Kryeministri: Rruga e Arbrit është çështje ditësh, votën duhet ta marrin ata që bëjnë punët më mirë

Kryeministri Edi Rama, ditën e djeshme, gjatë një takimi që organizoi me gratë dhe vajzat dibrane, premtoi se shumë shpejt do të nisë ndërtimi i Rrugës së Arbrit, ndërsa theksoi se forca politike që drejton do të luftojë për më shumë punësim e mirëqenie për qytetarët shqiptarë, transmeton Agjensia e Lajmeve Sot News.

“Rruga e Arbrit, është çështje ditësh. Ministria e Financave do të japë miratimin për hapjen e procedurës së fundit, tani duhet hapur leja dhe besoj se brenda 2 javëve të para të Qershorit, do të hapet dhe pas 45 ditësh nis procedura e kontratës. Dhe pas kaq ditësh llafesh, Rruga e Arbrit do të fillojë të rindërtohet dhe të krijohet lidhja me Tiranën si me rrugët europiane”, nënvizoi ai. Më tej, Rama foli për votën, që sipas tij duhet ta marrin ata njerëz që bëjnë punët më mirë, ndërsa duke ironizuar, tha se që kur ka takuar Bashën edhe ai është bërë demokrat.
“Në fund të ditës, vota është për të marrë në punë grupin e njerëzve që do të kryejnë më mirë sipas teje punët që ti ke nevojë. Po e marr nga fëmijët, duke menduar për gjithë prindërit që janë demokratë, demokratë jemi të gjithë ne, sidomos pasi takova dhe Lulin edhe unë demokrat jam. Por po flasim për ata që janë me bindje të djathta, që unë nuk e di se çfarë domethënë kjo, por nejse dhe do shkojnë të votojnë”, shtoi Rama. Nga ana tjetër, shefi i qeverisë u bëri thirrje grave që të votojnë Partinë Socialiste nëse duan që punët në vend të vazhdojnë. “Si mundet një prind që të votojë për Lulin kryeministër, kur ai s’bën asnjë punë. E kishte Sahatin e Tiranës, 4 metra nga zyra kur ishte kryebashkiak, dhe në 4 vite Sahati nuk punoi. Pse? Se Luli ka sahatin e vet.

Me Lulin kryeministër sahati 12 do na rrijë,” tha Rama. Ndërkohë ai gjithashtu vlerësoi rolin e gruas në shoqëri gjatë fjalës së tij, teksa theksoi se pa gratë burrat nuk mund të bëjnë asgjë.
“Kam bindjen që Shqipërinë e kanë marrë në qafë burrat, jo gratë. Eksperienca në punë, më ka aprovuar se sa shumë ka pasur Çajupi kur thoshte pika që s’u bie burrave se nga gratë rrojnë. Pas rënies së diktaturës dhe rrugës për demokraci e ka stërprovuar që problemi janë burrat, jo gratë. Jam i bindur që nuk ka burrë që edhe se nuk e pranon, që pa gratë në shtëpi, është i mbaruar. Edhe pse bëjnë si komandantë që i dinë të gjitha, e dinë që Ministri i Brendshëm është dikush tjetër, gruaja”, nënvizoi kryeministri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button