Agjërimi-pika më e lartë e vetëdijes

Agjërimi është një element shumë i fortë për të kuptuar identitetin shpirtëror të njeriut, nga i cili varet edhe identiteti njerëzor e kombëtar i tij.

Agjërimi, para së gjithash, është një ibadet, përkatësisht një adhurim drejtuar Allahut fuqiplotë në formën më të pavarur dhe më autonome të njeriut nga rrethi i tij. Nuk ka ndonjë adhurim tjetër që është kaq subjektiv dhe që me aq çiltërsi e nxjerr individin para Krijuesit të tij. Ai e zhvesh njeriun komplet para Zotit, duke mos pasur mundësi që diçka të fsheh, diçka të tregojë ndryshe për veten, apo të paktën të tregohet se ai është dikush tjetër nga ajo që njihet. Nëse ai është i vetëdijshëm për rolin e agjërimit, përkatësisht të këtij adhurimi kaq intern, që nuk ka dukje, formë, kapje nga shqisat e njeriut, kjo do të thotë se ai e ka arritur pikën më të lartë të vetëdijes për pozicionin e tij në këtë botë para vetes, para të tjerëve, si dhe para Zotit. Këtë dimension më së miri e shpreh hadithi i Muhamedit (a. s.), në të cilin thuhet: “Es-saumu lii ve ene exhzi bihi” (Agjërimi bëhet vetëm për Mua dhe Unë shpërblej për të).

Agjërimi është një adhurim që mundëson një vetëdije se njeriu nuk është asnjëherë vetë, përkatësisht se nuk është absolutisht i pavarur. Por, përkundrazi, ai çdoherë është nën vëzhgimin, kontrollin, regjistrimin, si dhe nën mbrojtjen e Krijuesit të tij. Njeriu që është i vetëdijshëm për prezencën e të padukshmes, përkatësisht të Zotit, ka mundësi që të dukshmen ta vlerësojë më seriozisht, që gjërat t’i shohë me sy aksiologjik. Në të kundërtën, edhe të dukshmen kurrë nuk do të mund ta shohë apo ta komentojë ashtu si duhet parë ose komentuar ajo. Mu për këtë Ibn Abbasi shprehet me sa vijon:  “…Një njeri që është injorant në lidhje me diçka që shihet me sy, është edhe më injorant në lidhje me diçka që është e fshehtë për të.” Allahu fuqiplotë në Kuranin fisnik, në suren Jasin, Muhamedit (a. s.) i drejtohet duke i thënë se “ty do të dëgjojnë, apo vërejtjen tënde do ta kapin vetëm ata njerëz që i kanë dy cilësi: ata që e ndjekin Dhikrin (Kujtesën-Kuranin) dhe ata që i frikësohen Bamirësit (Allahut xh.sh.) në fshehtësi (..Men-it Tebe’a-dh Dhikr ve Hashijer-Rahman-u Bil-Gajb…), përkatësisht duke e ditur se Allahu nuk shihet me sy, por se është i vetëdijshëm se Ai është prezent kudo, ose edhe atëherë kur s’ka njeri tjetër që i sheh veprimet e agjëruesit. Në këtë ajet përmendet njëri prej atributeve apo emrave të bukur të Allahut,  që është Rahman (Mëshirëplotë), i cili ec nëpër tri rrugë që kalojnë përmes cilësive të quajtura esmau’l Xhelal, përkatësisht cilësi kjo që manifestojnë madhërinë e Allahut fuqiplotë e që ndryshe mund ta quajmë si metahistorike. E dyta quhet esmau’l Xhemal, cilësi kjo që manifeston bukurinë dhe mirë dashjen hyjnore, e cila ndryshe quhet kosmohistorike. Kurse e treta, përkatësisht esmau’l Kemali, e cila cilësi manifeston përsosmërinë e gjithmbarshme të Qenies hyjnore në botë, e që  ndryshe shprehet si hierohistorike.

Thënë me fjalë të tjera, agjëruesi nuk agjëron pse duhet të bëjë dietë, apo pse ka thënë mjeku apo pse përfiton këtë apo atë dobi fizike. S’ka dyshim se agjëruesi përderisa agjëron vetëm për hir të Allahut mëshirëplotë, ai ka përfitime edhe fizike edhe trupore, por pa dyshim se më tepër ka përfitime që vijnë nga një botë e cila atë mund ta bëjnë më të mirë njerëzisht, moralisht, shoqërisht si dhe të jete një element dobiprurës në të gjitha dimensionet brenda sferës së tij shoqërore ku ai jeton dhe vepron, pa marrë parasysh racën, gjuhën, fenë, kulturën e njerëzve që e rrethojnë atë.

