Mesazhi i pas iftarit nga shefi i diplomacisë turke, Çavushogllu për Maqedoninë

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, pas sofrës së iftarit të shtruar në Shkup në nder të tij, deklaroi se “në Maqedoni mes bashkësive të ndryshme etnike dhe fetare mund të vërehet një solidaritet etnik dhe mirëkuptim reciprok dhe se kjo duhet t’i shërbejë popullit evropian si shembull dhe mënyrë se si duhet bërë ajo”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne si Republika e Turqisë vazhdimisht do të jemi në anën e Maqedonisë duke e mbështetur për anëtarësimin e saj në NATO, sepse Maqedonia atë e meriton më tepër se të gjithë. Prandaj, stabiliteti dhe paqja e Maqedonisë është e rëndësishme si për rajonin, ashtu edhe për të gjithë Evropën”, deklaroi Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu shprehu kënaqësinë e tij që është pjesë e kësaj sofre, siç tha ai, në Maqedoninë miqësore dhe vëllazërore. Ai përcolli përshëndetjet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit Binali Yıldırım.

“Me të vërtetë agjërimi është shpërndarje dhe ndjehem i kënaqur që ndajmë bashkërisht sonte këtë sofër të iftarit. Këtë që e dëgjoj sonte më gëzon tej mase”, u shpreh Çavuşoğlu, duke shtuar se në Turqi ekziston traditë e mbrëmjeve të përbashkëta të iftarit në të cilat presidenti, kryeministri dhe ministrat e shtetit e ndajnë bashkërisht me popullin dhe se një gjë të tillë e ka vënë re edhe në Maqedoni.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në adresimin e tij para të pranishmëve theksoi se për të është një privilegj i veçantë të jetë në këtë sofër të begatë të muajit të shenjtë të Ramazanit, siç tha ai, me bashkëqytetarët e tij, me miqtë e tij dhe me mikun e madh të Maqedonisë, Turqinë.

“Qytetarët tanë agjërojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje, por kjo nuk është një ritual për të qenë i uritur, por kjo na mëson vlerat, durimin, besnikërinë dhe moralin e mirë. Muslimanët ndjekin profetin Muhammed i cili thotë: Nuk është nga ne ai që shtrihet i ngopur derisa fqinji i tij është i uritur, sepse këto sofra janë sofra ku ushqimi ndahet me miqtë”, tha Dimitrov, duke u uruar muslimanëve që t’u pranohet agjërimi.

Në sofrën e iftarit të shtruar nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA), Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Turqisë (MATTÖ) dhe nga Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSİTEB), nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Shkup, i pranishëm ishte edhe presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov, ministra dhe përfaqësues të lartë të Qeverisë së Maqedonisë, udhëheqës dhe përfaqësues të sektorit të biznesit dhe organizatave joqeveritare në Maqedoni, si dhe shumë mysafirë të tjerë.

Më herët, Çavuşoğlu realizoi takime me presidentin e Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e jashtëm Nikolla Dimitrov, ministrin paresor Adnan Kahil, si dhe me liderin e opozitës maqedonase, kreun e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Çavuşoğlu pas takimit me homologun e tij maqedonas deklaroi se Turqia mbështet Maqedoninë në çdo fushë dhe do të vazhdojë të mbështes atë edhe në të ardhmen. Ai theksoi se me çështjen e emrit të Maqedonisë i bëhet padrejtësi ndaj këtij vendi dhe se Maqedonia është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në hapësirat e Ballkanit dhe më gjerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button