Siri, Ramazan me gjallëri në qytetin e çliruar Al Bab

Në qytetin sirian Al Bab, i cili i është kthyer jetës normale pas çlirimit nga organizata terroriste DEASH si rezultat i operacionit “Mburoja e Eufratit”, vazhdon të mbizotërojë gjallëria e muajit të Ramazanit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Ushtria e Lirë Siriane (ULS), me mbështetjen e Forcave të Armatosura Turke (TSK), më 23 shkurt kishin pastruar qytetin Al Bab në verilindje të Halepit nga organizata terroriste DEASH.

Teksa Al Bab i është kthyer jetës normale pas një periudhe trevjeçare nën kontroll të DEASH-it, qyteti çdo ditë e më shumi po fiton gjallëri. Popullsia e qytetit ka arritur në 85 mijë.

Veçanërisht ardhja e muajit të Ramazanit, qytetit i ka sjellë gjallëri. Popullata bën pazar në çarshitë dhe tregjet e qytetit për t’i shtruar sofrat e tyre të iftarit dhe syfyrit. Popullata vërehet teksa nën siguri bëjnë pazar në tezgat e pemëve, bimëve bishtajore dhe pijeve.

Nga ana tjetër, qebapçinjtë e famshëm, me afrimin e kohës së iftarit, hapin tezgat e tyre dhe fillojnë të marrin porosi.

Rifat el Ibrahim, mjeshtër i bërjes së qebapëve, për AA thotë se “Al Bab çdo ditë e më shumë po bëhet më i dendur. Dinamika e qytetit është dyfishuar me ardhjen e Ramazanit.”

Ibrahim thekson se po ashtu shumë tregtarë nga rajonet përreth Al Babit vijnë në qytet për të bërë pazar. “Gjallëria e Ramazanit këtu është më ndryshe. Ky vend është Halep i vogël”, thotë Ibrahim.

Ndërkaq, ëmbëltori Raid Arnut shprehet se Ramazani i këtij viti është më ndryshe nga ai i viteve të kaluar, duke shtuar se ndihen të lumtur që këtë vit Ramazanin nuk e kanë pritur nën hijen e DEASH-it.

Ai rrëfen se vitet e kaluara ka pasur mungesë të përbërësve për përgatitjen e ëmbëlsirave dhe se tani ëmbëlsirave i ka shtuar lloje të reja.

“Gjendja jonë tani është e mirë. Me vullnet të lirë shkojmë dhe falim namazin e teravisë. Po ashtu, nuk ka kush të na bëjë presion lidhur me faljen e namazit”, tregon Arnut.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button