të Kushtetutës i cili e parasheh sundimin e ligjit si vlerë fundamentale në Maqedoni. Në qoftë se një prokurorie publike, qoftë ajo edhe speciale, i pamundësohet ndjekja e veprave penale, kjo krijon arbitraritet dhe pasiguri tek qytetarët për shkak se krimi i bërë mbetet i padënuar. Kjo shkon në kundërshtim të plotë me konceptin e sundimit të së drejtës. Nga ana tjetër, ky nen shkel haptazi edhe nenin 9 të Kushtetutës që përcakton se të gjithë qytetarët e RM janë të barabartë përpara Kushtetutës dhe ligjeve. Afati që parashihet në Ligjin e Prokurorisë Speciale është shumë më strikt se sa afatet e parapara për ngritje të aktakuzës në Ligjin e Procedurës Penale, gjë që i bën personat që ndiqen nga Prokuroria Speciale të jenë në pozitë shumë më të privilegjuar se sa personat që ndiqen nga Prokuroria e rregullt. Kjo është shkelje e hapur e konceptit të barazisë së qytetarëve para ligjit, por Gjykata Kushtetuese nuk dëshiron ta shohë e as të veprojë për këtë gjë.

Por në fakt, ky afat formal i caktuar me Ligjin e Prokurorisë Speciale nuk përbën asnjëfarë pengese që kjo prokurori të vazhdojë ndjekjen penale dhe ngritjen e aktakuzave të reja. Kjo për shkak se çdo prokurori në këtë shtet dhe në çdo shtet tjetër funksionin sipas parimit të legalitetit. Ky parim, i përcaktuar me nenin 18 të Ligjit për Procedurë Penale të RM parasheh që prokurori publik është I DETYRUAR të inicojë ndjekje penale dhe më pas të ngrisë edhe aktakuzë gjithmonë kur ka dëshmi se është kryer vepër penale. Kjo në fakt është edhe esenca e punës së çdo prokurorie, pra edhe e speciales, dhe kjo është arsyeja e eksistimit të këtyre institucioneve. Prandaj, afatet e parapara për ndjekjen penale dhe për ngritjen e aktakuzës, janë afate instruktive, që kanë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të personit të dyshuar që i njejti të mos jetë pafundësisht nën hetime, si dhe mbikqyrjen e procesit të ndjekjes penale nga prokurori më i lartë, por pas kalimit të këtyre afateve prokurori nuk e humb të drejtën e ndjekjes penale, përkundrazi, duhet të vazhdojë me punë dhe të ngrisë hetime e aktakuza sa herë që ka dëshmi se vepra penale është kryer, pavarësisht se cili afat ka kaluar.

Duke u nisur nga kjo, Prokuroria Speciale është tërësisht e lire që të vazhdojë me punën e vetë dhe të vazhdojë të ngrisë aktakuza edhe pas 30 qershorit, pavarësisht nenit 22 kundërkushtetues që është shkruar pikërisht për të ndaluar veprimin e kësaj prokurorie.

Disa menodjnë se tani që ndryshoi pushteti, nuk është edhe aq e rendësishme që Prokuroria Speciale të vazhdojë punën. Pasi të zgjidhet prokurori i ri shtetëror, mundet që ai ta vazhdojë këtë punë si dhe çështjet tjera që lidhen me ndjekjet urgjente penale që duhet të ndërmiren. Mendoj që ekzistimi i mëtejshëm i Prokurorisë Speciale është jo vetëm i rendësishëm por krucial për këtë shtet, sepse një institucion autonom dhe i pavarur për ndjekjen e krimit të lidhur me përgjimet është pikërisht ajo që i nevojitet procesit të vendosjes së drejtësisë. Prandaj, qeveria e re nuk guxon ta marrë me lehtësi këtë proces dhe duhet të bëjë gjithçka që ka mundësi të bëjë në mënyrë që të hiqen pengrsat formale dhe të mundësohet puna e mëtejshme dhe e pavarur e këtij institucioni.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button