Ministri Bekteshi apelon që kompanitë të konkurrojnë për subvencione për zbatimin e standardit Hallall

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi mbrëmë mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për kompanitë të cilat kanë implementuar standardin Hallall gjatë periudhës janar-qershor 2017, event ky që u organizua nën patronazhin e kryetarit të BFI-së Hafëz Selejman efendi Rexhepi.

Në ceremoninë që drejtohej nga drejtori i Agjencisë Hallall për Maqedoninë Muamer Veseli, ministri Bekteshi theksoi se ndarja e çertifikatave për kompanitë që zbatojnë standardin Hallall, të cilat për të pestin vit me radhë i subvencionon Ministria e Ekonomisë, është më se e rëndësishme në drejtim të përmirësimit të aftësisë konkurruese të kompanive dhe performancës në tregje të reja.

“Dëshiroj t’ju përkujtojë se këtë iniciativë Ministria e Ekonomisë e filloi në vitin 2013 me mjete buxhetore modeste prej 500.000 denarë të cilat i dedikuam për bashkë-financimin e shpenzimeve të kompanive për shërbimet e konsulencës për futjen e sistemit hallall, të cilat janë të nevojshme para lëshimit të certifikatës hallall. Menjëherë pas një viti, në vitin 2014 në bazë të një analize të plotë të procesit të certifikimit dhe të shpenzimeve për lëshimin e certifikatës, si dhe duke parë reagimet pozitive nga kompanitë e interesuara, bëmë rritjen e buxhetit në 3 milion denarë, dhe subvencionuam 11 kompani”,  tha ministri Bekteshi.

Ai shtoi se në vitin 2015 Ministria e Ekonomisë ndau buxhet prej 3.5 milionë denarë, me të cilat u bashkë-financuan 8 kompani të cilat bënë zbatimin dhe certifikimin e standardit Hallall, ndërsa vitin e kaluar u ndanë 1.8 milionë denarë, me të cilat u subvencionuan 6 kompani.

“Duke pasur parasysh se këtë vit, deri tani ka arritur vetëm një aplikacion për mbështetje financiare nga Ministria e Ekonomisë, dëshiroj të bëj apel deri te të gjitha kompanitë e interesuara që të aplikojnë”, theksoi ministri Bekteshi, duke përfunduar se tregu botëror Hallall vlerësohet në mbi 800 miliardë dollarë ndërsa ai evropian në mbi 66 miliardë dollarë në vit.

Kryetari i BFI-së Hafëz Selejman efendi Rexhepi falënderoi ministrin Bekteshi për mbështetjen ndërsa kompanive u uroi marrjen e certifikatave të cilat u ndanë me këtë rast.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button