АNALIZË: Gjysmëvjetori i parë për VMRO-DPMNE-në, i dyti për LSDM-në!

Rritje më e ulët kreditore dhe ngadalësim në kursime, rënie e prodhimtarisë industriale, ngadalësim në investime. Përfundon gjysmëvjetori i parë ekonomik, paqartësia nga kriza politike i shkriu pritjet për rritje ekonomike. Guvernatori Dimitar Bogov, publikoi se ka zvogëlim të rritjes ekonomike prej 3,5% në 2,5%, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

“Është bërë korrigjim zvogëlues i projektimit për rritje ekonomike për vitin 2017 dhe 2018 në krahasim me projektimet e tetorit. Supozimet kyçe për këto projektime janë efektet e vazhduara të krizës politike mbi sjelljen dhe besimin e konsumatorëve dhe të investuesve” – njoftuan nga BPM-ja.

Kishim qeveri politike – mirëpo jo edhe stabilitet!

Gjysmëvjetori i parë ekonomik kaloi në shenjë të paqartësisë. Mënyra në të cilën u menaxhuan financat dhe politikat do t’i përshkruhen VMRO-DPMNE-së. Para fillimit të gjysmëvjetorit të dytë ekonomik, përgjegjësinë do ta marrë shumica e re parlamentare e udhëhequr nga LSDM-ja. Edhe deri tani kishim qeveri politike, mirëpo jo edhe stabilitet, deklaroi guvernatori Bogov, duke publikuar se paqartësia nga kriza politike i shkriu pritjet për rritje të ekonomisë në 2,5%.

“Tashmë jemi në gjysmë të vitit dhe paqartësia politike ishte e pranishme gjatë gjithë kësaj periudhe. Në periudhën e ardhshme mund të shohim zvogëlim gradual të jostabilitetit, mirëpo kjo akoma është e paqartë. Në dy vitet e kaluara kishim qeveri politike, mirëpo nuk kishim stabilitet. E ne kemi nevojë për zvogëlim të paqartësisë. Kriza politike në të cilën gjendemi tashmë tre vite, ka çmimin e saj. Ka dallim ndërmjet rritjes që ekonomia e Maqedonisë kishte mundësi ta realizojë dhe rritjes së realizuar, duke pasur parasysh faktin se të gjithë indikatorët dhe modelet tregonin se ka mundësi për një rritje të tillë, mirëpo nuk u realizua. Ky dallim është dëmi që e pësoi ekonomia” – deklaroi guvernatori Bogov.

Një pjesë e ekonomistëve tashmë alarmuan se ekonomia i dërgoi sinjalet e para të rrezikut pothuajse në të gjithë sektorët.

“Faktor dominues për zvogëlimin e prognozave për rritje është kriza aktuale politike, e cila, para së gjithash ka efekt mbi pritjet e subjekteve ekonomike. Vetë pritjet se gjendeni në një mjedis të paqartë ndikon që të mos merren vendime të reja investuese dhe të mos realizohen projekte të reja dhe të ketë përmbajtje gjatë shpenzimeve. Nga ana tjetër, FMN-ja, Banka Botërore dhe institucionet e tjera ndërkombëtare konfirmojnë se ka aktivitete investuese dhe se papunësia është zvogëluar, mirëpo ka përkeqësim të konsiderueshëm të pozitave fiskale, në krahasim me vendet e tjera, sa i përket asaj që thoni se e keni si rezultat pozitiv” – vlerësoi para do kohësh profesori universitar Borçe Trenevski, njofton Portalb.mk.

Sipas një pjese të ekonomistëve, këtë vit nuk mund të priten dhe të ndjehen ndryshime të mëdha ekonomike, mirëpo për fillim, si sinjal i mirë për firmat e vendit dhe investuesit e huaj do të jetë formimi i qeverisë së re.

