Yezz Billy, telefoni më i hollë me WP 8.1

Nëse nuk keni dëgjuar asnjëherë për kompaninë Yezz, nuk do t’ju vëmë faj: nuk është edhe aq e njohur në industrinë e telefonave inteligjentë, edhe pse ka realizuar disa pajisje Android deri tani.

Megjithatë, kompania e cila e ka qendrën në Majami, Amerikë, prezantoi dy pajisje të reja që kanë platformën e fundit të Microsoft-it, Windows Phone 8.1. Dy pajisjet e reja do të quhen Yezz Billy 4.7 dhe Yezz Billy 4.0.

Siç sugjeron edhe emri, Yezz Billy 4.7 ofron ekran 4.7 inç me rezolucion 720 x 1280 pikselë. Është një pajisje e shtresës së mesme që përmban veçoritë HSPA+, dy vend për karta SIM, procesorin Snapdragon me katër bërthama (modeli është i panjohur), dhe një kamera të pasme 13.1 megapikselë.

Ngjashëm me disa nga pajisjet Lumia WP të Nokia-s, edhe telefoni Yezz Billy 4.7 do të ketë kapak me ngjyra të ndryshme si të bardhë, blu dhe të kuq.

Kompania ka thënë se ky telefon është vetëm 7.2mm i hollë, duke e bërë telefonin më të hollë në botë që përdor sistemin Windows Phone 8.1. Duke filluar nga fundi i muajit maj, telefoni Yezz Billy 4.7 do të jetë në dispozicion në Evropë dhe Amerikën Latine, për 229 euro.

Yezz nuk ka zbuluar shumë detaje në lidhje me pajisjen e dytë Windows Phone, telefonin Billy 4.0. Dihet vetëm që ky telefon do të ketë ekran 4.0 inç, procesor me katër bërthama dhe kamera të pasme 8 megapikselë. Do të kushtojë 129 euro.

Lajme të ngjashme

Back to top button