Shkarkimi i Zvërlevskit: Përkrahet nga shumica e partive parlamentare, por jo nga VMRO-DPMNE-ja (VIDEO)

Në Kuvendin e Maqedonisë ka arritur propozimi i Qeverisë për shkarkim të prokurorit publik, Marko Zvërlevski dhe kjo është mirëpritur nga shumica e partive parlamentare, por jo nga VMRO-DPMNE-ja, njofton Portalb.mk.

Nga VMRO-DPMNE-ja u shprehën se “Prokuroria Publike është prokurori e cila e zuri Zaevin ne veprën penale “Otkup” dhe për këtë arsye Zaev e dëshiron ndërrimin e tij”.

Ata nuk kanë të formuar grup parlamentar, gjë e cila u jep mundësinë për replikë dhe kundër-replikë në seancë pas vënies në diskutim të shkarkimit të Zvërlevskit, me çka do të zvarriste të njëjtën.

Mirëpo, edhe pse ekziston një mundësi e tillë, sërish nga koordinatori i grupit parlamentar i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë, Tomisllav Tuntev, u bë e ditur se mospërkrahja e VMROD-DPMNE-së ndaj këtij propozimi dhe bllokada e mundshme  tyre në Kuvend pasi i njëjti të hidhet për diskutim, do të vazhdonte agoninë për fillim të reformave në gjyqësor.

“Ne kemi kërkuar nga kryetari i Kuvendit që sa më shpejtë të caktojë seancë. Çdo bllokadë e kësaj seancë për shkarkim të Zvërlevskit do të ishte vazhdim i agonisë për fillimin e reformave të vërteta në sistemin e gjyqësorit. Problemi është se që kur Kuvendi do të sjell vendim për shkarkim të prokurorit publik aktual, me automatizëm fillon mandati i prokurorit të ri publik”, tha Tuntev.

Por ai sërish vlerëson se “opinioni i Maqedonisë e pa se si mbaroi bllokada e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të kryeparlamentarit, sot të gjithëve na vjen keq se pse ndodhi ajo, nuk besoj se një opozitë konstruktive mund të mendojë për një gjë të tillë sërish”.

Siç u bë e ditur nga Tuntev, seanca për shkarkim të Zvërlevskit pritet të ndodh javën e ardhshme.

Edhe nga përfaqësuesi i Aleancës për Shqiptarët, Surija Rashidi u tha se ata, fillimisht janë për një gjyqësor të depolitizuar

“Ne do ta përkrahim çdo iniciativë që do të thirret në këtë pikëpamje. Gjithmonë kemi qenë për një gjyqësor të rregullt dhe të depolitizuar”, tha Rushidi.

Ndërsa koordinatori i BDI-së, Ejup Alimi u shpreh se “si shumicë parlamentare do ta përkrahim iniciativën e Qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit, Marko Zvërlevski”.

Ndërsa, nga opozita shqiptare, koalicioni Rilindje me Besë, Fadil Zendeli bëri të ditur se janë për shkarkim të Zvërlevskit, ngaqë ai ka ndikuar në montimin e shumë rasteve si “Monstra” dhe “Sopoti”.

“Ne si grup parlamentar jemi “pro” shkarkimit të prokurorit publik. E konsiderojmë si përgjegjës për politizim të PTHP-së dhe thellim të krizës politike. Është person që ka ndikuar në montimin e shumë rasteve si “Monstra”, “Sopoti” dhe “Lagjja e trimave” dhe se duhet të largohet patjetër. Ai gjithashtu është pjesë edhe raportit të Pribe-së. Duhet të reformohet që të mund të funksionojë gjyqësori si duhet”, tha Zendeli.

Në vend të Zvërlevskit një ekspert, e jo person i dalë nga shtabet partiake

Por se kush duhet të jetë në krye të pozitës së prokurorit publik, nga LSDM, BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe Rilindje me Besë njëzëri u shprehën se ai duhet të jetë një ekspert i cili duhet të ketë një përvojë në sferën e gjyqësorit, dhe jo i ndikuar politikisht.

