Deputetët serbë “shtyjnë” votimin për FAK-un

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për të hequr pikën 4 të rendit të ditës, ku ishte paraparë miratimi i amendamenteve të Kushtetutës së Kosovës të propozuar nga Qeveria dhe pikën 13, ku ishte paraparë shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Forcën e Armatosur të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 83 vota për si dhe 2 kundër kanë votuar propozimin e Grupit Parlamentar të PDK-së, që të shtyhet për nesër, pika 4 dhe 13.

Vlen të theksohet se në pikën e katërt është transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së) në Forcën e Armatosur (FAK).

Megjithatë, deputetët kanë shprehur shqetësimin për siç kanë vlerësuar ata, “ndikimin” e komunitetit serb, rreth vendimeve të mëdha për Kosovën.

Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se është e qarte pse po shtyhet votimi rreth amandementimit të Kushtetutës së Kosovës.

“Si rrjedhojë e kushtëzimit të deputetëve të pakicës serbe, kjo po e pamundëson amandementimin e Kushtetutës. Është momenti që të thuhet se sa problematike është kjo vota e dyfishtë. Kjo do ta bëjë edhe mos-funksionalizimin e Kosovës”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, deputetët e pakicës serbe po konsultohen edhe me Qeverinë në Serbi.

“Kjo po i bie që Beogradi të vendos edhe nëse Kosova duhet të ketë FAK ose jo”, ka vlerësuar Visar Ymeri.

Gjithashtu, gjatë seancës të së hënës, deputetët kanë kërkuar që paraprakisht të ketë komunikim dhe harmonizim paraprak, ndërmjet forcave politike në vend, në mënyrë që mos të ketë edhe më tej shtyrje të tilla. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button