Dimensionin praktik të agjërimit ne e kemi nga pejgamberët e mëparshëm të Allahut (xh.sh.), kurse me këtë formë, siç e praktikojmë sot këtë ibadet, e kemi nga Muhamedi (a. s.).  Prandaj ne kur agjërojmë, në një aspekt edhe deklarojmë praktikisht se jemi ithtarë të ummetit të Muhamedit (a. s.).  Kjo rezulton me atë se agjëruesi nuk mund të bëjë ndonjë veprim që do të bie ndesh me praktikën, me porositë dhe bindjen e Muhamedit (a. s.).  Kështu që një agjërues duhet të jetë për paqe e jo për dhunë, për rend shoqëror e jo për prishje të rendit shoqëror. Një njeri i tillë duhet të jetë i edukuar dhe i gatshëm për t’i edukuar të tjerët. Pasi agjërimi nuk është,  thjesht,  një ibadet të cilin njeriu e kryen për hir të Zotit dhe ai të mos ketë dimensionin social të tij. Të gjitha ibadetet në përgjithësi, e agjërimi në veçanti, kanë për qëllim, përveç adhurimit personal, që e njëjta të ketë ndikim edhe shoqëror. Prandaj njeriu, sado që të izolohet dhe të tregohet se është mysliman shumë i mirë, mirësia në këtë rast është e paqartë, pasi mirësia merr kuptim vetëm në relacion me të tjerët në shoqëri. Këtë dimension Aristoteli e shpreh në këtë mënyrë: “Njeriu i cili nuk jeton në një shoqëri, apo i cili nuk ndjen nevojën për dikë tjetër ngaqë i mjafton vetvetja, ose duhet të jetë kafshë, ose duhet të jetë Zot. Një njeri i tillë nuk ka vend në qytet.”

Agjërimi është një element shumë i fortë për të kuptuar identitetin shpirtëror të njeriut, nga i cili varet edhe identiteti njerëzor e kombëtar i tij. Kjo kuptohet nga shumë hadithe të Muhamedit (a. s.) që flasin për largimin e agjëruesit nga fjalët e këqija, nga tubime apo njerëz të këqij, nga hadithet që nxisin dhënien e një iftari për të tjerët, për faljen e namazit të teravive në mënyrë kolektive (si xhematë). Kjo është një armë që e mbron njeriun nga individualizmi, nga egoizmi, nga egocentrizmi, nga urrejtja e tjetrit etj.,  elemente këto që e robërojnë njeriun në vetvete ose e bëjnë rob të të tjerëve. Mu ashtu sikurse pozita e njeriut në kohën tonë sot, i cili vuan nga ndjenja e tepruar e inividualizmit. Pra, agjëruesi vetëm atëherë kur ka mundësi ta kontrollojë veten dhe pasionet e tij,  ka mundësi që të arrijë madhështinë morale e shpirtërore.

Të gjitha të mirat, vlerat që i ka bota në përgjithësi, e bota islame në veçanti, ia kanë borxh edhe agjërimit, duke mos i harruar edhe parimet e tjera të fesë islame, si një institucion filtrimi, edukimi, gdhendjeje të njeriut që ai të jetë më i gatshëm për t’i përballuar sfidat e kohës kurdo dhe kudo që agjëruesi jeton dhe vepron.

Është e pamundur që agjëruesi agjërimin ta kuptojë si një pjesë të ndarë të fesë nga parimet e tjera fetare. Përkundrazi,  ajo është një pjesë e tërësisë së fesë dhe vetëm si e tillë mund ta luajë rolin e vet ashtu sikur e përmendëm më lart. Si rrjedhojë,  shoqërimi i agjërimit me sexhde, me lutje, me dua, me lexim Kurani, me përmendje të Allahut, me salavate për Pejgamberin, me respektin ndaj prindërve, ndaj familjes dhe shoqërisë në tërësi është i patjetërsueshëm.

Agjërimi në tërësinë e tij ngërthen në vete një gjithpërfshirje të pamohueshme dhe të domosdoshme për të qenë si i tillë. Sipas Sejid Kutubit,  drejtësia shoqërore në Islam, ku bën pjesë edhe agjërimi, bazohet në tri parime: lirinë absolute të ndërgjegjes; barazinë e plotë për të gjithë njerëzimin; përgjegjësinë e fortë reciproke në shoqëri. Kjo është shumë e qartë nëse mendohet pak më thellësisht edhe në ajetin kuranor 183 të sures Bekare, ku pritet që agjërimi të përfundojë me devotshmëri, me njerëzi, me karakter (le’al-lekum tet-tekun), cilësi këto që nuk mund të kenë kuptim të kufizuar, profan, të ngushtë, individual, por kanë kuptim gjithëpërfshirës, universal etj.

Për fund,  dua të potencoj se çdo kush që mundohet që agjërimin,  në veçanti, e ibadetin/adhurimin, në përgjithësi, ta shprehë me anë të vrazhdësisë, të arrogancës qoftë në shprehje, në veprime, qasje apo qoftë edhe në vendimmarrje, pastërtia hyjnore e adhurimit do t’i kthehet bumerang atij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button