АNALIZË: Hekurudhat – Mega-projekte, realizim i ngadalshëm…

Në përgjithësi, projektet infrastrukturore të parapara me Programin nacional 2014-2016 zhvillohen shumë ngadalë. “Programi nacional parasheh gjithsej 31 projekte për Korridoret VIII, X dhe Xd. Realizimi i projekteve zhvillohet shumë ngadalë dhe në pjesën më të madhe, Strategjia nacionale për periudhën deri në fund të vitit 2016 është e parealizuar, dhe për këtë arsye efektet e pritura mbeten për periudhën e ardhshme” – thuhet në raportin e posa publikuar të revizionit kushtuar masave dhe efekteve nga zhvillimi i komunikacionit hekurudhor në vend, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Mega-projekte, realizim i ngadalshëm…

Ngecje në ndërtim, afate të vonuara, e madje edhe kontrata të ndërprera janë një pjesë e konstatimeve që i publikoi revizori shtetëror, i cili në thjerrë i vendosi projektet infrastrukturore të hekurudhës që janë pjesë e Programit nacional 2014-2016.

“Realizimi i projekteve të PN, në përgjithësi në të gjitha Korridoret VIII, X и Xd, zhvillohet me dinamikë të ngadalshme. Afatet e parapara për realizim janë prolonguar me çka realizuesve të punëve u janë dhënë mundësi reale për përfundimin e tyre. Duke e pasur parasysh këtë, veçanërisht për Korridorin X, për shkak të prolongimit të afatit për punët që duhet të kryhen në vazhdimësi dhe vështirësive financiare të realizuesit, ekziston rreziku që ai të mos ketë mundësi t’i përfundojë aktivitetet, e me këtë të paraqitet nevoja për tender të ri dhe për zgjedhje të realizuesit të ri që do ta shtyjë afatin për përfundimin e aktiviteteve të remontit të aksit Negotinë – Nogaevci” – thekson revizori.

Për Korridorin VIII, në bazë të analizës së dokumentacionit, afati për realizim ka qenë 30 muaj. Mirëpo, siç thuhet në raport, gjatë realizimit të projektit ka pasur ndërprerje të shumta në punë, për të cilat shkak nuk ka qenë realizuesi. Probleme me ndërtimin ka pasur edhe në aksin Manastir-Kremenica, duke konstatuar se në periudhën e kontraktuar prej 18 muajsh janë realizuar vetëm 25% e punëve të parapara ndërtimore. Për shkak të realizimit të ngadalshëm të projektit, e me qëllim që të shfrytëzohen në maksimum mjetet e grantit, kontrata me realizuesin është ndërprerë.

“Në janar të vitit 2016, MTL-ja me shkresë e njofton realizuesin se mbeten edhe gjashtë muaj për t’u përfunduar 84% e kontratës, pa mundësi për vazhdimin e saj. Tejkalimi i problemeve në implementimin e projektit. Me përfundim të Qeverisë së RM-së të datës 27.07.2016 është pranuar varianti A – ndërprerja e kontratës me realizuesin aktual dhe zgjedhja e realizuesit të ri – MF-ja pas pranimit të miratimit nga ana e Delegacionit të BE-së, më 03.10.2016 i ka dërguar shkresë realizuesit, me të cilën e ndërpret kontratën për kryerje të punëve, mirëpo edhe përkundër shkresës së MF-së për ndërprerje të kontratës, nga ana e realizuesit, më 25.11.2016 është pranuar letër me informacion se vazhdon me aktivitete për vendosje të sinjalizimit dhe të telekomunikacionit” – thekson revizori, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Për realizimin e projekteve që janë propozuar me këtë PN, kanë qenë të nevojshme mjete financiare në vlerë prej 19.886.169 mijë denarë ose 323.352 000 еuro. Programet për financimin e infrastrukturës hekurudhore për vitet 2014, 2015 dhe 2016 janë realizuar në vlerë më të vogël për 229.563 mijë denarë, gjegjësisht janë pranuar më pak mjete në krahasim me të drejtën ligjore prej së paku 0,3% të të ardhurave të planifikuara tatimore në buxhetin qendror.

Hekurudha stagnon – trenat qarkullojnë ngadalë …

Revizori thekson se konstatim i përgjithshëm për zhvillimin e rrjetit hekurudhor në Maqedoni, në periudhën e 50 viteve të fundit është se ai stagnon.

“Komunikacioni hekurudhor në Republikën e Maqedonisë karakterizohet me prapambeturi të konsiderueshme në krahasim me hekurudhat evropiane edhe atë sa i përket cilësisë së binarëve hekurudhorë, mirëpo edhe sa i përket dendësisë së rrjetit hekurudhor” – theksojnë revizorët dhe shtojnë:

“Përderisa në pjesën më të madhe të linjave magjistrale hekurudhore në vendet e zhvilluara, trenat arrijnë shpejtësi ndërmjet 250-300 km/h, linjat hekurudhore në Republikën e Maqedonisë nuk lejojnë shpejtësi më të madhe se 120 km/h. Pjesa më e madhe e gjatësisë së binarëve, 259 km apo 37,1% është e përshtatur për shpejtësi ndërmjet 91-100 km/h, 216 km të binarëve ose 30,9% mundësojnë shpejtësi prej 61-90 km/h dhe 224 të binarëve ose 32% shpejtësi prej vetëm 60 km/h”, njofton Portalb.mk.

Si projekte më të rëndësishme të infrastrukturës hekurudhore, revizori i përmend: Projektin për përmirësimin e binarëve hekurudhorë në Korridorin X, të financuar nga BERZH-i, në kuadër të të cilit bëhet remont i disa akseve të këtij korridori, me gjatësi të përgjithshme prej 53 km dhe Projekti për ndërtimin plotësues të binarëve hekurudhorë të Korridorit VIII, që ka për qëllim ta lidhë Detin e Zi me Detin Jon, që flet për rëndësinë e madhe strategjike dhe ekonomike të këtij projekti. Ndërtimi i pjesës lindore të binarëve të hekurudhës së Korridorit VIII në drejtim të Bullgarisë, do të zhvillohet në 3 faza.

Reagimet ndaj raportit të revizorëve…

Revizioni i realizuar e analizoi “Efikasitetin e aktiviteteve dhe të masave për zhvillimin e komunikacionit hekurudhor në RM, të përcaktuara me Programin nacional 2014-2016”, me qëllim që, siç thonë revizorët, të jepet përgjigja në pyetjen “A kontribuojnë masat e ndërmarra nga ana e institucioneve që e realizojnë Programin nacional 2014-2016 për zhvillimin dhe përmirësimin e gjendjeve dhe të kushteve të infrastrukturës hekurudhore në RM”. Revizori informon se nga ana e Ministrisë për Transport dhe Lidhje dhe nga NP-ja “Hekurudhat e Maqedonisë”, janë pranuar vërejtje për propozim-raportin, mirëpo vlerësohet se një pjesë e tyre nuk përmbajnë dëshmi për ndryshim të konstatimeve, një pjesë janë pranuar, ndërsa një pjesë janë refuzuar, njofton Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button