PSIKOLOGJI PROVIMI: AUTOKRITIKË

“Kur studioja unë, lexoja me mijëra faqe, dhe s’më gjeti gjë prej gjëje!

Fjalët e mësipërme janë të Umberto Ecos, njërit prej mendimtarëve më të mëdhenj të kohës, që tanimë s’është në mesin tonë, që në mënyrë ekzakte skanon gjendjen krizologjike të arsimit të lartë në Itali:“Çdo qeveri duhet të përpiqet që ta përmirësojë arsimin. Para Luftës së Parë Botërore vetëm rreth 20 % të italianëve kanë pasur të kryer shkollën fillore. Sot problemi qëndron te universitetet. Është shumë e rrezikshme që i kemi ulur kriteret e regjistrimit me qëllim që sa më shumë njerëz të kenë qasje te arsimi i lartë, kurse cilësia e atij arsimi ka rënë. Kjo gjë ka ndodhur në Itali viteve të fundit dhe kjo është një tragjedi e vërtetë. Tash tre vitet e para të fakultetit janë shumë të lehta – studentët nuk duhet aspak të lexojnë libra më shumë së njëqind faqe. Ata që janë në pushtet duhet ta dinë se për t’u rritur është e domosdoshme të sfidohesh. Kur studioja unë, lexoja me mijëra faqe, dhe s’më gjeti gjë prej gjëje!

Këtyre ditëve është kulmi i sesionit të provimeve universitare të semestrit veror, në frymën e ndjesisë së ngjeshur, të stresit studentor, që vërehet edhe nga profesorët edhe te profesorët. Gjërat kanë ndryshuar shumë krahasuar me dikur, edhe si kontekst por edhe si kontent (përmbajtje).  Dikur kur ishim vetë student, natën e provimit thujase s’bënim gjumë, kalonim skriptën apo librin nga e para deri në fund, për herën finale para se të dilnim në peshoren e llogarisë studentore. “I hanim” shënimet në fletore nga disa herë. S’merreshim me shokë, familje, më pas, as me fëmijët. Lexim, përsëritje, lexim. Dinim vetëm një gjë, gjallonim vetëm me një dallor, provimi. Si përvojë e jona, meqë studionim në në gjuhë të huaj, na duhej që të përdornim nga dy-tre fjalorë. I kalonim fjalët në anglisht, pastaj në serbo-kroatisht dhe më në fund në shqip. Librat, sot e këtë ditë me shënime të asaj kohe, me yje, pikëpyetje, pikëçuditëse, nënvizime, me lapsa të kuq, të kaltër, e të zinj i kemi në bibliotekën shtëpiake. Në bibliotekën e fakultetit apo nëpër të tjerat publike kërkohej një karrike +, të cilën herë gjeje e herë jo, duhej të shkoje në klasë apo diku tjetër për të mësuar. Pauzat i bënim duke lexuar gazetat ditore, ky ishte relaksi. Herë hanim në kantinë, herë jo. Për bukë tamam pare s’kishim ama për libra po. Libraritë dhe antikuaritë (shitoret e librave të vjetër) i kishim shtëpi të dytë, blenim me para në dorë, por edhe me këste. Lexonim libra, me qindrafaqëshe, shkonim me kohë para derës së profesorit dhe dridheshim derisa të na thërriste, vazhdonim të djersiteshim kur futeshim brenda, zgjidhnim tre pyetjet dhe shpesh në çast “na ikte dituria”, e rikthenim dhe ia dilnim, në indeks nota, brenda lumturia.

