Trump mban botën në ankth për paktin e klimës

Donald Trump po e detyron botën të presë vendimin e tij, nëse do ta mbështesë apo jo marrëveshjen kyçe të ndryshimeve klimatike, të vulosur dy vite më parë në Paris. Zgjedhjen e tij përfundimtare do ta vendosë pas kthimit në Uashington.

Në “Twitter”, Trump la të kuptohet se kjo do të ndodhë brenda javës që vjen. Nga samiti i G7-s, mbajtur në Siçili të shtunën, presidenti amerikan u largua pa e rikonfirmuar mbështetjen për marrëveshjen, edhe pse 6 udhëheqësit e tjerë botërore të pranishëm nuk patën asnjë hezitim të përkrahnin paktin, që shefi i Shtëpisë së Bardhë e konsideron “një tallje”, megjithëse nga pjesa tjetër shihet si ujdia globale më gjithëpërfshirëse mbi efektin serë, transmeton Top Channel.

Objektivi i saj është ta mbajë mesataren e temperaturës së planetit nën 2 gradë Celsius. Ama që kjo të ndodhë, shtetet duhet të reduktojnë emetimin e gazit karbonik. Barack Obama e firmosi marrëveshjen shtatorin e vitit 2016 dhe vendet anëtare të G7-s e kërkojnë me ngulm mbështetjen e Amerikës, emetuesi i dytë më i madh në botë i gazeve të dëmshme në atmosferë, pas Kinës.

Por republikani, që e ka treguar tashmë sa shumë i pëlqen t’i vërë në jetë zotimet e fushatës, u pati thënë atëherë simpatizantëve të tij se do të rrëzonte çdo pakt që bie ndesh “me interesat kombëtare”, ndërsa nuk reshti së premtuari forcimin e industrisë së qymyrgurit, një prej kontribuesve kryesorë në lëshimin e gazit karbonik.

Trump mendon se shtimi i prodhimit të qymyrit do të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës. Dyshimet rrethojnë – sipas tij, – edhe vet shkaqet e ndryshimeve klimatike. Trump mendon se e gjithë kjo është një sajesë e Pekinit.

Tërheqja nga kjo marrëveshje nuk do të vinte pa kosto. Në rastin e një skenari të tillë, presidenti amerikan do të ngjallte pakënaqësi mes aktivistëve brenda kufijve dhe aleatëve jashtë tyre. Qëndrimi i tij në Siçili e la të izoluar nga pjesa tjetër e udhëheqësve pjesëmarrës, aq sa edhe Kancelarja tejet e kujdesshme në deklarata, Angela Merkel, nuk u përmbajt dot e u tha gazetarëve se i gjithë diskutimi mbi klimën në takim kishte qenë tmerrësisht i pakënaqshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button