Kosova ndërmerr masa reciprociteti ndaj Maqedonisë për barriera

Agjencia e Ushqimit e Kosovës ka ndërmarrë masa reciprociteti ndaj Agjencisë së Ushqimit të Maqedonisë, për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes së CEFTA-së.

Kjo masë është ndërmarrë pasi Agjencia e Ushqimit të Maqedonisë nuk është duke dërguar inspektorë në fabrikat në Kosovë, duke penguar kështu eksportin e prodhuesve kosovarë drejt këtij vendi.

Kjo gjë, sipas afaristit Burim Piraj, paraqet barrierë jo-tarifore që po e dëmton biznesin e tij dhe bizneset kosovare, transmeton Koha.net.

“Ne që nga janari i këtij viti kemi qenë të kontaktuar nga një kompani maqedonase e cila është e interesuar të importojë produktet e prodhuara nga kompania jonë, mirëpo edhe sot e kësaj dite nuk kanë ardhur në inspektim inspektorët maqedonas. Ata në mënyra të ndryshme i prolongojnë këto çështje dhe mund t’i quajmë barriera jotarifore, të cilat nuk kanë drejtë t’i krijojnë.

Sipas marrëveshjes së CEFTA-së, për prodhimet që nuk eksportohen në BE, janë Agjencitë e Ushqimit të shteteve përkatëse që inspektojnë fabrikat e interesuara për eksport. Përderisa Agjencia e Ushqimit të Kosovës brenda një afati të shkurtë pas parashtrimit të kërkesës shkon i inspekton fabrikat në Maqedoni, Agjencia e Ushqimit të Maqedonisë ka muaj të tërë që nuk inspekton fabrikën e afaristit Piraj. Dhe jo vetëm të tij, ngase ka edhe fabrika tjera që kanë parashtruar kërkesë të tillë, sqaron për Radio Kosovën, drejtori i shëndetit publik në Agjencinë e Ushqimit të Kosovës, Flamur Kadriu. Për shkak të mos-respektimit të marrëveshjeve, ai thotë së tashmë kanë ndërmarrë masa reciprociteti.

“Një kërkesë iu është bërë autoritete të Maqedonisë para disa kohe që me ardhur ata, me e dërgua Komisionin edhe me i pa katër fabrikat tona. Ata nuk po reflektojnë, edhe pse 4-5 herë kemi dërgua shkresa zyrtare, edhe e-maila, ata as nuk përgjigjen e as nuk vinë. Për këtë arsye edhe ne i kemi ndërpre vizitat me shkua tek ata me i miratua fabrikat e tyre, d.m.th një reciprocitet e që na mundëson edhe ligji.

Kurse Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) në një përgjigje me shkrim thotë se “pas pranimit të informatës nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës dhe kompanisë “MEKA”, MTI ka kontaktuar me Pikën e Kontaktit të Maqedonisë në CEFTA dhe është thënë që shumë shpejtë do të zgjidhet kjo çështje. Kurse nesër në Beograd do të mbahet takimi i radhës i Nën-komitetit për Barrierat Tregtare në kuadër të CEFTA-s, ku do të adresohet edhe një here kjo çështje” thuhet në përgjigjen nga Ministria e Tregtisë. Ministria pret që pala maqedonase të ofrojë zgjidhje dhe datën e zgjidhjes së kësaj çështje, në të kundërtën, nëse të gjitha format e dialogut nuk funksionojnë, atëherë është në kompetencë të Agjencisë së Ushqimit të Kosovës t’i konsiderojë masat reciproke.

Ndërkohë, Radio Kosova ka kontaktuar edhe Agjencinë e Ushqimit të Maqedonisë për të marrë një prononcim në lidhje me çështjen, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button