E sot, si është situata? Ka ndryshuar radikalisht. Teknologjitë e informimit e kanë shndërruar shoqërinë e dijes në shoqëri të informacionit, të rrjeteve sociale, të facebookholizmit, të instagramit, të ndikimit të veglave informatike në reduktimin e kohës që i ndahet përgatitjes për provim, në zvogëlimin e vëllimit të leximit dhe në esencën e githë procesit të arsimimit. Ka ndryshuar forma, ndryshon edhe thelbi. Në shumë institucione të arsimit të lartë, apo në shumë fakultete apo lëndë, leximi është stërminimizuar, madje në disa lëndë ka vetëm dëgjim semestral, pjesëmarrje dhe ca faqe kolektive (njëri shkruan, regjistron pastaj distribuon pyetje të mundshme apo fikse), jo përgatitje individuale. Këtë e shohim edhe nëpër copyshop-et, ku gjenden shënime të profesorëve të caktuar, fletë provimesh, lista pyetjesh, dhe që është më e keqja, me qindra a mijëra punime seminarike të lëndëve të ndryshme. Puna s’mbaron këtu, sot në disa faqe interneti të tregtimit mund të gjeni shpallje edhe për përgatitje të teza të masterit dhe të doktoratës, dhe e gjithë kjo publike, pa reperkusione juridike. Një shtresim tjetër problematik i studimit të tanishëm është edhe nonshallanca: studentë të caktuar vijnë kur t’iu teket, 15 minuta pas fillimit të testimit, që dëshirojnë të konsultohen edhe kur kanë pikë minore a hiç, kur s’janë afër kriterit për kalim. Një tragjedi tjetër është pamundësia për të gjetur mësimdhënës të ulur në bibilotekë, që para vetes ka vendosur 5-6 libra, revista, gazeta dhe punon. “Prindi duhet të jet shembull për fëmijën.” Dhe, kush e merre guximin që të rinjtë tanë t’i pyesë: “Cili është libri juaj i fundit që keni lexuar?” Sa prej tyre do t’ju kujtohet e sa do të ulin kokën? Të mos flasim për intervenimet, ndërhyrjet dhe fishkëllimat nga jashtë: djali i shefit, vajza e dajës, kushëriri i…, nipi… “Qitja një notë se s’prishte dynjaja!” Ja deskriptori më autentik i psikologjisë dhe perceptimit shqiptar për provimin në veçanti dhe arsimin në përgjithësi. Natyrisht medalja ka edhe anën tjetër: ka studentë që të bëjnë optimist për të ardhmen, që madje lexojnë edhe në gjuhë të huaj, që kërkojnë literaturë shtesë, që debatojnë pa doreza për çështje të ndryshme, por këta janë pakicë dhe të rrallë. Çdo respekt për ta.

Tani ku qëndron përgjegjësia jonë e mësimdhënësve universitarë për këtë kurbë të rënies në segmentin e arsimit sipëror, kur provimi ka humbur kuptimin e dikurshëm? A shfrytëzojmë metoda që përgjigjësin tanë, studentin e shndërron në statist, në lexues të ca faqeve, në ndjekës të PPT (prezantimeve të power pointit), në targetues të diplomës e jo të dijes? Sot libri së pari zbret në ligjërata në PPT, më pas në disa faqe dhe pyetje orientuese që kërkohen nga studentët. Sot të rralla janë punimet seminarike që mund të evaluohen me pikë, huazime 100%. Pse? Me gjasë duhet të ndryshojmë shumë gjëra për të ndryshuar konstruktin mental dhe psikologjinë studentore. Si të ndryshojmë kur ka universitete konkurrente që i kanë ulur kriteret sa s’bën, për të mos thënë i kanë hequr fare kriteret. Si t’i thuash studentit se ka 300 faqe për lexim? Dikush do thotë s’është puna te faqet, pse të dhunohet i riu si dikur, diturinë e kanë në pëllëmbë të dorës? Cilën dituri – shtrohet pyetja. Të të dhënave dhe fakteve të google-it, të Wikipedia-s? Një pjesë të fajit e kemi edhe si prindër. Sa merremi me provimet e fëmijëve, sa i vizitojmë panairet, sa libra lexojmë brenda vitit, sa kohë ndajmë për ekranin televiziv e sa për këndim tekstesh të shkruara? Sa i përket identitetit  akademik, mund të thuhet se ka edhe universitete ku çdo vjet mbahen punëtori, seminare për përmirësim të performancave të kuadrit, për kristalizim të qëllimeve dhe rezultateve të lëndës mësimore, ku ka observime kolegiale dhe eksterne (rektorati), kampioni ndërkombëtar i cilësisë, ku bëhen evaluime vjetore, por ka edhe staf që ende punon me metodat e vjetra, që mbajnë ligjërata për ligjërata pa interaktivitet, me tekste të vjetruara (në panairin e sivjetëm të Prishtinës një mik më përmendi tekste universitare të fushës nga koha e soc-realizmit, Fiamengo, Dida), që delegojnë asistentët ndërsa vetë marrin pjesën në ligjëratën e parën dhe të fundit, që vetë janë vetëm firmosës notash. Disa topin e hedhin te Bolonja, disa te rrjetëzimi, te tri w-të magjike. Ka këtu një dozë të madhe së vërtetës. Ekrani, monitori dhe display edhe ofrojnë por tepër dëmtojnë, nuk edukojnë si libri. Siç thotë Shushnjiq “libri, zakonisht mëson dhe edukon, kurse televizioni (interneti – A.P.) zbavit dhe shfrytëzon; libri informon, televizioni manipulon”. Megjithatë, çështjen duhet trajtuar shumëpërmasisht, pa reduksionizëm. Duhet filluar nga vetja si mësimdhënës dhe nga fëmijët tanë që i kemi studentë, duke i shikuar rrathët koncentrikë. Provimi është sprovë, provimi është kulturë, është kalkulim e konstatim diturie për të çuar në dituri të reja, pa panik!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button