Maqedoni: Parashikimet për rritje ekonomike, jo reale

Parashikimet e Qeverisë se re se mund të ketë rritje të theksuar ekonomike këtë vit janë jo reale, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë sipas të cilëve gjendja aktuale nuk jep asnjë shpresë se mund të ketë rritje prej katër për qind, siç u shpreh kryeministri, Zoran Zaev në paraqitjen para Kuvendit, por edhe në prononcime tjera, shkruan REL.

Zaev në ekspozenë e paraqitur para deputetëve ka thënë se rritja ekonomike gjatë qeverisjes së tij do të jetë nga pesë për qind për çdo vit me tendencë rritjeje të mëtejmë.

Ai ka premtuar rrogë mesatare të punonjësve të institucioneve jo më të vogël se 30 mijë denarë apo 500 euro, si dhe rrogë minimale jo më të vogël se 18 mijë denarë apo 300 euro. Janë paraparë edhe masa tjera, që sipas ekspertëve, janë të realizueshme, por në një periudhë më të gjatë kohore.

“Me një situatë politike stabile, me kthimin e profesionalizmit në institucionet politike, me masa reale ndaj shoqërisë, me heqje dorë nga masat populliste dhe investimet joproduktive, mund të pritet rritje e zhvillimit ekonomik deri në katër e ndoshta edhe deri në pesë për qind. Por, kjo rritje nuk do të ndodhë këtë vit, siç pretendon kryeministri Zaev. Kjo vështirë se do të ndodhë edhe vitin e ardhshëm. Një rritje e tillë mund të ndodhë vetëm pas dy viteve, pasi të kemi krijuar një stabilitet të qëndrueshëm ekonomik, juridik dhe të sigurisë”, thotë Petar Goshev, ish Guvernator i Bankës Popullore.

Zhvillimi ekonomik është i mundur, por gjendja në të cilën ndodhet ekonomia e Maqedonisë është e rëndë dhe e ngadalëson këtë proces, thotë ndërkohë Abylmenaf Bexheti, profesor i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore.

Bexheti thotë se Qeveria e re fillimisht duhet të punojë në konsolidimin e institucioneve si kusht për t’iu qasur edhe reformave tjera, si në gjyqësor dhe hartimin e politikave ekonomike të qëndrueshme.

Ai thotë se Qeveria duhet të punojë në bazë të përgjegjësisë së çdo dikasteri dhe jo si deri më tani kur ata kanë qenë vetëm se zbatues të urdhrave të kryeministrit.

“Mendoj se puna e parë që duhet bërë është që institucionet të jenë funksionale, duke nisur nga vet qeveria. Pra, të ketë një shpërndarje të përgjegjësisë nëpër çdo ministri, ashtu siç ndodhë gjithkund në botë. Nëse qeveria fillon të funksionoj mbi këto baza dhe të zbatoj atë që ka si përcaktim të saj, atëherë ajo mund të kaloj në shtyllën e dytë që është gjyqësori, një proces ky shumë i rëndësishëm, por edhe shumë i vështirë për ta vendosur në binarë”.

“Sa i përket programit ekonomik për rritjen e investimeve kapitale e kështu me radhë, vlerësoj se ato nuk nevojë që ato të rriten. Kryeministri premtoi se ato do të sillen në 400 apo 600 milion euro, por unë mendoj se investimet nuk ka nevojë të lidhen me shifra, por ka nevojë që investimet të realizohen në sasi dhe cilësi, çfarëdo shifre që do të parashihen në buxhet ”, thotë profesori Abdylemenaf Bexheti.

Ish kryeministri, Nikolla Gruevski ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë së re, duke i quajtur të parealizueshme, por edhe rrënuese të asaj që pretendon se është ngritur gjatë qeverisjes së tij 11 vjeçare me Maqedoninë.

Ekspertët thonë se gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë shumë veprime në ekonomi, por ato më shumë i vlerësojnë si masa populliste se sa reale, që sipas tyre kanë dyfishuar borxhin e Maqedonisë.

“Borxhi është dyfishuar, nuk e dimë se sa para janë vjedhur, apo janë dërguar jashtë vendit. Në kushte të rritjes së borxhit kemi rritje ekonomike vetëm prej dy për qind e ndoshta edhe më pak. E vërtetë është se para janë dhënë për asistencë sociale, por janë dhënë për ithtarë të VMRO-së, pra kemi pabarazi sociale. Para janë dhënë edhe për subvencione, por rezultati nga to është negative. Shkalla e papunësisë është në rreth 30 për qind duke e radhitur Maqedoninë ndër shtetet më të varfra në Evropë”, thotë Petar Goshev, ish Guvernator i Bankës Popullore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button