‘Pas publikimit të fotografive skandaloze, na ndalën internetin’

Studentët e konviktit “Goce Dellçev” në Shkup, ankohen se pas publikimit të fotografive në të cilat shiheshin kushtet skandaloze, iu është ndërprerë interneti për një kohë si dhe u janë bllokuar rrjetet sociale Facebook dhe Twitter.

“Pas publikimit të fotografive në internet në të cilat u tregua realiteti i konviktit tonë, menjëherë na u bllokuan rrjetet sociale Facebook dhe Twitter si dhe shumë faqe të tjera të internetit”, thonë studentët e këtij konvikti.

Por, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), arsyetohen se interneti nuk është ndalur asnjëherë, dhe se rrjetet sociale dhe faqet në fjalë gjithmonë kanë qenë të ndaluara në konvikte.

“Probleme me internetin nuk ka pasur, nuk është bërë ndonjë ndalesë në konviktin ‘Goce Dellçev’, sa i përket ankesave të studentëve, ato faqe dhe rrjete sociale gjithmonë kanë qenë të bllokuara si për studentët ashtu edhe për shkollat e mesme dhe fillore. Atyre u mundësohet qasja në internet për të mësuar dhe jo të hynë në faqe me përmbajtje që nuk ka lidhje me mësimin”, thonë nga sektori për informim i MASH-it.

Ndërkaq qindra mijëra njerëz i kanë parë fotografitë e shpërndara me titullin “Po, ky është konvikti studentor, po pra, këtu momentalisht jetojnë mbi 1200 studentë”, të cilat shokuan opinionin ndërkombëtarë.

Lajme të ngjashme

Back to top button