Osmani e Cuculi: Daçia është ekip për respekt

Pas shorit të eliminatoreve të Liga Evropës, kanë folur edhe trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Ardian Cuculi të ekipit të Shkëndijës, që për kundërshtar kanë ekipin e Daçias nga Moldavia.

Duke respektuar kundërshtarin Osmani dhe Cuculi besojnë se Shkëndija do të japë më të mirën në kërkim të avansimit në raundin e dytë ku do të përballeshin me fituesin e dueli ndërmjet Connah’s Quay Nomads nga Uellsi ose Helsinki i Finlandës.

“E kemi thënë mes veti se shorti është punë fati, por në Liga Evropa mendoj se nuk ka ekip që duhet të nënçmohet. Daçia është ekip për respekt, mirëpo unë mendoj se Shkëndija ka kualitet për të kaluar në raundin e dytë”, u shpreh shkurtë trajneri Qatip Osmani, që nuk preferon të flasë shumë para se të analizojë mirë kundërshtarin.

“Daçia nuk do të jetë aspak kundërshtar i lehtë, duke marrë parasysh se deri xhiron e fundit kryesonte kampionatin në Moldavi dhe në ndeshjen e fundit e humbi kampionatin. Jo se frikësohemi, por thjesht respektojmë kundërshtarin dhe do të japim maksimumin për të bërë më të mirën tonë në Liga Evropa. Nuk do të jetë e lehtë, pasi që në Liga Evropë nuk ka ekipe të dobëta. Thjesht cili ekip bën më pak gabime, ai edhe fiton dhe shkon më tutje. Besoj se ne do të jemi ai ekip”, deklaroi mbrojtësi Ardian Cuculi.

Përballja e parë e eliminatoreve të Liga Evropës ndërmjet Daçias dhe Shkëndijës do të luhet më 29 qershor në Kishinev të Moldavisë, ndërsa ndeshja e kthimit pas një jave në Strumicë. /Portalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button