“Në numrin më të madh të rasteve, çdo qeveri e re zbaton reforma të caktuara, mirëpo rasti i Maqedonisë është i veçantë dhe themi se ajo patjetër duhet të jetë reformuese, për shkak se jemi në kufi të ekzistencës si vend me probleme të mëdha në të gjtiha sferat. Që të bëjë ndryshime, qeveria e ardhshme duhet të ketë vizion të qartë të cilin mund ta realizojë vetëm me udhëheqësi të mirë, e cila beson thellë se reformat janë të domosdoshme për të mirën e Maqedonisë. Shumë me rëndësi për komunitetin afarist nga aspekti politik është që në fillim të kemi qeveri stabile dhe interesi shtetëror të vendoset mbi çdo gjë. Gjithsesi, me këtë do të eliminoheshin pengesat e zakonshme për zhvillimin e ekonomisë, do të krijohej klimë stabile politike. E dyta, mirëpo jo më pak e rëndësishme, do të duhej të ishte kthimi i fokusit në çështjet e integrimit në Bashkimin Evropian dhe anëtarësinë në NATO” –  vlerësoi analisti, Fatmir Bytyqi, njofton Portalb.mk.

Ajo që do të jetë me rëndësi në afat të shkurtër është marrja e borxhit të ri nëpërmjet eurokambialit, i cili është paraparë me buxhetin e vitit 2017. Nga LSDM-ja deklarojnë se këtë borxh të ri do ta nënshkruajë qeveria e re. Njëri nga prioritetet do të jetë edhe menaxhimi i borxhit publik, i cili tashmë afrohet deri te kufiri prej 60% të PBB-së.

“Në qoftë se merret edhe dallimi mesatar ndërmjet borxhit shtetëror dhe atij publik gjatë viteve të kaluara, kufiri i qëndrueshëm i borxhit publik të Maqedonisë do të ishte ndërmjet 51% dhe 59,2% të PBB-së. Në krahasim me nivelin e tanishëm (në fund të vitit 2016) të borxhit shtetëror prej 39,1% të PBB-së, gjegjësisht të borxhit publik prej 47,8% të PBB-së, llogaritjet tregojnë se borxhi shtetëror dhe ai publik akoma janë në sferën e qëndrueshmërisë, mirëpo afër kufirit të qëndrueshmërisë” – thonë nga Instituti për hulumtime dhe politika ekonomike – “Finance think”.

Еkspertët thonë se në afat të gjatë, rrugëtimi do të jetë me probleme që do të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme.

“Gjithsesi prioritet i agjendës politike do të jenë çështjet ekonomike dhe ruajtja e stabilitetit social, mirëpo gjendja e keqe në të cilën gjendet arsimi, shëndetësia, gjyqësia, administrata publike etj., është sfidë në vetvete. Duke pasur parasysh faktin se tani në Republikën e Maqedonisë ka joefikasitet institucional, qeveria e re nuk do të mundet nga “aspekti teknik” vetëm t’i resetojë institucionet, por do të duhet të bëjë përmirësime të konsiderueshme cilësore. Në fakt, ndryshimet të cilat duhet t’i bëjë qeveria e re që të mundësojë funksionalitet të gjithë sistemit të Republikës së Maqedonisë do të jenë shumë të ndërlikuara, prandaj detyrimisht ato duhet të cilësohen si reformuese” – thotë për Portalb.mk profesori universitar, Predrag Tërpeski.

Në dhjetë vitet e fundit, përqindje më e lartë e rritjes ekonomike prej 6,5% është regjistruar në vitin 2007, e pas saj vjen viti 2008 me rritje të PBB-së prej 5,5%. Mirëpo, menjëherë pas kësaj, si rezultat i krizës financiare globale, kishte një goditje të fuqishme të recesionit – në vitin 2009 ekonomia ishte në minus me 0,4%. Gjatë dekadës së kaluar, është shënuar edhe një vit me recesion, edhe atë viti 2012, me rënie të ekonomisë prej 0,5%. Viti i kaluar 2016 përfundoi me rritje prej 2,4%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button