 “Person autoritativ i cili është ekspert, i profesionalizuar në drejtim të prokurorisë, ka përvojë pas, dhe që mendon se mund të punojnë nën baza ligjore, e jo diktateve politike, mund të fitojnë cilësime në kualifikimin e tyre për pozitën e prokurorit publik”, tha koordinatori i LSDM-së, Tomisllav Tuntev.

Ai thotë se për emërim të prokurorit publik do të ketë debat publik, prej ekspertësh, medial madje edhe me sektorin civil, me qëllim që të zgjedhet personi i duhur.

Sipas Ejup Alimit të BDI-së, në krye të Prokurorisë duhet të qëndrojë një ekspert.

 “Duhet të jetë ekspert dhe person që do të ndikohet politikisht. Të mos jetë  propozim nga strukturat partiake, që do të jetë i gatshëm t’i beje ballë strukturat e partizuara në gjyqësor dhe që ka kontribuar në sferën e tij”, tha nga Rilindje me Besë, Fadil Zendeli.

PSP duhet të vazhdojë me punë edhe pas largimit të Zvërlevskit

Nëse kemi ndërrim të Zvërlevskit, a do të vazhdojë me punë Prokuroria Speciale Publike e cila është afër skadimit të mandatit, nga Tuntevi i LSDM-së u tha se për këtë çështje do të dorëzohet propozim-ligj në Kuvend për vazhdim të mandatit dhe sjelljen e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Ne si grup parlamentar do të sjellim propozim-ligj për dëshmitarët e mbrojtur dhe për vazhdim të mandatit të PSP-së. Kjo është në interes të vazhdimit të reformave në sistemin gjyqësor”, tha Tuntev

Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët u shpreh se ai është që PSP të jetë kategori kushtetuese.

“Sa i përket PSP ne kemi qenë gjithmonë të jetë kategori kushtetuese. Afatet rrjedhin dhe ne duhet të punojmë në atë që PTHP të depolitizohet”, tha Rashidi

Ndërsa Zendeli i Rilindje me Besë thotë se për këtë do të vendos Qeveria, se çfarë do të ndodh pas reformimit të PTHP-së

“PSP do ta ketë përkrahjen tonë dhe se qeveria e re duhet te vendos se nëse do ta integroje atë në PTHP ose ta le atë te vetvetishme”, tha Zendeli.

Në lidhje me punën e Prokurorisë Speciale, Alimi i BDI-së thotë se do t’i përkrahin reformat në drejtësi.

Përndryshe, sot në Kuvend është arkivuar propozimi i Qeverisë së Maqedonisë për shkarkim të prokurorit publik, Marko Zvërlevski, ku vijon më pas thirrje e seancës nga kryeparlamentari Talat Xhaferi për hapje të diskutimit në lidhje me të.

Pas kësaj, Kuvendi shpall konkurs publik për prokuror publik dhe në përputhshmëri me ligjin për prokurori publike, këto propozime i dërgon deri te qeveria pastaj pas rishikimit Qeveria i rikthen ato në Kuvend dhe në seancë të rregullt plenare votohet për prokurorin e ri publik.

Kujtojmë se për shkarkim të Zvërlevskit, i cili paraprinë reformat që duhet të bëhen në gjyqësor, kërkesa ka pasur edhe nga faktori ndërkombëtar. Krahas kësaj, siç paralajmëroi eurokomesari Johanes Han, së shpejti Maqedoninë do ta vizitojë grupi prej ekspertëve juridik, të paraprirë nga Reinhard Priebe, për të vlerësuar reformat e realizuara deri më tash dhe për të përpiluar të reja, të cilat do të duhet t’i realizojë qeveria e re. Siç edhe njoftoi Han, reformat ndërlidhen me sistemim të gjyqësorit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button