Në Berlin hapet xhamia e parë “liberale”

Xhamia “liberale” Ibn Ruschd Goethe hap dyert në Berlin. Imame dëshiron të jetë një femër, avokate, autore dhe aktiviste e gruas, Sejran Atesh. Ajo kërkon të mbrojë islamin nga islamizmi.

Xhamia “Ibn Ruschd Goethe” hap dyert të premten (16.06) në Berlin në hapësirat e kishës së dikurshme evangjeliste, “Sankt Johannes” në lagjen Moabit. Emrin kjo xhami e ka marrë nga dijetari islam, mjeku dhe filozofi i njohur arab, Ibn Ruschd, i njohur si Averroes (1126-1198) dhe poeti e dijetari i famshëm, Johann Wolfgang von Goethe.

Në xhami do të falen bashkërisht burrat dhe gratë, aty do të ketë lexim e interpretim historik-kritik të Kuranit. Xhamia është për të gjithë e hapur, por jo për nikabin apo burkën. Sejran Atesh premton në “Spiegel”, se “me nikab apo burka nuk do të hyjë kush në xhami”.

Në të njëjtën kohë me hapjen e xhamisë, Atesh boton edhe librin e saj, “Selam Frau Imamin” – “Selam zonja imame”. Aty besimtarja myslimane shpreh zemërimin për tendencat fundamentaliste brenda islamit. Shumica e imamëve në Gjermani kanë një marrëdhënie të vështirë me lirinë e fesë, barazinë gjinore, e homoseksualitetin. Ata predikojnë një islam të pardjeshëm, kritikon ajo.

Sejran Atesh bëhet imame

Aktualisht Seyran Ates ndjek një kurs për t’u bërë imame. “Një kohë të gjatë kam ëndërruar që myslimanët liberalë të bashkohen, të jetojnë një islam, që e mbështet fuqimisht demokracinë, dhe barazinë në komunitetin e besimtarëve”, shkruan ajo në artikull.

Sipas avokates e aktivistes së gruas, Atesh, islami duhet të modernizohet me urgjencë. Gjithnjë e më shumë myslimanë e myslimane dëshirojnë një islam paqësor, që ruan dialogun me fetë e tjera, thotë 54-vjeçarja për gazetën gjermane Die Zeit. Por ky islam nuk ka ende hapësirën e tij në Evropë. “Ekzistojnë vetëm komunitete konservatore, që nuk lejojnë asnjë hapësirë për kritikë apo vënie në pikëpyetje”.

Hapja e xhamisë mbrohet nga policia

Sejran Atesh mban një predikim në ditën e hapjes së xhamisë. 54-vjeçarja që kritikohet ashpër për qëndrimet e saj liberale të islamit, ka marrë disa herë kërcënime për jetën. Xhamia Ibn Ruschd Goethe ruhet nga policia.

Sejran Atesh erdhi në Gjermani në moshën 6-vjeçare nga Turqia. Studimet e juridikut ajo i financoi me punën në një qendër konsultuese për femrat nga Turqia. Nga viti 1997 Atesh është edhe avokate dhe lufton kundër dhunës familjare dhe martesave të detyruara.

Pas sulmeve terroriste në Londër e Mançester, Sejran Atesh kërkon që myslimanët “të bëjnë më shumë kundër ekstremizmit në islam”. “Shumica e heshtur myslimane duhet të marrë përgjegjësi dhe të veprojë kundër kësaj”, thotë Atesh. Madje ajo është e mendimit se “çdo mysliman sot duhet të reflektojë ndaj pyetjes-çfarë bën ti kundër asaj që feja jote keqpërdoret dhe diskreditohet?”. Në xhaminë “Ibn Ruschd Goethe” ajo do të përpiqet të gjejë përgjigje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button