Meta lëshon të tjera kërcënime ndaj Ramës, jep sinjale për bashkëpunim PD-LSI dhe vlerëson Berishën

Ish-kreu i LSI, njëkohësisht presidenti i sapozgjedhur, Ilir Meta, nuk di të ndalë kërcënimet në drejtim të kryeministrit Edi Rama, me të cilin qeverisi për katër vite. Në mitingun përmbyllës në Kavajë, Meta kërcënoi Ramën se vetingu do nisë me atë, pasi e mbolli vendin me drogë dhe Parlamentin me trafikantë.

Ai e etiketoi Ramën si kryefaqezi që ka frikë nga zgjedhjet e lira.Në një takim elektoral që ka zhvilluar në Kavajë me mbështetësit e LSI, Meta tha se kjo parti do të dalë forcë e parë politike në Kavajë. Teksa bëri akuza ndaj kryeministrit, ish-kreu i LSI tha se Rama mendon për tepsinë dhe jo për vendin. Meta u shpreh se kryeministri e mbushi vendin me drogë, ndërsa u tha qytetarëve të Kavajës që të mos frikësohen nga bandat lokale të Ramës, transmeton Agjensia e Lajmeve Sot News.

“Vetingu do jetë për kryefaqeziun, për atë që mbuloi të gjithë Shqipërinë me drogë, për atë që ka frikë nga zgjedhjet e lira, nga transparenca, për atë që s’ka asnjë lidhje as me të majtën dhe as me të djathtën, por vetëm me tepsinë dhe kusinë. Nuk ka trafikant pa çuar në parlament, pa vënë në krye të qyteteve tona dhe bën moral për drejtësinë. Për atë që i bën thirrje Policisë së Shtetit, të cilën e politizoi edhe Ramizi në ‘91, që të heqin kapelën pas orës katër dhe të kërkojnë votën për partinë e tij”, u shpreh Meta. Meta kërkoi votë për LSI-në edhe për Bashkinë e Kavajës, për të cilën do të votohet gjithashtu të dielën e 25 qershorit. “Kërkoj votën tuaj për Maksim Konën, një profesionist të shkëlqyer. Ju keni një ekip me emrin Besa, ne ju japim Besën tonë. Besa e Kavajës nuk ka lidhje me të pabesët e Rilindjes”, tha Meta.

Fundi i oligarkisë

Ish-kreu i LSI, Ilir Meta, paralajmëroi se në 25 qershor do të marrë fund regjimi oligarkik. Ai sulmoi edhe Lulzim Bashën, të cilën e futi si pjesë të regjimit oligarkik. “Pranvera e dytë demokratike në Shqipëri është e pakthyeshme. Uragani i demokracisë është i pandalshëm, rinia e Shqipërisë e ka vendosur, Shqipëria nuk do të jetë më e oligarkisë dhe ne do t’i çlirojmë të gjithë shqiptarët nga regjimi oligarkik, do çlirojmë Edin dhe Lulushin nga oligarkia”, u shpreh Meta. Ish-kreu i LSI u shpreh se Shqipërinë do ua japim intelektualëve dhe jo oligarkëve.

Meta për koalicionin

Po dje Meta ishte i ftuar në një studio televizive. Ai dha sinjale për një bashkëpunim PD-LSI. “Kjo është një çështje që i takon Vasilit dhe Kryesisë së LSI. Unë tani jam thjesht anëtar dhe siç thonë ata lideri historik. Nuk e di, ajo që ne dëshirojmë të shikojmë te Basha është që ai të përpiqet për një proces zgjedhor me integritet. Pas zgjedhjeve, këto nuk janë vendime që i marrë unë, por Basha ka një avantazh se nuk ka një lidhje simbiotike me bandat. Kjo është një gjë pozitive pas 26 qershori do jetë një ditë e rëndësishme e ndarjes nga krimi. Ka dhe një avantazh tjetër, ka një fotografi me Trump. Me Bilal pa Bilal nuk e di, por e ka një foto”, tha Meta te “Dritare” e Rudina Xhungës. Nga ana tjetër ai thuri sërish elozhe ndaj Sali Berishës. “Doktori është më i majtë se Edi. Unë nuk i shikoj në këtë aspekt gjerat. Unë e kam vlerësuat për disa qëndrime. Unë kam më shumë respekt”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button