Kosovës i duhet Vetëvendosja

Problemet e epokës së re nuk mund të zgjidhen me struktura të epokave të vjetra. Ky është çelësi i suksesit të popujve të suksesshëm

Ngadalë por sigurtë, gjithmonë duke ndryshuar, gjithmonë në evoluim, historia në marshin e saj të pandalshëm pandërprerë përball popujt me sfida të reja, secila e ndryshme nga e mëparmshja. Stad pas stadi zhvillimi shoqëror arrin në pika ku mendësitë e vjetra më nuk funksionojnë, ku strukturat e djeshme nuk mund të zgjidhin problemet e të sotmes. Është veti themelore e popujve të sukseshëm që tejkalojnë këto sfida duke bërë zgjedhjet e duhura në momentet e duhura, duke pritur kohën e re me njerëz dhe mendësi të re. Jorastësisht mu këto janë shoqëri ku liderët e partitë ndërrohen shpesh në pushtet, në kontrast direkt me vendet e prapambetura që ngelen me udhëheqësi të njëjta me dekada të tëra.

Kosova dhe shoqëria kosovare po përballen me kësi pikë kthese në vitin 2017. Nga njëra anë Kosova sot është në pozicion ku e ku më të mirë se fillimi i viteve të 90-ta, lere më se periudhat paraprake. Ajo ka arritur të çlirohet nga zgjedha serbe dhe sot është shtet i pavarur, me miq e aleatë të fuqishëm anembanë rruzullit tokësor. Cilatdo qofshin sfidat e kohës së sotme, populli i Kosovës nuk jeton më me krizë ekzistenciale, atë të mbijetesës dhe sigurisë së tij fizike. Lënë anash disa detaje jo pak të rëndësishme të 27 viteve të fundit, arsyeja kryesore e këtij suksesi të shoqërisë kosovare megjithatë është aftësia e saj për të bërë zgjedhjet e duhura në momentet e duhura. Andaj sot kur Kosova përballet me probleme të një lloji krejtësisht tjetër, me një stad të ri zhvillimi që kërkon mendësi dhe udhëheqësi të re politike, asaj do t’i duhet të bëjë një zgjedhje të re për këtë epokë të re. Siç ka ditur të zgjedhë në të kaluarën, mendoj dhe shpresoj se Kosova do të dijë të zgjedhë drejtë edhe sot.

Në etapën e parë të periudhës pas-jugosllave, në vitet e 90-ta, sfida kryesore e shoqërisë kosovare ishte navigimi nëpër procesin kaotik të shkatërrimit të Jugosllavisë. Që në fillim Kosova vendosi t’i shmanget pjesëmarrjes në konfliktet e armatosura që kishin kapluar territoret tjera jugosllave dhe zgjodhi rrugën e rezistencës paqësore. Sido që të ishte dukur në atë kohë, kjo qasje ishte jashtëzakonisht e drejtë. Kështu Kosova evitoi shtruarjen e problemit të saj në kontekst jugosllav, ku mund të kishte qenë vetëm një kartë këmbimi në tavolinë për apetitet e republikave më të mëdhaja. Duke shmangur këtë rol të paracaktuar të viktimës dhe duke u fokusuar te sensibilizimi ndërkombëtar i pozitës së saj, ajo mbeti çështje në vete, që duhej zgjidhur jashtë dhe pavarësisht zgjidhjeve që mund të gjenin republikat tjera jugosllave për problemet e tyre të ndërsjella.

Në etapën e dytë, në fund të viteve të 90-ta, Kosova vazhdoi rrugën e pavarësisë me kryengritje të armatosur ndaj regjimit serb. Pas luftërave në Kroaci e Bosnjë, Serbia veçmë ishte izoluar dhe stigmatizuar ndërkombëtarisht dhe kryengritja në këtë kohë siguronte se çështja e Kosovës do të trajtohej më vete, pasi konteksti jugosllav më nuk ekzistonte. Prandaj një kryengritje e këtillë nuk mund të kishte përfunduar me sukses dhjetë vite më herët, as dhjetë vite më vonë. Përsëri ky ishte vendim i duhur në kohën e duhur, që në fund rezultoi me çlirim dhe shpallje të pavarësisë. Dhe sado i rëndësishëm të ishte roli i faktorit ndërkombëtar gjatë gjithë këtij procesi, merita kryesore padyshim i takon aftësisë së shoqërisë kosovare për zgjedhje të drejtë të njerëzve dhe kohës së veprimit.

