Gruevski, Ahmeti apo Thaçi, fjala e kujt do të peshojë më shumë në formimin e qeverisë?

Nuk dihet sa larg mund të shkojë, kryeministri Gruevski në realizimin e kësaj mundësie (PDSH-së në Qeveri), kur të kihen parasysh deklarimet, të cilat në mediet maqedonase konsiderohen edhe si kërcënime të Ali Ahmetit,  se nuk mund të ketë qeveri të re pa BDI-në.

Çështja e formimit të Qeverisë së re është një nga çështjet më të diskutueshme pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në vend. Tani debati dhe parashikimet janë orientuar në drejtim të asaj se kush do të dalë i fituar nga formimi i qeverisë së re.

Nikolla Gruevski është fitues absolut i këtyre zgjedhjeve, megjithëse nuk ka arritur synimin e proklamuar nga ana e tij për  sigurimin e 63 deputetëve, me të cilët, sipas asaj që thoshte në fushatën zgjedhore, nuk do të mund të shantazhohej nga Ali Ahmeti.

Në këtë situatë,  çështja që mund të shtrohet për diskutim është nëse Gruevski  do të vazhdojë të insistojë që të mos shantazhohet nga BDI, tani kur nuk ka arritur  të fitojë numrin e deputetëve që dëshironte.

Kryeministri kur fliste për shantazhet  e BDI-së, zinte në gojë pikërisht çështjet që kanë të bëjnë me interesin politik të zgjedhësve shqiptarë, interes ky që sipas verdiktit të shumicës së elektoratit shqiptar do të duhet të përfaqësohet nga BDI.

Në këtë kontekst, mbase pjesa më e vështirë e bisedimeve për arritjen e  marrëveshjes për krijimin e qeverisë së re, midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së mund të ishin pikërisht këto çështje, duke mos përjashtuar edhe “shantazhin” që mund t’i bëjë VMRO-DPMNE, BDI-së, duke e kërcënuar se do të zgjedhë për partner të koalicionit partinë tjetër politike shqiptare PDSH-në, e cila hapur ka shprehur  vullnetin për t’u bërë pjesë e kësaj qeverie.

Nuk dihet sa larg mund të shkojë, kryeministri Gruevski në realizimin e kësaj mundësie (PDSH-së në Qeveri), kur të kihen parasysh deklarimet, të cilat në mediet maqedonase konsiderohen edhe si kërcënime të Ali Ahmetit,  se nuk mund të ketë qeveri të re pa BDI-në.

Një çështje tjetër që mund të shtohet për diskutim është ajo se a do të pranojë Ahmeti një bashkëqeverisje me partinë e Thaçit. Kjo çështje bëhet e diskutueshme kur kemi parasysh premtimet e Thaçit për elektoratin e PDSH-së, madje sidomos deklarimet se ai i ka filluar bisedimet me mandatorin e ardhshëm, ndërsa vetë Gruevski asnjëherë nuk i ka demantuar pohimet e liderit të PDSH-së.

Nuk dihet ndërkaq, qëndrimi i vërtetë i Gruevskit në lidhje me inkuadrimin e dy partive politike shqiptare në qeveri. Madje është e pashpjegueshme se pse do të duhej  pjesëmarrja e përbashkët  BDI-së dhe PDSH-së në qeverinë e ardhshme?

Në këso kushtesh Gruevski kur do të formojë qeverinë do të ndeshet me shumë sfida: Me sfidën e harmonizimit të platformës qeverisëse me BDI-në me sfidën se a do të mund ta bëjë qeverinë pa BDI-në,  dhe me sfidën tjetër se a do të mund ta bëjë pjesë të qeverisë PDSH.

Sfida e Ali Ahmetit dhe BDI-së është që ajo të jetë e vetme pa PDSH-në në qeverisjen e ardhshme dhe harmonizimi i platformës së saj politike me atë të mandatorit, e cilat  sipas asaj që deklarohet nga  Gruevski është antagoniste me atë të VMRO-DPMNE.

Sfida e Thaçit është nëse partia e tij do të bëhet pjesë e qeverisje, ashtu siç i ka premtuar elektoratit të partisë së tij, dhe sigurisht bërja pjesë e platformës qeverisëse të  platformës politike të PDSH-së, të proklamuar edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve./ Drini.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button