Zekati – pastrimi i pasurisë së besimtarit

Ramazani është muaji në të cilin disa muslimanë, të cilëve Allahu xh. sh. iu ka dhuruar begati botërore, me dëshirë që në këtë muaj mubarek të bëjnë sa më shumë të mira, e pastrojnë pasurinë e tyre nëpërmjet kryerjes së njërit nga shtyllat themelore islame, e ky është zekati. Ky detyrim mund të kryhet edhe gjatë muajve të tjerë, kurse rregull është që të lidhet për pasurinë e cila e bënë te pronari një vjet dhe e kalon vlerën e nisabit.
Zekati është sharti i katërt islam me rradhë dhe vjen pas shehadetit, namazit dhe agjërimit dhe është i urdhëruar me Kur’an, Sunet dhe ixhma’ dhe bën pjesë ndër pesë detyrimet bazore të fesë (shartet islame). Në më shumë se 80 vende në Kur’an flitet për zekatin dhe namazin, që këtij detyrimi i jep vulë të veçant. Jorrallë do të hasim në muslimanë të cilët falin namaz dhe agjërojnë, por nuk japin zekat, por nuk do të hasim në njeri i cili jep zekat e për shembull nuk e fal namazin.
Allahu xh. sh. përmend tetë kategori të muslimanëve të cilëve iu takon zekati:

“Sadaka (zekati) është pa dyshim për të varfrit, të nevojtarët, për ata që e mbledhin, për ata zemrat e të cilëve duhet përvetësuar, për lirimin e skllevërve, për borxhlinjt e mëdhenjë, për (luftëtarët) në rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur në rrugë. Allahu ka përcaktuar kështu. Allahu Di çdo gjë dhe është i Urtë.” (Et-Tevbe, 60)

Në ajetin tjetër Allahu i madhërishëm ka thënë:

“Merr (o Pejgamberi i Zotit) nga pasuria e tyre sadakën (zekatin), që t’ua pastrosh pasuritë e tyre dhe t’ua rrisësh veprat e mira! Bën salavat (lutje) për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ata. Allahu dëgjon dhe din gjithçka. A nuk e dinë ata se Allahu është Ai që pranon pendimin dhe bamirësinë nga robërit e Vet dhe se Ai është Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti?” (Et-Tevbe, 103-104).
Në bazë të ajeteve të cituara, zekati jepet në Bejt’ul-mal (arkën e përbashkët), nga e cila plotësohen kategoritë e përmendura. Në kushtet në të cilat sundon ligji i sheriatit, kjo është në kompetencë të shtetit, kurse në rrethanat sikurse janë kushtet tona, ky është detyrim dhe emanet i Bashkësisë Islame.
Prandaj te zekati nuk ka pazarllëk, ujdi, sepse ky është farz, sikurse nuk ka pazarllëk me namazin se a duhet të falet apo sikurse nuk ka pazarllëk me agjërimin, a duhet të agjërohet. Për çdonjërin nga këto detyrime, besimtarët duhet të thonë: “سَمِعْنَا وَ أَطَعْنَا” “E dëgjuam dhe i bindemi.”
Ai i cili nuk e pastron pasurinë nëpërmjet zekatit, e sjellë imanin e vet në pyetje dhe pasuria e tij përzihet me haram. Zekati është aspekt i veçantë i dhënies dhe i pastrimit të pasurisë dhe obligimin e zekatit nuk mund ta zëvendësojë tatimi detyrues të cilin njeriu e ka ndaj shtetit.
Zekati jepet në para dhe këtë me kusht që kjo para për muslimanin të jetë tepricë jashtë nevojave të tij themelore, ta bëjë një vjet te pronari dhe ta arrijë vlerën e nisabit, do të thotë ta arrijë vlerën që e ka 91.60 gram ari, apo 641.50 gram argjend. Në këtë shumë parashë jepet zekati në shumë prej 2.5 % prej shumës së përgjithshme.
Pastaj zekati jepet edhe në ari dhe argjend. Lartësia e nisabit për ari është 91.60 gram për ari dhe 641.50 gram për argjend. Kur sasia e përgjithshme e arit dhe e argjendit ta arrijë nisabin e vet është detyrë të jepet zekati dhe këtë 2.5 %.
Zekati gjithashtu jepet në prodhimet bujqësore pas vjeljes dhe këtë 10% nga prodhimi i përgjithshëm, kurse 5% nëse bujku ka shpenzime më të mëdha rreth ujitjes së arës së tyre.
Zekati jepet gjithashtu në kafshë: dhenë, dhi, lopë dhe deve.
Zekati jepet edhe në zeje, male, energji dhe në mallin tregtar.
Kur flasim për zekatin më së shpeshti përmendet dhënia e zekatit në para, në ari dhe në argjend, në mallin tregtar, kafshë dhe në prodhimet bujqësore.
Zekati nuk jepet për: rroba, ushqim, banesë, mobilje, armë, libra, mjetet themelore për prodhim, për inventar, mjetet e zyrës, për pasurinë e vakufit, shtëpinë, automjetin, ajo që është e domosdoshme në punë, sikurse as në pasurinë e cila nuk arrinë vlerën e nisabit.
Sikur zekati të jepej vetëm në gjerat e përmendura, kurrë në botën islame nuk do të kishte varfëri.

