Presidenti Ivanov më në fund gjeti kohë për ambasadorët e BE-së

Presidenti Gjorge Ivanov sot mbajti takim pune me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë.

Në takim, siç kumtoi kabineti i Ivanovit, janë këmbyer mendime për ngjarjet aktuale në vend, pas përcaktimit të mandatit për konstituimin e qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Presidenti Ivanov e ka riafirmuar përkushtimin e Republikës së Maqedonisë për fillimin e negociatave inkuadruese me BE-në, si një prej prioriteteve më të larta strategjike.

Sipas Ivanovit, është e nevojshme Bashkimi Evropian të bëjë një hap dhe të përcaktojë datën për fillimin e negociatave inkuadruese me Republikën e Maqedonisë, gjegjësisht të mundësojë hapjen e kapitujve 23 dhe 24.

“Hapja e negociatave në kapitujt 23 dhe 24 për gjyqësinë, të drejtat themelore, drejtësia, lira dhe siguria do ta japin shtysën e nevojshme për intensifikimin e proceseve reformuese. Status kuoja nuk guxon të vazhdojë. Neve na nevojitet fuqia transformuese e procesit inkuadrues, si dhe fuqia bashkuese e procesit, për ballafaqim me polarizimin e thellë politik në vend”, tha presidenti i Maqedonisë në takim.

Ivanov e ka përsëritur nevojën që liderët e partive parlamentare të tregojnë përgjegjësi dhe ta ripërtërijnë përkushtimin për Maqedoni evropiane dhe euroatlantike, ndërsa prioritet t’u jepet ligjeve dhe vendimeve të agjendës evropiane.

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e kanë përshëndetur vendimin e presidentit Ivanov për ndarjen e mandatit për konstituimin e qeverisë së Republikës së Maqedonisë, me çka hapet mundësia për normalizimin e gjendjeve dhe stabilitetit politik në vend. Në takim është theksuar pritja e ndërsjellë që qeveria e re në prioritetet e veta ta ketë agjendën e BE-së, gjegjësisht reformat të cilat do ta përshpejtojnë integrimin e Republikës së Maqedonisë në BE.

Në takim, siç shtohet në kumtesë, janë këmbyer mendime dhe informacione për sfidat kyçe me të cilat ballafaqohet Republika e Maqedonisë dhe i tërë rajoni, siç janë kriza e emigrantëve dhe e sigurisë, radikalizmi ekstremist, retorika nacionaliste në rritje në rajon.

Në interes të tyre, presidenti Ivanov i ka njoftuar ambasadorët me aspektet kyçe prej vizitave të tij në Mbretërinë e Jordanisë, Federatën ruse dhe Shtetin e Vatikanit, si dhe për pjesëmarrjet në samitin Bërdo-Brioni dhe në samitin e Procesit për bashkëpunim në Evropën juglindore

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button