Ditë e “nxehtë” te Roma, merr tre futbollistë

Jo vetëm Milani, por edhe Roma është duke u treguar mjaft aktive në këto ditë të para të merkatos.

Verdhekuqtë kanë nisur riformatimin e stafit drejtues, me afrimin e drejtorit sportiv Monchi dhe trajnerit Di Francesco, të cilët po punojnë për krijimin e një organike pretendente për të fituar tituj.

Kështu futbollisti i parë i afruar, ishte mbrojtësi meksikan Hector Moreno, i ardhur nga PSV, rreth një javë më herët, ndërsa dita e sotme duket se do të jetë vërtetë e nxehtë për Romën e Di Francescos, sepse pritet zyrtarizimi i tre afrimeve të tjera.

I pari është mesfushori italian Pellegrini, një futbollist i rritur te të rinjtë e Romës, por që prej dy sezonesh po shkëlqen te Sassuolo. Verdhekuqtë kanë vendosur të shfrytëzojnë të drejtën e riblerjes, kundrejt 10 milionë eurove, të mesfushorit, i cili do të vihet në dispozicion të trajnerit menjëherë pas përfundimit të finaleve të Europianit U-21, ku po përfaqëson Italinë.

Futbollisti tjetër, është Jean Seri, mesfushor 25 vjeçar i Nicës, me të cilin verdhekuqtë kanë gjetur akordin për transferimin kundrejt një vlere prej 35 milionë eurosh. Seri shkëlqeu këtë sezon me ekipin francez dhe zgjoi interesin e fortë të PSG dhe Barcelonës, të cilat e shikonin si zëvendësues ideal të Verrattit, por që Monchi nxitoi dhe ua rrëmbeu.

Futbollisti i tretë, është mbrojtësi i Feyenoord, Karsdorp, për të cilin Roma do të paguajë 12 milionë euro, ndërsa me lojtarin do të nënshkruajë një kontratë 5 vjeçare.

Ndërkohë, verdhekuqtë mbeten ende në pritje të një përgjigje nga ana e ish kapitenit, Francesco Totti, nëse do të vazhdojë të bashkëpunojë me Romën apo jo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button