Transmeton Ebu Hurejre, r.a., se Pejgamberi i Allahut a.s. ka thënë: “

“Kujt t’i jep Allahu i madhërishëm pasuri, kurse ai nga ajo pasuri nuk jep zekat, kjo pasuri atij do t’i shndërrohet në gjarpër helmues, koka e të cilit është e zhveshur me dy njolla të zeza. Ai do t’i varet rreth qafes në Ditën e kijametit, do ta kafshojë për nofullën e poshtme dhe do t’i thotë: – Unë jam pasuria jote, unë jam thesari yt! E pastaj Muhammedi a.a. e ka lexuar ajetin kur’anor: “Ata që bëhen koprracë me të mirat që ua ka dhënë Allahu, kurrsesi të mos mendojnë se kështu është më mirë për ta! Jo, kjo është më keq për ata! Ajo që kanë grumbulluar do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e kijametit. …”. (Alu ‘Imran, 180).” (Buhariu)

Në transmetimin tjetër thuhet:

Ebu Hurejreh r.a. transmeton se Pejgamberi a.s., duke i shpjeguar dy ajetet e sures Et-Tevbe, ka thënë:

“… Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm. Do të vijë dita, kur (thesarët e mbledhur) do të digjen në zjarrin e xhehenemit dhe me to do të damkoset balli, anët dhe shpina e tyre e do t’u thuhet: “Kjo është ajo që keni grumbulluar për veten; pra, shijoni atë që grumbulluat!” (Et-Tevbe, 34-35) “Nuk ka askush nga pronarët e arit dhe argjendit, i cili nuk i kryen detyrimet, e që në Ditën e gjykimit nuk do të ketë pllakë të zjarrtë, e cila do të jetë e zjarrtë në zjarrin e xhehenemit dhe e cila do t’ia djegë anët e tij, ballin dhe shpinën. Sa herë të ftohen, sërish do të jenë të zjarrta, në ditën në të cilin dita do të jetë pesëdhjetë mijë vjetë, derisa nuk ju gjykohet të gjithë robërve të Allahut.” (Muslimi)
Rijaseti BI-së në Bosnjë dhe Hercegovinë (e do të duhej edhe Bashkësitë Islame të tjera në Ballkan), nga dëshira që të gjithë muslimanëve t’u ndihmojë në kryerjen e këtij detyrimi fetar, ka formuar Zyren për zekat dhe ka caktuar personin që do ta ketë detyrën themelore të punojë në edukimin e muslimanëve në çështjen e zekatit, në tubimin e zekatit dhe në orientimin e tij në kategoritë të cilëve edhe u takon nëpërmjet Bejt’ul-malit.

Halifi i parë i hulefai’r-rashidinëve, Ebu Bekr es-Siddiku, r.a. ka thënë: “Për Zotin, sikur edhe një cjap që i përket Bejt’ul-malit të ma mungojnë do të isha në gjendje të zhvillojë luftë kundër tyre.”

Vëllezër dhe motra!

Ta kryejmë detyrimin e zekatit në mënyrë që të njëjtin do ta përmbushim në pajtim me Sunetin e Muhammedit a.s., ato mjete t’i japim në Bejt’ul-malin e Bashkësisë Islame të vendit (Kosovë, Maqedoni, Shqipëri etj.). Ajo, sipas bindjes sonë të thellë, e vetëdijshme për emanetin që e ka marrë, zekatin e tubuar do ta orientojë në pajtim me Kur’anin, Sunetin dhe ixhmain për caqet më prioritare!
E lus Allahun xh sh., që të na bëjë prej atyre të cilët kryejnë detyrimin e zekatit dhe detyrimet e tjera islame, që Allahu i madhërishëm prej nesh ta pranojë agjërimin dhe ibadetet e tjera, që të na ruajë nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë, t’i drejtojë fëmijët tonë dhe pasardhësit tonë, që mos të turpërohemi para tyre dhe që ata të mos turpërohen prej nesh, të na mëshirojë në Ditën e gjykimit dhe të na fusë në xhenete, në shoqëri me pejgamberët, shehidët dhe njerëzit e mirë!

Autori: Nezim Haliloviq

Burimi: Zëri Islam

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button