Jemi të një brumi

Një shekull të tërë kemi pritur të ndodhë çudia dhe të na shpëtojë nga kërcënimi që na e kanë bërë politikat antishqiptare. Pushtetet antishqiptare. Nuk kemi heshtur nga frika. Me të gjithmonë ia kemi dalë. Atë e kemi mposhtur.

Ne nuk kemi pasur e nuk kemi problem me frikën.

Problemi ynë është nonshalanca.

Na kanë përfshirë e na mbajnë peng një nonshalancë, një letargji, një indiferencë, ku njeriu ynë politik  nuk e dallon lirinë nga domosdoja, natyrën nga fryma (psika), realen nga idealja, duke i bërë  lëmsh të gjitha këto. Haspësira jonë shqiptare, kështu, u bë  terren i përshtatshëm për politikat e ndryshme të cilat japin fryte në projektet ambicioze antishqiptare.

Edhe formimi i qeverisë së re tregoi dy gjera: në një anë LSDM-ja u përcaktua kryesisht për emra të rinj, për njerëz plot elan, të cilët do t’u prinë ministrive dhe do të kacafyten guximshëm me reformat e shumta që e presin Maqedoninë, në anën tjetër lista e ministrave të BDI-së mbeti po ajo, e vjetra, krejtësisht e vjetër, me emra të njohur, me emra që janë libra të lexuar e të stërlexuar, të cilët (përveç aty-këtu në pushtetet komunale) kurrë nuk kanë dhënë ndonjë rezultat me të cilin, jo të krenohemi, por të jemi sadopak të kënaqur.

Pikërisht dështimet e tyre bënë që elektorati shqiptar t’ia japë një shuplakë BDI-së duke e përgjysmuar grupin e tyre të deputetëve nga njëzet, të themi, në dhjetë. Me këtë ekip të njerëzve të eshalonit të parë dhe të dytë BDI-ja nuk do të ketë kondicion të shkojë më përpara. Përkundrazi do të bëhet barrë e qeverisë dhe, kuptohet edhe barë jona.

BDI-ja është bërë një arkë primitive, madje duket edhe si e dalë nga mitet, detarët e së cilës nuk janë në gjendje t’i afrohen timonit që këtë arkë  ta shpijnë nëpër valë të rrëmbyeshme drejt reformave aq të domosdoshme, drejt të mirave që i pret elektorati. Ata do të vazhdojnë të rrinë shtrirë në barkën e palëvizshme në rehatinë anadollake duke i ëndërruar tenderët. Dhe do të përpieqn të dëshmohen sitë dëgjueshëm para eprorit të tyre. Këtë përvojë kanë. Sepse ata gjithmonë kanë qenë lart në strukturat partiake dhe pushtetare dhe janë mësuar me rehatinë dhe dëgjueshmërinë.

Sa pak është investuar në të ardhmen tonë nga ana e BDI-së, për fëmijët dhe nipat tonë, sa shumë  angazhim për vete që personalisht të dilet nga lëvozhga e botës rurale e të sigurohet një rehati në fund të rreshtit të kapitalistëve të cilët i prodhoi këtu pushteti. Askë s’e ka brerë ndërgjgjja se duhet të jepet llogari para atyre njerëzve të shumtë që e kanë dhënë votën duke shpresuar se do të bëhet diçka për brezat që vijnë. Po askush as që ka kërkuar që ata të japin llogari.

Ne jemi të tillë që vazhdojmë t’u besojmë këtyre njerëzve të pushtetit, për të cilët Gruevski tha se ata sa kanë qenë në qeverinë e tij nuk janë angazhuar dhe nuk kanë bërë asgjë për shqiptarët. Çkado që është bërë mirë për shqiptarët, tha ai, e kam bërë unë. Hajde tash: luaj maçorr kryet e bullit!

Votat që kësaj radhe i shkuan LSDM-së, i shkuan për shkak të inertësisë së këtyre njerëzve të cilët u ulën në karrikat ministrore dhe shokëve të tyre. Natyrisht fjalën e kam për kuadrin e BDI-së. Po kritika ime shkon edhe për ata që i japin votat. Pse vallë nuk kërkojnë llogari? Besoj se ata kur e kanë dhënë votën kanë menduar për të ardhem e fëmijëve të tyre. Duhet ta kenë ditur se kjo e ardhme vendoset tash.

Thashë, e di se votuesit frikë nuk kanë. Mos janë edhe ata indiferentë, letargjikë, nonshalantë si ministrat. Ndoshta.

Vetmevete mendoj: jemi të një brumi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button