Si ta mbrojmë kush jam-in?

Viteve të fundit flitet dhe shkruhet shpesh për identitetin e shqiptarëve. Dhe, gjersa ngritja e kësaj teme është e kuptueshmë sa herë që bëhet nga fqinjët tanë, e njëjta duket banale kur e ngremë vetë ne, duke qenë se, të paktën gjer më sot, nuk na mungon asnjë prej tipareve që na dallojnë si bashkësi etnike. Ne kemi një emër të vetëm kolektiv, kemi prejardhje të përbashkët (që, më shumë se mit, është realitet), kemi kujtesë të përbashkët historike, kemi plot elemente diferencuese të përbashkëta kulturore, e kemi ndjenjën e solidaritetit dhe përbashkësisë dhe lidhjen e përhershme me një atdhe, që ka mbijetuar edhe cungimet e gjeografisë etnike.

Megjithatë, ky fakt i kontestueshëm vetëm prej budallenjsh, mund të ndryshojë që nesër, nëse tiparet identitare nuk i mbrojmë me veprime institucionale dhe nëse i pranojmë, pa asnjë selektim, modelet e huaja kulturore që i sjell me vete trendi i pandalshëm i globalizimit.

Shtrohet pyetja: çfarë mund të bëjmë për të ruajtur edhe në shekujt e ardhshëm kulturën tonë të veçantë, në epokën kur hegjemonizmat kulturore rrezikojnë edhe etni më të konsoliduara se kjo jona?

Unë them se mund të bëjmë shumë, nëse e institucionalizojmë mbrojtjen e vlerave shpirtërore e materiale dhe nëse e shërojmë me kohë iletin e kompleksit të robit dhe vasalit me fakultet. Sa për fillim do të mjaftonte margjinalizimi i tregëtarëve të shpirtit shqiptar, mbajtja e tyre larg institucioneve kulturore dhe arsimore, që janë të thirrura të mbrojnë, jo të grimcojnë substancën etnike.

Pra: nëse nuk mund të përballemi me dallgët e globalizimit drobitës të identiteteve kulturore, mund ta ruajmë veten nga ndikimet e mohuesve të kombit – intelektualët mercenarë, gazetarët injorantë me mungesë dinjiteti, mësuesit shpirtshitur dhe me mungesë vetëdijeje etnike, klerikët që i kanë zët shenjat e etnisë, politikanët tenderokratë që shesin interesat e kombit për çifliqe dhe veçmas nga hapja e pakontrolluar e kolegjeve të huaja, ku gjuha dhe historia shqiptare kanë statusin e lëndëve minoritare, edhe përkundër të dhënës së nxënësit janë kryesisht shqiptarë.

Prandaj, le t’mos na mashtrojnë kosmopolitët e rremë, që po na i kripin mend se sot është turp të flitet për çështje identitare, se të tjerët paskan ngritur dorë nga mbrojtja e tipareve etnike… Ndodh krejt e kundërta, sepse KUSH JAM-i është i shenjtë për gjithë njerëzit normalë të botës, kurse dallimi ndërmjet nesh dhe popujve të civilizuar evropianë nuk qëndron gjetkë, pos në të dhënën se ata mbrojnë vetveten me mekanizma institucionalë, kurse ne me përjargje atdhetare çajtoresh e salephanesh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button