HIMN PËR DASHURINË

Ndonjëherë duhet mbyllur dritaret, që mos t’i dëgjojmë zërat e trishtë dhe bezdisës të botës së jashtme, e cila flet me gjuhë pa sintaksë.

Le të dëgjojmë, madje më shpesh, zëra të heshtur, që më shumë i flasin shpirtit se sa mendjes.

Me kokën nëpër re dhe dorën në zemër le të bëhemi pjesë e një bote të përfytyruar, botës ku na flet gjuha e harruar.

Një botë e këtillë quhet “Vallëzimi i frymës”. Është një libër me poezi. Një himn për dashurinë dhe për njeriun, si udhëtar dashurie, shpesh i humbur në dilema ekzistenciale dhe, sikurse thotë Dostojevski, më shumë e do kuptimin e jetës se sa vetë jetën.

Autorja e librit është Violeta Allmuça, një autore që jeton me librin dhe nga libri. Ajo ka botuar librat me poezi: “Sytë e natës” (1994), “Jetoj me zjarrin” (2000) dhe “Vallëzimi i frymës” (2016). Është autore edhe e romaneve: “Era e pasionit” (1995), “Zonjusha në mjegull” (1998), “Julia” (2004), dhe “Dashuria vjen nga jugu” (2007). Krijimet e saj artistike janë botuar në disa gjuhë. Për to kanë shkruar edhe studiues të huaj.

Poezitë e librit “Vallëzimi i frymës” janë shkruar prej një krijese të brishtë, që gënjehet “me fjalë e grimca ajri”, teksa zemrën e ka kthyer në det mirësie.

Ky shpirt i brishtë beson (ose mashtrohet) njerëzisht se bota u takon atyre që zemra u “ushqehet me dashuri”.

Ky shpirt i qelibartë dhuron gjithçka për dashurinë dhe pëlqen të rrojë brenda një “bote dashurish”.

Ajo është e pazonja që të urrejë “në këtë botë të madhe”, të ngatërruar. Ajo di “të hakmerret vetëm me dashuri”.

Shpirti që dashuron është i bukur, i lehtë, i paqtë. Shpirti, nëse i referohemi Dantes, mund të ngjitet në qiell vetëm kur nuk rëndohet nga pesha e ligësisë.

Poezia për këtë poete, me sensibilitet të veçantë krijues, është pakohësia, që u përket të gjitha kohërave. Poezia është është hiri i mbetur pas zjarrit të frymëzimit.

Ky frymëzim shpesh ushqehet nga dhembja. Kjo dhembje trazon copëza përjetësie nga honet e thella të qenies njerëzore.

Kënga e saj shpesh lind në vetmi. Është këngë e shkruar për veten, si monolog i brendshëm, si klithje në hon. Poetja gjen paqe me vetveten te poezia dhe dashuria, që i zbukurojnë shpirtrat njerëzor.

Në poezinë e përmbledhjes “Vallëzimi i frymës” pulson dashuria e pakufishme për njeriun. Dhe njeriu ka nevojë përherë për këtë ndjenjë që lindi bashkë me të. Ka nevojë për hijeshinë artistike, e cila, nëse nuk arrin ta shpëtojë botën, së paku, e bën më të bukur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button