“84 për qind e refugjatëve në botë gjenden në shtetet në zhvillim”

Përfaqësuesja për Turqinë e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Pascale Moreau, tha se 84 për qind e refugjatëve nëpër botë jetojnë në shtetet në zhvillim dhe se nevojitet edhe më tepër solidaritet nga komuniteti ndërkombëtar për shkak të rritjes së nevojave.

Në një bisedë për Anadolu Agency (AA), Moreau, e cila tha se prej 28 vitesh merret me problemin e refugjatëve, theksoi se “problemi i refugjatëve nuk ka përfunduar dhe po rritet”.

Ajo theksoi se në botë ka mbi 65,5 milionë njerëz të shpërngulur për shkak të luftrave, persekutimit apo dhunës, sipas shifrave në fund të vitit 2016. Moreau potencoi se kjo shifër ka arritur në nivel rekord në tri vitet e fundit, ndërsa shtoi se me mbështetjen e partnerëve të UNHCR-së, organizatave joqeveritare dhe donatorëve, si dhe mbështetjen e qeverive qe kanë pranuar refugjatë, janë duke u përpjekur të gjejnë zgjidhje dhe t’i plotësojnë nevojat e refugjatëve në çdo vend të botës.

“(Për t’i dhënë fund krizave të refugjatëve) Ne kemi nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme. Kjo nuk është çështje humanitare, por çështje politike, për shkak se nevojitet vendosmëri politike për t’i dhënë fund luftimeve dhe dhunës që i shkaktojnë këto kriza. Shpresoj që bota nuk do të ngelë vetëm së kujtuari më shumë se 65,5 milionë personat e shpërngulur, por të mendojë se çfarë mund të bëjë për të gjetur zgjidhje”, thotë Moreau.

Sipas saj, e gjithë botës duhet shpjeguar se si shtetet që kanë pritur refugjatët ua kanë hapur zemrat atyre, ndërsa duhen përpjekje më të mëdha për të sensibilizim në opinionin e gjerë ndërkombëtar.

“84 për qind e refugjatëve vazhdojnë jetën në shtetet në zhvillim. Komuniteti ndërkombëtar tregon solidaritet të madh, por ne kemi nevojë për më tepër se kjo, për arsye se nevojat janë të mëdha dhe po rriten”, vuri në dukje Moreau.

E pyetur lidhur me qëndrimin e largët të disa shteteve të Bashkimit Evropian (BE) në gjetjen e zgjidhjes për krizën e refugjatëve, Moreau tha se UNHCR-ja punon me të gjitha shtetet në të gjithë botën për t’u dhënë qasje refugjatëve për mbrojtje dhe se kjo gjë është detyrim ndërkombëtar.

“Ne vazhdimisht bëjmë thirrje për sigurimin e qasjes për mbrojtje të personave që kanë nevojë dhe për forcimin e mjedisit të mbrojtjes. Ne i kuptojmë shqetësimet lidhur me sigurinë dhe shifrat. Megjithatë, për ne më me rëndësi është t’u jepet mbrojtje njerëzve”, tha Moreau.

Duke shprehur mirënjohje për komunitetet që u kanë hapur dyert miliona refugjatëve, Moreau kërkoi që t’u jepet mbështetje këtyre shteteve që strehojnë shumë refugjatë. Ajo bëri thirrje jo vetëm deri te shtetet e Evropës, por te të gjitha shtetet e botës për më shumë solidaritet për personat që janë shpërngulur si pasojë e luftrave, persekutimit dhe dhunës.

Duke folur për intervenimin e lidershipit dhe koordinimit të autoriteteve turke për mbrojtjen dhe plotësimin e nevojës së refugjatëve në Turqi, vendi me më shumti refugjatë në botë tri vite me radhë, Moreau u shpreh: “Ne si UNHCR duam të falënderojmë komunitetin turk dhe autoritetet turke për bujarinë madhështore dhe mikpritjen e treguar. Kjo gjë meriton të vlerësohet.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button