MARTIRI QË ARMË KISHTE LUTJET

 Kur komunistët i kërkuan Anton Harapit që t’i dorëzonte armët, ai ua ktheu: “Bijtë e mi, armët e mia janë lutjet!”.

Ata që nuk besonin në Zot e lutje e dënuan si tradhtar. E vranë.

Anton Harapi i mbeti besnik kryefjalës: “Zot, Komb, Atdhe dhe Familje”.

Ai besoi se shoqëria shqiptare mund të zhvillohej nëpërmjet të Vërtetës, Mirësisë dhe Solidaritetit.

Ai besoi se shqiptarit duhej t’i forcohej ndjenja për jetë të përbashkët, t’i krijohej ndërgjegja shoqërore, për sa kohë shqiptari ishte “egoizmi në kulmin e vet”; një pesimist dhe i mangët për edukatën e përbashkët; një përçmues i nismave të përbashkëta dhe ikanak prej detyrave kolektive, gjithashtu me mungesë ideali dhe si i tillë “përtej derës së oborrit nuk e sheh rrezikun, as armikun”.

Ai thoshte: “Shqiptari në atë masë që të dalë prej individualitetit ka t’i afrohet kulturës e qytetërimit. Jo ta shuajmë personalitetin e shqiptarit, por ta vëmë në binarë të duhur egoizmin e natyrshëm e mos ta lëmë të kapërcejë caqet e arsyes”.

Ai ishte kundër përçarjes, sepse “një popull i përçarë, është një popull i humbur”. Veçanërisht ishte kundër përçarjes fetare. “Të rrojmë shoqnisht e vllaznisht, kurrgjë nuk na bashkon ma fort se Zoti”.

Ai gjykoi se problemet e jetës njerëzore nuk zgjidheshin vetëm me formula e teori, por edhe me mirësi e drejtësi.

Në shkrimin “Rrymët e jetës shqyptare” e dha një formulë për mbrojtjen dhe përmirësimin e të mirave ideale dhe materiale.

Nga sfera ideale veçoi: edukimin e ndjesive të shqiptarit ndaj Zotit dhe Atdheut; ruajtjen e besës dhe burrnisë, si nderë shqiptare; ngjalljen e idealit dhe nevojës për jetë të përbashkët shtetërore e shoqërore; zhvillimin e ndjenjës për jetë e gjallërim; lartësimin e konceptit të punës, të gruas dhe të familjes; luftën ndaj çdo demoralizimi e korrupsioni dhe njohjen e thellë të shpirtit shqiptar.

Nga sfera materiale veçoi: përmirësimin ekonomik dhe financiar; përmirësimin e shëndetit të banorëve; përmirësimin e kushteve të banimit, lehtësi e shkase të reja pune…

Ideologjia e tij parashihte: krijimin e zotësisë mendore dhe fuqisë morale te shqiptari, i cili nuk duhej të merrej me fitime të ulëta materiale, por të çmonte parimet e kulturës botërore, si vlerë njerëzore, mbi të cilën do të ngrihej kultura shqiptare. T’i respektonte faktorët e vlerës shqiptare. Të kishte ndjenjë sakrifice për vlerën shqiptare. Të kishte respekt ndaj besës, burrnisë, urtisë, fisnikërisë, dashurisë, mirësisë, të vërtetës, të drejtës. Të kishte respekt ndaj vlerave njerëzore, jetës kulturore, Shqipërisë shpirtërore. Të gjitha do të ishin të kota pa liri mendimi, fjale, ndërgjegje civile, fetare dhe shoqërore.

Harapi ishte njëri prej ideatorëve për themelimin e Institutit Shqyptar për Studimet dhe Artet, që duhej ta bënte lëvrimin e mendjes, vullnetit dhe ndjesive të shqiptarit në sferën e së vërtetës, të së mirës dhe të së bukurës. Të ishte ky jo institut nderi, as oportuniteti, por vatër vlerësimi i veprave të dijes dhe artit, e ku të gjithë të zotët të punonin që vepra të dilte sa më e plotë.

Ai mendonte se shkolla shqipe duhej të ngjallte në shpirtin e nxënësit drojën ndaj Zotit dhe dashurinë ndaj atdheut; të krijonte njerëz me karakter, që punën do ta kishin për zemër; të krijonte qytetarë të virtytshëm, të ditur, me qartësi mendjeje dhe të matur (“Burri kurrë nuk ngutet/ prej urtisë dhe jo prej tutës”). Shkollat duhej të kishin shkallë të lartë disipline, përgjegjësie dhe program veprimi, sepse për punë të mëdha duhej program veprimi dhe përkushtim ndaj tij.

Ai besoi se studentët duhej të ishin forcë shpëtimtare, që do ta modernizonin dhe do ta qytetëronin atdheun. Në këtë mision nuk mjaftonin diplomat, por dija. Studentët duhej të kishin dije jo vetëm për vete, por edhe për atdheun dhe kombin.

Ai kërkoi që gruaja të kishte rol vendimtar në jetën e kombit, sepse trajtimi i mirë i gruas ishte rimëkëmbje e familjes shqiptare. Gruaja ishte shëruesja e shpirtit të familjes. Gruaja e shkolluar ishte e ardhmja e sigurt e kombit. “Familja është themeli e arma e popullit, e kombit e shtetit”.

Ai kërkoi shpirt sakrifice, shpirt veprimtar, sepse edhe vetë ishte i tillë.

Ai ishte martiri për të Vërtetën, të Mirën, të Drejtën, të Bukurën.

Ai besoi se martirët bënin jetë të trishtuar për shkak të këtyre vlerave.

Ai besoi se “nuk mjafton zotësia, as dituria, por duhet edhe vuajtja”.

Nuk mund të përligjet bashkëpunimi i tij me Regjencën, por duart e tij nuk u përlyen me krime.

Thonë se pak para ekzekutimit kishte klithur: “O Zot, edhe çfarë duhet të bëj që të jem shqiptar!”.

E vranë ata që vrisnin në emër të Atdheut dhe të Shqiptarisë!

E vranë njeriun që armë të vetme kishte lutjet.

E vranë shqiptarin e madh.

U përsërit kështu skena e turpshme, që kishte ndodhur shumë herë në historinë shqiptare…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button