Ameti prezantoi Platformën programore për mandatin e ardhshëm për Rektor të UT-së

Kandidati për Rektor i  Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, sot përpara stafit akademik, stafit administrativ dhe studentëve, e prezantoi Platformën programore të tij për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Gjatë prezantimit, ai shpalosi detaje të programit, strategjinë arsimore – shkencore,  si dhe vizionin për zhvillimin dhe përparimin e mëtutjeshëm të Universitetit të Tetovës.

“Strategjia jonë në mandatin e ardhshëm do të konsistojë në avancimin e vlerave akademike dhe profesionale, stimulimin e stafit akademik dhe të ekselentëve, krijimin e një ambienti mësimor dhe shkencor të nivelit botëror, konsolidimin e Universitetit dhe të gjitha njësive akademike, si në rrafshin infrastrukturor ashtu edhe në rrafshin akademik dhe profesional. Mbështetjen e procesit krijues të klasës tonë akademike dhe studentore, por edhe të komunitetit më të gjerë, mbrojtjen e gjuhës dhe shkrimit shqip në UT me vendim të Këshillit të Rektoratit dhe Senatit, promovimin e gjuhës, kulturës dhe qytetërimit shqiptar, por edhe diversitetin etnik në Republikën e Maqedonisë, përkthimin dhe përurimin e veprave me interes shoqëror dhe kombëtar, rrjetëzimin ndërkombëtar të universitetit, rritjen e fondeve përmes hulumtimit, projekteve shkencore dhe shërbimeve profesionale, pajisjen e laboratorëve hulumtues dhe eksperimentalë, indeksimin e revistave në databazat e njohura ndërkombëtare, projektimin e programeve në bazë të kërkesës së ekonomisë së tregut dhe strategjive afatgjate për një universitet të qëndrueshëm dhe reziston karshi ndryshimeve dhe sfidave shoqërore, kultivimin vlerave etike, barazisë, integritetit, tolerancës dhe përgjegjësisë sociale, me qëllim të formimit të studentëve si qytetarë pjesëmarrës aktivë në shoqëri multikulturore, përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të komunikimit të brendshëm zyrtar, përcjelljen e vazhdueshme të cilësisë së procesit mësimor – shkencor, përforcimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të praktikës së studentëve, evaluimin permanent të stafit akademik dhe administrativ, evaluimin e studentëve që kanë diplomuar në UT dhe që janë punësuar në institucione shtetërore, private dhe që udhëheqin kompanitë e tyre, si dhe punësime të reja, duke filluar nga punëtorët teknikë dhe profesionalë, asistentë dhe mësimdhënës”, tha Prof.Dr. Vullnet Ameti.

Sipas tij, ndërkombëtarizimi i Universitetit ka qenë njëri ndër prioritetet kryesore të mandatit të kaluar dhe në këtë drejtim  janë arritur rezultate të shkëlqyeshme duke marrë parasysh të kaluarën e Universitetit, por se e njëjta gjë do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm.

Kandidati për Rektor i Universitetit të Tetovës, Prof.Dr. Vullnet Ameti, njëherit Rektor aktual i UT-së, para profesorëve dhe studentëve tha se në mandatin e ardhshëm do t’i jepet rëndësi respektimit të mendimit kolegjial, studentor dhe rregullativave statutare dhe ligjore, si dhe do të bëhet harmonizimi i plotë i misionit të Universitetit me nevojat e përgjithshme shoqërore.

Prezantimi i Platformës programore të kandidatit për Rektor të Universitetit të Tetovës, Prof.Dr.Vullnet Ameti, u realizua në kuadër të procesit për zgjedhjen e Rektorit, në përputhje me vendimin e Këshillit të Rektoratit dhe Senatit të Universitetit për fillimin e procedurës për zgjedhjen e Rektorit të Universitetit të Tetovës. Përveç Prof.Dr.Vullnet Ametit, në garë për Rektor të UT-së është edhe Profesori i Fakultetit Ekonomik, Prof.Dr. Alifeta Selimi, aktualisht Prorektor për Financa në UT.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button