Shkarkimi nuk mjafton!

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Dëgjoj që Këshilli i Prokurorëve të RM e ka përkrahur kërkesën e Qeverisë për shkarkimin e Prokurorit shtetëror Zvrlevskit. Dhe ne të gjithë u gëzuam për këtë gjë, ashtu si kur fluturonim nga gëzimi që Ivanov e respektoi Kushtetuten dhe ia dha mandatin shumicës parlamentare. Këshilli i Prokurorëve në vend që ta sabotojë ashtu siç pritej, në fakt vendosi ta përkrahë iniciativën për shkarkimin e Zvërlevskit.

Po të mos ishte tragjike do të ishte qesharake kjo situatë: nga institucioni që është krijuar në mënyrë që të shërbejë si organ i pavarur i kontrollit të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ dhe të sigurojë pavarësinë e gjyqësorit ku përfshihet edhe prokuroria publike, në fakt të gjithë presin që të mos respektojë ligjin, të sabotojë procesin e shkarkimit të një prokurori shtetëror që ka shërbyer si dorë e zgjatur e organizatës kriminale që kontrolloi pushtetin për një dekadë të tërë, dhe në këtë në mënyrë direkt ta përkrahë këtë formë të qeverisjes.

Pra, me fjalë tjera, po të kishte dhënë ky Këshill mendim negativ lidhur me kërkesën për shkarkim të Zvrlevskit, askush nuk do të ishte habitur, dhe të gjithë do kishin thënë “E dinim se kështu do të ndodhte! E ç’mund të presësh tjetër nga ata njerëz?!” Tani që Këshilli e përkrahu një kërkesë të tillë të gjithë u befasuam, sepse prisnim që ky institucion të vazhdojë të punojë në mënyrë të kundërligjshme. Ashtu si që i mban rastet Monstra dhe Sopot në mënyrë të kundërlishme, kur e di që sipas Ligjit për Prokurorinë Speciale, këto raste i përkasin në kompetencë pikërisht institucionit special të krijuar pikërisht për shkakun se Zvrlevski nuk e kryente punën për të cilën ishte zgjedhur. E kuptoni ku na ka sjellur qverisja dhjetëvjeçare e gjertanishme? Na ka sjellur në atë pike që të befasohemi kur ligji respektohet.

Por le të mos harrojmë që Këshilli i prokurorëve nuk e ka thënë ende fjalën e tij të fundit. Le të mos harrojmë që nuk mjafton vetëm të shkarkohet prokurori shtetëror i gjertanishëm, por nevoitet të zgjidhet Prokuror i ri shtetëtror. Dhe këtu përsëri Këshilli i prokurorëve ka rol për të luajtur. Më konkretisht, Ligji për Prokurornë Publike parasheh që Prokurori shtetëror zgjidhet nga Kuvendi, me shumicë absolute të votave (61 vota) sipas propozimit të Qeverisë për të cilin duhet paraprakisht të jetë dhënë mendim pozitiv nga Këshilli i prokurorëve. Këshilli i prokurorëve ka 15 ditë afat për të dhënë mendim pozitiv ose negativ.
Nëse brenda këtij afati nuk jep asnjëfarë mendimi, atëherë konsiderohet që e përkrah propozimin e Qeverisë. Por, nëse jep mendim negativ, prokurori i ri shtetëror nuk mund të zgjidhet, dhe Qeveria duhet t’i propozojë Kuvendit të rihapër konkursin nga e para. Duke e njohur përbërjen e Këshillit të Prokurorëve, është legjitime të presim sabotim të zgjedhjes së prokurorit të ri shtetëror. Përsëri dua të tërheq vërejtjen se ku na ka ardhur puna: tek pritshmëritë që institucionet shtetërore të pengojnë dhe të sabotojnë në vend se të përkrahin procesin e vendosjes së drejtësisë dhe realizimin e sundimit të së drejtës! Ja këtë arriti të na bëjë Gruevski në këto 10 vjet i ndihmuar plotësisht nga partnerët e tij, arriti të na zhdukë tërësisht shpresën se institucionet shtetërore mund të punojnë në interes të qytetarit dhe jo të partisë në pushtet, qoftë ky edhe një pushtet tani më i perënduar.

