KTHETRAT E PARAGJYKIMEVE TË PROGRAMUARA

Turma e shfrenuar shpesh çirret kundër shqiptarëve. Dhunon njerëz të pafajshëm. Agresorët janë rritur në ambiente familjare e shoqërore, ku është folur vetëm keq për shqiptarët. Partitë politike e shfrytëzojnë këtë urrejtje për përfitime politike, sa herë u bie rejtingu.
Koret shoviniste vazhdimisht e kanë shurdhuar përditshmërinë tonë, prej se Maqedonia u pavarësua formalisht nga Jugosllavia. Pjesëtarë nga turma e egërsuar janë ngritur edhe në funksione të larta politike. Urrejtjen e kanë mbartur në vendimmarrje politike. Këtë e dëshmuan edhe përgjimet.
Urrejtja e këtillë nuk është motivuar vetëm nga politika ditore. Ajo i ka rrënjët thellë në histori dhe është pasojë e paragjykimeve të programuara.
Elitat politike maqedonase prore janë ndikuar nga elitat serbe. Në federatën e dikurshme jugosllave kanë qenë mbrojtëset e interesit serb. Antenat i kanë pasur të drejtuara drejt Beogradit. Regjimi komunist në Maqedoni ishte më i egri në raport me shqiptarët.
Shkakun e krijimit të stereotipeve për shqiptarët, megjithatë, duhet kërkuar në Serbinë e shekullit XIX, kur u përpiluan plane, elaborate e memorandume për shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve. Urrejtja u paketua edhe nëpër libra e revista. Pas gjithë kësaj propagande të programuar serbi i thjeshtë sot e ka të vështirë, e mbase të pamundur, që të çlirohet nga paragjykimet ndaj shqiptarëve. Mjerisht, paragjykimet e këtilla janë të mbjella edhe në Maqedoni. Vështirë se do të çrrënjosen ndonjëherë, pa një qasje tjetër, jo vetëm të politikës.
Le ta shikojmë qëndrimin e përhershëm të elitave serbe kundrejt shqiptarëve, që u bë ideal i akademikëve maqedonas.
Serbët ishin kundër krijimit të shtetit shqiptar, sepse, sipas tyre, paraqiste rrezik për interesin sllav, në përgjithësi dhe interesin serb, në veçanti. Politika, diplomacia, elita kulturore, shkencore, arsimore dhe shtypi serb propaganduan se shqiptarët nuk mund ta përligjnin ekzistimin e shtetit të tyre, sepse “u mungonte e drejta historike dhe natyrore”. E drejta historike për shtrirje në territoret ku jetonin shqiptarët, sipas tyre, u takonte serbëve. Për këtë qëllim i glorifikuan perandorët mesjetarë serbë, duke i shpallur “shenjtorë”.
Malazezi Miroslav Qosoviqi, në librin “Shenjtorët bizarë të kishës serbe”, që shkaktoi valë reagimesh, i quajti “shenjtorët” si bizarë, gjenocidal, gjakpirës, të egër, organizues vrasjesh politike, pedofilë, kasapë dhe të marrë. Për Stefan Nemanjën tha se ishte genocidal, gjaksor dhe i egër; se Shën Sava ishte organizator vrasjesh politike; se mbreti Milutin ishte gjaksor, pedofil dhe baba i egër, që e verboi djalin e tij Stefanin dhe e dhunoi gruan e tij Simonidën; se Shën Stefani i Deçanit ishte kasap; se mbreti Urosh ishte i marrë, kurse despoti Stefan Lazareviq ishte vrasës krishterësh. E nëse një kishë ka kësi “shenjtorësh”, thotë autori i librit, atëherë Kisha Ortodokse Serbe është e tillë.
