ËNDRRA E KEQE

Po bëhen pothuajse tri decenie që Maqedonia është e pavarur. Pavarësinë e shtetit në vitin e largët 1991 e festuan vetëm maqedonasit. Shqiptarët, ndonëse e përkrahën pavarësimin e vendit nuk dolën të kënaqur. Ky problem dhe shumë probleme të tjera të brendshme flisnin se ky shtet i ri gjendej para shumë sfidash. Problemi i dytë, pas pakënaqësisë së shqiptarëve të cilëve iu gjymtua edhe më shumë pozita politike dhe kombëtare, iu shtua edhe një hall. Greqia fqinje e ngriti zërin kundër emrit të shtetit duke pretenduar se emri Maqedoni është pjesë e historisë dhe identitetit grek dhe se me këtë emër shteti i ri në fakt ka apetite irredentiste ndaj krahinës së Maqedonisë që gjendet në Greqinë e sotme. Prandaj Greqia u bë pengesë e madhe për njohjen e shtetit. Me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare u arrit një kompromis që vendi të pranohet me referencën Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Kaluan vite e vite e ky kontest rreth emrit nuk u zgjidh sot e kësaj dite.

Vendit iu shtuan edhe mjaft probleme. Politikanët pa vizion dhe inertë fajin e kërkonin jashtë, në radhë të parë te fqinjët. Katër fqinjët: Greqia, Shqipëria, Bullgaria dhe Serbia u quajtën “katër ujqit” të cilët duan ta copëtojnë e ta gllabërojnë shtetin. Koha tregoi se thuajse asgjë nga kjo nuk kishte të bëjë me ujqërinë fqinjësore. Më së paku Shqipëria ka pasur dhe ka pretendime territoriale ndaj Maqedonisë. Më së paku shqipëria ia ka menduar të keqen Maqedonisë. Megjithatë Shqipëria vazhdimisht është konsideruar si shteti më armiqësor i Maqedonisë nga pushtetarët maqedonas (ndërkohë që pushtetarët shqiptarë, sipas, traditës e zakonit të tyre, gjithmonë kanë heshtur për këto bindje antishqiptare).

Nga ana tjetër Maqedonia zyrtare ka pasur raporte më të mira me Serbinë, pastaj me Greqinë dhe në vend të tretë me Bullgarinë. Dikur ish kryeministri i Maqedonisë Vlado Buçkovski e formuloi kështu punën e “ujqërve”: “Maqedonia jonë e vogël është e rrethuar me katër ujq gjakësorë!”

Nga ana tjetër thuajse shumë politikanë e intelektualë maqedonas e quanin Maqedoninë një oazë të paqes dhe madje edhe “kërthizë të botës”, “nënë e civilizimeve” etj.
Asnjëherë funksionarët e këtij shteti nuk ditën të bëhen vetëkritikë, asnjëherë nuk u shkoi ndërmend se ata ishin shkaktarë për mitizimin e historisë, se skajshmërisht e teprojnë. Por as funksionarët shqiptarë nuk bënë gjë që t’i kthjellin e t’i zbresin në tokë të bukës këta njerëz të dalldisur dhe të bëjnë që nga perspektiva e tokës së bukës të kundrohet realiteti që gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të mbetet i hidhur.

Jemi në fund të decenies së tretë që kur Maqedonia është e pavarurnë shtetin e dikurshëm e cila vetëm pretendonte të jetë oazë e paqes, u bë zorrë qorre në rajon. E ngatërruar në proceset evrointegruese si përkujtues se disa breza politikanësh nuk patën vizion që problemet me fqinjët e vet t’i zgjidhin me kohë e me urti, ajo erdhi deri në derexhen e paparë të okupimit të parlamentit ku egërsisht u ushtrua dhunë mbi deputetët e gazetarët dhe kështu doli në shesh diçka tjetër nga ajo që e shiste propaganda. Maqedonia realisht ishte pjesë e Ballkanit dhe gjendet diku në fund. Si e tillë, ajo nuk arriti të bëhet as anëtare e NATO-s, as e Bashkimit Evropian. Mbeti me Serbinë, të cilën, si duket politikanët e këtushëm duan ta imitojnë.

Këtij brezi politikanësh, ndërkaq, u mbetet të bëjnë diçka ta nxjerrin vendin nga ëndrra e keqe. Sa do t’ia dalin? Të shohim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button