Siri, koalicioni amerikan rrëzon avionin sirian

Koalicioni ajror i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara qëlloi dhe rrëzoi një avion sirian në provincën Raqqa. Ushtria siriane tha se avioni i saj luftarak ishte në një mision kundër Shtetit Islamik kur u sulmua.

Autoritetet siriane thanë se ky incident do të ketë pasoja të rrezikshme për luftën ndaj terrorizmit.

Damasku zyrtar shmang sërish përballjen e drejtpërdrejtë dhe, për herë të dytë nuk e cilëson sulmin si një akt lufte, ashtu siç bëri javë më parë, kur raketat amerikane ranë mbi një aeroport ushtarak.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara njoftuan se avionët e saj vepruan për vetëmbrojtje, pasi regjimi sirian lëshoi bomba pranë luftëtarëve që mbështeten nga Amerika.

Në një komunikatë për shtyp, ushtria amerikane tha se, bazuar në rregullat e luftimit, sapo forcat partnere u vunë në rrezik, avionët amerikanë ndërhynë dhe eliminuan rrezikun.

Incidenti ndodhi në qytezën Ja’Din, që gjendet në rrethinat e Raqqa dhe kontrollohet nga forcat demokratike siriane, një aleancë milicish kurde dhe arabe.

Ushtria amerikane tha se nuk do të tolerojë asnjë agresion ndaj tyre, ndërsa zhvillojnë operacione antiterroriste në zonë. Këto forca, të mbështetura nga koalcioni ajror po rrethojnë kryeqytetin “de facto” të Shtetit Islamik në Siri, Raqqa, në përgatitje për sulmin final.

Sipas analistëve, Damasku zyrtar është treguar sërish i matur pas rrëzimit të avionit dhe ka shmangur përballjen me koalicionin, në veçanti me Shtetet e Bashkuara, një betejë që nuk do të shkonte kurrsesi në favor të tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button