Më 25 qershor Gianni De Biasi vjen në Tiranë për të votuar

Megjithëse u largua nga drejtimi i kombëtares, mendja e Gianni De Biasit është në Shqipëri. Në një intervistë për Panorama Sport, ai ka thënë se do të vijë në Shqipëri për të votuar, por nuk e tregon votën e tij. “Do të jem aty për shkak se të shtunën do të zhvillohet një ceremoni në FSHF dhe meqë do të jem në Tiranë, sigurisht që do të votoj. Por, vota është e fshehtë.”

Gianni De Biasi prej dy vitesh ka pasaportën shqiptare dhe ka të drejtën e votës. Nga kërkimet e bëra, mësohet se do të votojë në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Sigurisht që konfirmimi që De Biasi bën për të marrë pjesë në votime, është një mesazh për të gjithë shqiptarët që të shprehin vullnetin e tyre në ditën e zgjedhjeve.

Në vazhdim të intervistës, ish trajneri kuq e zi tha se nuk ka ende një ofertë, ndërsa shpreson që Duka ta gjejë zëvendësuesin e tij sa më shpejt. “Nuk kam asnjë ofertë për momentin dhe shpresoj të kem qenë i qartë në konferencën që dhashë përpara mediave. Unë u largova nga Shqipëria pa pasur asnjë ofertë, por sepse koha ime aty përfundoi dhe me vendimin që mora për t’u larguar doja t’i jepja më shumë kohë vazhdimësisë pozitive për Shqipërinë. Shpresoj që Duka të gjejë një trajner të zotin dhe të aftë për t’u dhuruar tifozëve tanë të mrekullueshëm emocione të mëdha.”

Sigurisht që De Biasi nuk e fsheh keqardhjen kur thotë se nuk e priste që një vit pas fitores kundër Rumanisë në Kampionatin Europian në Francë nuk do të ishte më në krye të stolit të përfaqësueses, por premton se sa herë do t’i jepet mundësia do ta shohë me kënaqësi kombëtaren shqiptare. “Nëse nuk do të kem impenjime të tjera, sigurisht që do ta ndjek Shqipërinë sa herë të më jepet mundësia.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button