Mirëpo sot këto probleme i takojnë të kaluarës. Sado që siguria fizike e popullit kosovar vazhdon të mbetet temë aktuale, ajo nuk është më problemi kryesor i shoqërisë kosovare. Sot sfidat e Kosovës janë zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ngritja e gjithanshme e kapaciteteve infrastrukturore, vendosja e standardeve të mirëfillta në shëndetësi, arsim, kulturë e të tjera. Pa adresuar direkt dhe urgjentisht këto probleme, pa siguruar kushte themelore për jetë më të mirë në Kosovë, do të vazhdojë trendi alarmant i emigrimit jashtë dhe ajo që Millosheviqi nuk arriti t’a bëjë me dhunë, do t’a bëjnë politikanët kosovarë me politika të dështuara. Janë këto sfida të një epoke të re, të një etape të tretë të zhvillimit të shoqërisë kosovare, që nuk mund të zgjidhen me mendësi dhe njerëz të etapës së parë dhe të dytë. Mu për këtë mendoj se është koha kur kërkohen zgjedhje të reja, me njerëz të rinj. Tani Kosova ka nevojë për Vetëvendosjen dhe ajo duhet t’i japë një shans Vetëvendosjes.

Vetëvendosja meriton një shans pikë së pari sepse është opsion ndryshe. Subjektet tjera kanë qenë gjatë në pushtet dhe nuk ofrojnë asgjë të re përpos reciklimit të ideve dhe pushtetarëve të njëjtë të vjetër. Madje edhe programet e tyre, planet e tyre të veprimit, duken si shabllone premtimesh, kopje pamfletesh që mund t’i gjeni te cilado nga partitë e vjetra e të lodhura perëndimore, tani e në të kaluarën. Aty nuk ka asgjë të re, asnjë risi, asnjë freski, asnjë kuptim se problemet mund të zgjidhen edhe në mënyra tjera. Vetëvendosja përkundrazi ofron kthesë radikale për rezultate radikale, të tilla që i nevojiten sot Kosovës. Ajo të paktën ofron një alternativë ndryshe, diçka të paprovuar deri sot.

Subjektet tjera poashtu mbajnë barrën për gjendjen e përgjithshme ku gjendet Kosova sot. Secili prej tyre ka qeverisur një kohë të gjatë dhe ata veçmë janë opsione që janë parë dhe testuar në vepër. Nëse mendoni se gjendja në Kosovë sot është e mirë dhe se duhet të ngelet e njëjtë, atëherë bëni mirë të votoni për ta; nëse mendoni se Kosova ka nevojë për ndryshime atëherë jepni një shans Vetëvendosjes. Përndryshe mbetet ajo thënia e njohur se është marrëzi të presësh rezultat të ndryshëm duke përsëritur bëmat e njëjta.

Tjetër dallim mes Vetëvendosjes dhe subjekteve të vjetra është raporti i tyre me faktorin ndërkombëtar. Miqësia dhe aleanca me Perëndimin, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është nyjë kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës dhe kjo miqësi duhet ruajtur e kultivuar me kujdes. Mirëpo kjo miqësi në asnjë moment nuk guxon të shndërrohet në nënshtrim, ashtu siç ju ndodh shpesh subjekteve të vjetra. Kosova është shtet i pavarur dhe si e tillë ajo duhet të ketë egon e vet, qëndrimet e veta, që nuk duhet t’i mbajë të heshtura vetëm pse ndoshta nuk i pëlqejnë dikujt. Mu për këtë qeveria e Kosovës nuk duhet të sillet si shërbetore e bindur që non-stop urdhërohet nga jashtë; përkundrazi raporti me faktorin ndërkombëtar duhet të jetë ai i partnerit të barabartë, me qëllim parësor mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Kosovës. Subjektet e vjetra ju japin raportin e parë – servilitetin, Vetëvendosja ju jep të dytin – krenarinë dhe dinjitetin.

Për fund një rezervë shpesh e shprehur kundër Vetëvendosjes, një shqetësim që e kam patur edhe unë, është pretendimi se ajo është lëvizje tejet revolucionare, eksplozive dhe e paparashikueshme. Si e tillë asaj nuk duheshka t’i besohet pushteti. Mirëpo Vetëvendosja deri tani ka qenë në pushtet vetëm një herë dhe vetëm në një vend – në komunën e Prishtinës. Gjykuar sipas qeverisjes së deritashme të Vetëvendosjes dhe Shpend Ahmetit në Prishtinë, mendoj se nuk ka hapësirë për panikë e dyshime se vota për Vetëvendosjen është lojë me zjarrin, ashtu siç mundohen t’a paraqesin konkurentët e saj politikë. “Radikalizëm” i vetëm i Vetëvendosjes mund të jetë përmbysja e interesave klanore të disa grupacioneve, jo e gjithë shoqërisë kosovare.

Për këto arsye shpresoj se populli i Kosovës përsëri do të dijë të bëjë zgjedhjen e duhur në momentin e duhur, ashtu siç ka bërë në të kaluarën. Zgjidhja e drejtë, tani në vitin 2017, është vota për Vetëvendosjen.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Vetvendosja eshte kapital dhe vlere per gjithe shqiptarine. Edhe Shqiperise, dhe vecanarisht Maqedonise (asaj shqiptare) i duhet shume nje Vetevendosje. Levizjet politike te nje populli jane barometer per shkallen e emancipimit te atij populli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button