Le të mos harrojmë edhe një gjë tjetër, nuk mjafton vetëm shkarkimi i Zvrlevskit, por i njejti duhet edhe të përgjigjet penalisht për të gjitha parregullsitë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Neni 18 i Ligjit të procedurës penale parasheh obligim për çdo prokuror publik, pra edhe për prokurorin shtetëror, që të ndërmarë veprime për të ndjekur penalisht të gjitha rastet ku ka prova se është kryer vepër penale. Në terminologjinë juridike ky parim njihet si parimi i legalitetit dhe është parimi bazë i funksionimit të prokurorisë publike. Zvërlevski jo vetëm që rrefuzoi hapur të ndjekë penalisht rastet e korrupsionit që lidheshin me partinë e atëhershme në pushtet, por i njëjti hapur refuzoi të hapë hetime dhe të ndjekë penalisht të gjithë ata persona që ne i dëgjuam me veshët tanë duke kryer vepra penale dhe të cilët u kapën në flagrance në kriminalitetin e tyre.

Të gjithë i dëgjuan dhe u neveritën nga veprimet e tyre kriminale, përveç prokurorit shtetëror, i cili vendosi të bëhet i shurdhër dhe i verbër duke qenë shëndosh e mirë. Në vend se të bëjë gjithçka që pritet edhe nga prokurori më i thjeshtë i prokurorisë themelore, Zvrlevski vendosi që në vend se ti ndjekë të akuzuarit për kriminalitet, të njejtit ti ndihmojë duke përdorur mjete të jashtëzakonshme juridike për t’ia hequr paraburgimin personit të dyshuar i cili ishte në ikje! Këto veprime të Zvrlevskit dhe të shokëve të tij nuk janë thjeshtë shkelje diciplinore ose veprime jomorale, ato janë vepra penale, të parapara në Kodin Penal si Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe veprimtari në kuadër të Shoqërimit Kriminal.
Mënyra e tillë e veprimit dhe refuzimi i ndjekjes penale të krimit e bën Zvrlevskin jo vetëm të padenjë për të ushtruar profesionin e prokurorit shtetëror publik, por edhe të një prokurori të thjeshtë themelor. Momenti kur një prokuror refuzon të ndjekë krimin eklatant të kapur në flagrance e vendos atë në anën e kundërt të ligjit, ku ai nga ndjekës bëhet kryerës i krimit. Ky është momenti kur prokurori pushon së qeni prokuror dhe bëhet një kriminel tipik dhe ordinar. Ky kriminel tipik dhe ordinar duhet të përgjigjet penalisht dhe të mare dënimin adekuat, bashkë me të gjithë pjesëtarësit tjerë të organizatës kriminale.

Prandaj, shkarkimi i thjeshtë nga posti i kryeprokurorit nuk mjafton derisa i njejti do të vazhdojë të kryerjë funksionin e prokurorit, edhe pse ka shkelur mbi profesionin e tij dhe për këtë nuk ka bartur asnjë lloj përgjegjësie.

Vendosja e llogaridhënies dhe përgjegjësisë penale për funksionarët shtetërorë nuk do të jetë emundur dhe as që do të funksionojë deri sa të gjithë që kanë shkelur ligjin të përgjigjen për veprimet e tyre. Këtë le ta kenë parasyshë të gjithë ata që duan të bëjnë reforma në këtë shtet. Reformat gjysmake nuk mjaftojnë, nevojitet barjte e mirëfilltë e përgjegjësisë në mënyrë që këto krime të mos përsëriten kurrë më.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP