I SËMURI PËR MEND

Shtetin e përbëjnë njerëzit që jetojnë në të. Nëse njerëzit e tij janë të mirë, edhe shteti është i tillë. Po kur njerëzit janë të krisur, edhe shteti është i çakërdisur njësoj. Si vendi ynë i dashur, fjala vjen, të cilin aktualisht e kursejmë kritikash për më shumë arsye: sepse qeveria e re është më pak fajtore për ngjarjet që ia vënë në pikëpyetje të ardhmen, sepse është normale ta kursejmë atë në 100 ditët e para të politikbërjes, sepse të gjithë duam të besojmë se pushteti i z. Zaev nuk do të jetë i ligë si ai i monarkut Gruevski.

Megjithatë, janë do gjëra që nuk mund të heshten në asnjë kohë dhe për asnjë arsye, veçmas jo për hatër të kabiles në rritje të kosmopolitëve të gatshëm të shkrihen si akullore në qytetarë pa tipare etnie, në rrethana kur akoma nuk janë pjekur kushtet për utopinë e një shoqërie qytetare dhe kur, edhe nën ambalazhin e tifozëve të kombëtares, mijëra maqedonas të frustruar kërkojnë likuidimin fizik të bashkëvendësve të tyre, pa ua dhënë kush asnjë shkas të vetëm për bulurimat e kobshme, finalen e të cilave e pamë në parlamentin e 27 prillit.

Mjerisht, kjo nuk ndodh për herë të parë, ashtu siç nuk është e para herë që relativizohen klithmat e kanibalëve, sa herë që ato bëhen në gjuhën biblike maqedonase. Ndaj, pyetja është: a duhet të heshtet demonstrimi i nazifashizmit të mbjellur me sistem në familje, në shkolla, në institucione, në kuvende…?

Mendoj se rishfaqja e fundit e albanofobisë së shfrenuar me rastin e festimit të një fitoreje sportive meritoi dënimin më të ashpër të mundshëm, fillimisht prej qeverisë së re të z. Zaev dhe lidershipit shqiptar, pastaj edhe prej institucioneve të tjera shtetërore, të thirrura ta mbrojnë rendin dhe qetësinë prej masës së budallenjëve të rritur pa mukajetin e duhur.

Pa shërimin e pjesës së sëmurë të rinisë maqedonase prej sindromit të urrejtjes patologjike ndaj shqiptarëve, jam i bindur se e mira do të qëndrojë larg nesh, pavarësisht të dhënës nëse Maqedonia do të jetë që nesër pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe pavarësisht ndryshimeve pozitive të pritura me dekada.

Këtë sëmundje të rrezikshme nuk do ta kurojmë dot pa e ndryshuar statusin e qytetarëve përqindje, as me mosndryshimin e statusit të pakicës kombëtare, si një grusht turqish, serbësh, ashkalinjshë…, të cilët, pa fajin tonë, nuk i gëzojnë të drejtat që mund dhe duhet t’i gëzojë një e treta e popullatës së vendit, me kapacitete reale për të qenë shtetformuese, nisur që nga lashtësia e shtrirjes në gjeografinë stërgjyshore.

Prandaj: përse mos t’i thuhet troç të sëmurit se ne nuk jemi as pakicë, as ardhacakë, as pushtues të tokave maqedonase. Përkundrazi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button