Por elitat serbe, duke i himnizuar despotët e tyre mesjetarë, synuan ta “dëshmonin” të “drejtën historike” për tokat që u takonin popujve të tjerë. Propaganduan se shqiptarët nuk kishin pasur shtet përgjatë historisë, prandaj nuk duhej që të ekzistonte një shtet shqiptar. Për këtë qëllim, sikurse e thekson historiani kroat Igor Despot, në librin e tij “Luftërat ballkanike”, u mohua prejardhja ilire e shqiptarëve; u mohua ekzistenca e një shteti mesjetar arbëror; u vu në dyshim ose u mohua origjina shqiptare e Skënderbeut; u akuzuan shqiptarët se nuk kishin bërë rezistence kundër osmanëve; u propagandua se shqiptarët nuk kishin shprehur interesim për autonomi brenda perandorisë osmane, që nuk është e vërtetë; nuk u përmend lëvizja kombëtare shqiptare; më pas shqiptarët u quajtën turmë pa vetëdije kombëtare, pa gjuhë të standardizuar, pa letërsi, me logjikë fisnore, pa ndjenjë për jetën e përbashkët, mosrespektues të ligjeve, që nuk donin të paguanin tatime dhe ky na paska qenë shkaku i rebelimit të shpeshtë shqiptar dhe jo për ndonjë kauzë kombëtare.
Në shumë libra shqiptarët u quajtën “fis i padisiplinuar”, “fis barbar”, “pa territor homogjen”, “njerëz me bishta”, “pa kufinj të përcaktuar etnografik dhe gjeografik”; me “kulturë inferiore kundrejt kombeve përreth”; që përveç “arbanasve” kishte edhe “arbanashë” (“grekë, serbë dhe vllehë të shqiptarizuar”).
Kur u duhej shkruanin se shqiptarët “ishin pushtues tokash serbe”; se “ishin ardhacakë”, pastaj se “nuk i njihnin ligjet civile, por vetëm ligjet e egra”, sikurse është hakmarrja; se ishin popull “gjysmë i egër”, pa “kontribut në histori”; se nuk kishin pasur dëshirë që të kishin shtet, por kjo ishte “dëshirë e sajuar prej fuqive të mëdha”.
Në revistat serbe shkruhej shpesh se një shtet shqiptar do të ishte vend kaosi dhe fatkeqësie; se kështu Ballkani s’do kishte paqe. Madje, sipas historianit Igor Despot, u shumëfishuan deklarata autorësh të huaj, sikurse e Carlo Catarinit, një udhëpërshkruesi italian, se “autonomia për shqiptarët ishte gjëja më e keqe që mund të ndodhte”; se “intelektualët shqiptarë nuk kishin lidhje me Shqipërinë, prandaj nuk mund të jenë pjesëmarrës në ndërtimin e shtetit shqiptar”.
E vërteta është ndryshe, gjithsesi. Krejtësisht e kundërt me atë që e thoshte propaganda serbe. Shqiptarët kishin pasur program politik për autonomi para shpërthimit të luftërave ballkanike. Shteti serb madje i terrorizoi shqiptarët, ndërkohë që thoshte të kundërtën. Ky terror është dokumentuar nga autorë serbë dhe të huaj, madje nga një komision ndërkombëtar.
Pas gjithë kësaj propagande mbetën paragjykimet, që vështirë çrrënjosen. Mjerisht, më vonë, pjesë e kësaj propagande të programuar kundër shqiptarëve u bënë politikanë e studiues maqedonas. Mjerisht edhe shumë politikanë aktualë. Nëse vazhdohet me kësi logjike, që u manifestua në “Enciklopedinë maqedonase”, por edhe në shumë libra të tjerë më të pistë, Maqedonia vështirë se do të funksionojë si shtet normal.
Është koha të krijohet tjetër qasje. Të tentohet që Maqedonia të shndërrohet në vend vlerash ndërkulturore. Kjo është e mundur sepse kemi shumë shembuj. Por sot ky është vetëm ideal i mendjeve të hapura në një ambient të ndotur me paragjykime të trishta…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button