Kushtetutat duhet të ndërrohen sepse bëjnë ngatërresa me mandatet

Robert Nesimi

Robert Nesimi

Kushtetutat e Maqedonisë dhe Kosovës ju japin të drejtë Kryetarëve të fusin hundët aty ku nuk duhet. Zgjidhja e vetme është eliminimi i plotë i rolit të Kryetarit nga procesi i formimit të qeverisë

Viti 2017 në rajon pa dyshim do të mbahet mend si vit i mandateve. Gjithçka filloi në fund të janarit të këtij viti, kur në Maqedoni mandatari i parë Gruevski dështoi të formojë qeveri brenda afatit të caktuar. Më pas kryetari Ivanov refuzoi të kalojë mandatin te partia e dytë, duke e shtyrë vendin në krizë disamujore që kulminoi me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit. Tani në situatë të ngjashme duket sikur është edhe Kosova, ku partia e parë ka pak gjasa të gjejë partnerë koalicioni, ndërsa ka paralajmërime se kryetari Hashim Thaçi nuk do t’i kalojë mandatin partisë së dytë. Megjithëse është herët të thuhet, ka rrezik që edhe në Kosovë zhvillimet të marrin rrugën e Maqedonisë dhe formimi i qeverisë të zhagitet me muaj të tërë. Dhe sado që mund të duket se krizat e këtilla i shkaktojnë njerëz të gabuar në poste të gabuara, si Ivanovi ose Thaçi, burimi i vërtetë i tyre janë kushtetutat e të dy vendeve.

Problemin e mandatit në Maqedoni e shkaktuan dy rrethana unike për zgjedhjet e vitit 2016. Me rezultatin e ngushtë 51-49 në bllokun maqedonas nuk pati fitues të qartë, ndërsa te kampi shqiptar partia qeverisëse BDI u deklasua duke rrënë në 35% të votave shqiptare dhe rezultat të barabartë 10:10 me opozitën. Pra fillimisht rezultati i këtillë pamundësoi vazhdimin e qeverisjes së vjetër. Më tej partia e parë, VMRO, u bë brend toksik për partnerë potencialë shqiptarë për shkak të albanofobisë së theksuar të saj. Sidoqoftë presidenti Ivanov i dha mandatin kryetarit të VMRO-së pa patur shumicë deputetësh, ndërsa veprimin e tillë të parregullt e legjitimoi BDI e cila u fut në bisedime për formim të qeverisë me VMRO-në. Kur nën presionin e opinionit shqiptar, ndoshta edhe ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, VMRO dështoi të formojë qeveri, Ivanov duhej t’i kalonte mandatin LSDM-së. Ai refuzoi të bëjë një gjë të tillë, madje edhe pasi ajo ofroi 67 nënshkrime deputetësh si dëshmi se ka shumicën që kërkon kushtetuta. Në gjithë këtë mes më problematik është fakti që Ivanov luajti rol të mbipeshë gjatë procesit të formimit të qeverisë. Njeriu që në letër kishte vetëm fuqi simbolike u bë shkaktar kryesor i ngërçit politik, nyje që duhej zgjidhur përpara se procesi të mund të vazhdonte më tutje.

Një pozitë të ngjashme fillestare, që mund të marrë kahje të njëjtë si në Maqedoni, kemi pas zgjedhjeve në Kosovë. Atje subjekt i parë doli koalicioni PAN, ku bartës kryesor është PDK, parti që udhëhoqi me vendin 10 vitet e kaluara. Por megjithëse i pari, PAN-i ka pësuar rrënie drastike nga përbërja e kaluar parlamentare dhe është larg formimit të shumicës së duhur për qeverisje. Njëlloj si VMRO-ja në Maqedoni koalicioni PAN ka problem tjetër, sepse është bërë brend toksik, i padëshiruar si partner për të gjithë subjektet tjera. Nëse ata qëndrojnë në pozitat e deklaruara atëherë PAN nuk do të arrijë të formojë qeveri. Por shtrohet pyetja se çfarë do të ndodhë pastaj? Sipas praksës demokratike mandati duhet t’i kalojë partisë së dytë, Vetëvendosjes, por duket se kryetari i Kosovës nuk ka apetit për një hap të tillë, e me këtë mund të fusë vendin në trazira të reja. Njëlloj si në Maqedoni, nyja kyçe që mund të shkaktojë ngërç të ri politik apo t’a zgjidhë atë, duket se do të jetë kryetari i shtetit. Pra edhe në Kosovë njeriu që duhej të ketë vetëm një rol simbolik bëhet figura kyçe që do t’i japë kahjen zhvillimeve të mëtejshme politike në vend.

Të dy rastet janë në ndeshje direkte me thelbin e demokracisë parlamentare, sistemit zyrtar politik të të dy vendeve. Në një demokraci parlamentare sovrani qeveris duke dërguar delegatë në trupin e quajtur Parlament, i cili si përfaqësues suprem i vullnetit të popullit ka të drejtë ekskluzive të emërojë dhe shkarkojë qeveritarë. Nëse në Parlament ekziston një shumicë e dakorduar, atëherë nuk duhet të ketë mekanizëm tjetër politik që të pengojë formimin e qeverive. Por në Maqedoni, ndoshta edhe në Kosovë, ka ndodhur pikërisht kjo gjë. Presidenti i shtetit është përzier dhe ka marrur rol të stërmadh gjatë procesit të formimit të qeverisë. Dhe megjithëse përzierja e këtillë është gjykuar si abuzim nga të gjitha anët, një pjesë e madhe e fajit qëndron te kushtetutat e të dy vendeve.

Burimi i vërtetë i krizave të këtillla është fakti që kushtetutat e të dy vendeve parashohin që mandatarin për formim të qeverisë t’a dekretojë kryetari i shtetit. Dhe sado që hartuesit dhe idhtarët e këtyre kushtetutave arsyetohen se ky është vetëm akt simbolik dhe ceremonial, mbetet fakti që kjo është një zgjidhje idioteske që i jep të drejtë kryetarit të fusë hundët aty ku nuk duhet. Thjeshtë është e pakuptueshme pse duhet të ekzistojë një hap i tillë, nëse kryetari nuk duhet të ketë asnjë rol praktik gjatë formimit të qeverisë.

Zgjidhja e vetme për të parandaluar situata të këtilla në të ardhmen është ndryshimi i menjëhershëm i Kushtetutave. Nëse jemi demokraci parlamentare të njëmendta, roli i tanishëm i kryetarit të shtetit si ndërmjetës mes parlamentit dhe qeverisë duhet të eliminohet plotësisht. Mandatin për formimin e qeverisë duhet t’a ndajë parlamenti me shumicë të thjeshtë, e pastaj mandatari të kthehet në Parlament me propozim për qeveri pas një afati të caktuar. Vetëm kështu vendimi për formimin e qeverisë i kthehet popullit, nëpërmjet të zgjedhurve të tij në Parlament. Nëse kushtetutat mbesin kështu siç janë, është vetëm çështje kohe kur loja me mandatin do të abuzohet sërish.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP