Të martën formohet Qeveria e re

00:30 – Ljupço Nikollovski në emër të LSDM-së dhe mandatarit Zoran Zaev, sonte në Kuvendin e Maqedonisë dorëzoi propozimin për kabinetin e ri qeveritar.

Pesëmbëdhjetë minuta pas mesnate propozimi së bashku me programin qeveritar u arkivuan nga zyrtarët e Kuvendit.

Ndërkaq nga Kuvendi njoftojnë se mandatari për përbërjen e Qeverisë të Republikës së Maqedonisë, z. Zoran Zaev, më datë 28.05.2017, Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ia dorëzoi Propozimin për përbërjen e Qeverisë të Republikës së Maqedonisë dhe Programin e Qeverisë të Republikës së Maqedonisë.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, Propozimin për përbërjen e Qeverisë të Republikës së Maqedonisë dhe Programin e Qeverisë të Republikës së Maqedonisë menjëherë ua dërgoi deputetëve, ndërsa Seancën për zgjedhjen e Qeverisë e konvokoi për të martën më 30.05.2017, në ora 11:00, për zgjedhjen e Qeverisë të Republikës së Maqedonisë.

*****************************************************************************************************************

22:30 – Aleanca për Shqiptarët pjesë e Qeverisë së Maqedonisë

Sonte, nga LR-PDSH u vendos që kjo parti bashkë me RDK-në si pjesë e koalicionit “Aleanca për Shqiptarët” të hyjnë në Qeveri ku si ministër i LR-PDSH-së do të jetë Arben Taravari në pozitën e ministrit të Shëndetësisë, njofton Portalb.mk.

 

“LR-PDSH në mbledhjen e Kryesisë Qendrore dha përkrahje për Qeverinë e re. Sot kemi marrë vendimin për tu bërë pjesë e Qeverisë së re kurse partisë sonë i takon Ministria e Shëndetësisë me kandidatin Arben Taravari. Mendojmë dhe besojmë se ky do të jetë personi i cili do të udhëheqë me dinjitet pozitën në fjalë”, tha Sela.

Sela gjithashtu vlerëson se “pikërisht qe ne jemi serioz dhe kemi deklaruar edhe pas fushatës elektorale, do te jemi avokat të mëdhenj për vendimet që do të merren sa i përket integrimeve në NATO dhe BE si dhe për zbardhjen e rasteve të montuara. Këtë do ta bëjmë duke qënë pjesë e Qeverisë dhe jo jashtë saj”.

Ndërsa, partia koalicionuese e LR-PDSH-së, RDK-ja e Vesel Memedit gjatë ditës ka publikuar se nën udhëheqje të tyre do të jetë Ministria e Vetëqeverisjes Lokale me kandidatin Suhejl Fazliu që vjen nga dega e Shkupit.


21.15 – LSDM publikoi emrat e ministrave të saj

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev sonte nga Këshilli Qendror i partisë mori mbështetje për emrat në vijim për ministra në Qeverië e re të Maqedonisë:

1. Oliver Spasovski, ministër i brendshëm
2. Radmilla Sheqerinska, ministre e mbrojtjes
3. Nikolla Dimitrov, ministër i jashtëm
4. Dragan Tevdovski, ministër i financave
5. Renata Deskoska, ministre e arsimit
6. Goran Sugarevski, ministër për transport dhe lidhje
7. Ljupço Nikollovski, ministër i bujqësisë
8. Milla Carovska, ministre për punë dhe politikë sociale
9. Damjan Mançevski, ministër i shoqërisë informatike
10. Robert Allagjozovski, ministër i kulturës

11. Koço Angjushev, zv.ministër për çështje ekonomike
12. Edmond Ademi, ministër pa portofol
13. Robert Popovski, ministër pa portofol
14. Samka Ibrahimovski, ministër pa portofol
15. Zoran Shapuriq, ministër pa portofol
16. Zorica Apostolovska, ministre pa portofol
17. Adnan Qahil, ministër pa portofol

19.40 – Rilindja Demokratike Kombëtare me unanimitet të plotë vendosi që për kandidat të ministrit të vetëqeverisjes lokale të jetë kandidati i RDK-së që vjen nga dega e Shkupit, Suhejl Fazliu. Kryesia qendrore e partisë u përcaktua për një kandidat relativisht të gjeneratës së re, me bindje të plotë se  Fazliu posedon kapacitet të jashtëzakonshëm të prezantoj denjësisht RDK-në, si një nga partnerët e koalicionit Aleanca për shqiptarët.

“Kandidati për ministër i vetqeverisjes lokale Suhejl Fazliu është i diplomuar në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore pranë UEJL-së dhe ka përvojë të jashtëzakonshme në zhvillimin e metodave inovative të E-Qeverisjes, si një shërbim i rëndësishëm i komunikimit bashkëkohorë nëmes institucioneve të ndryshme të organizimit. Rilindja Demokratike Kombëtare i uron sukses Fazliu dhe jemi të bindët se koalicioni Aleanca për shqiptarët do të përfaqësohet denjësisht në qeverinë e re reformatore të udhëhequr nga Zaev.” shprehen nga RDK.

15.20 –Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev tha se kanë diskutuar për disa çështje.

“U diskutua rreth vendosjes së marrëdhënieve më të mira mes fqinjëve, ndërtimin dhe rritjen e besueshmërisë mes komuniteteve në vendin tonë, si dhe angazhimin tonë drejt anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE. LSDM sonte ka mbledhje të organeve më të larta të partisë ku edhe ata do të përmbyllin listat për kandidat për ministra, sa I takon pastërtisë apo biografisë së kandidatëve për ministra, mandatari, kryeministri I ardhshëm Zoran Zaev, do të kërkojë nga të gjitha institucionet e vendit mendim dhe verifikim për të gjithë kandidatët për ministra, përfshirë këtu një për një edhe kandidatë e BDI-së.” tha Ahmeti, njofton Portalb.mk.

15.05 – Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami tha sot se nuk kanë arritur marrëveshje me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) pasi që ky i fundit që është mandatar, sipas BESA-s, nuk ka qenë i gatshëm ti pranojë principet për qeverisje të përbashkët të Lëvizjes dhe të njëjtat ti nënshkruajë në një dokument me shkrim.
Kasami tha që nuk do e përkrahin Qeverinë e re me këto ministra të BDI-së.

“BESA pavarësisht që do të jetë parti opozitare do të mbështesë çdo iniciativë për të mirën dhe interesin e shqiptarëve por edhe të të gjithë qytetarëve në vend. Do të jemi të gatshëm për implementimin e reformave. Sot mund të mburremi se ishim pjesë e rrëzimit të regjimit Gruevski – Ahmeti por kemi ende shumë punë për të bërë. Duke mbetur konzistent në parimet e saj, BESA sot dëshmon se mbetet në anën e shqiptareve dhe jemi të bindur se votuesi do ta vërejë këtë qëndrim parimor dhe në zgjedhjet e ardhshme do të përfundojë regjimi plotësisht” tha Kasami, njofton Portalb.mk.

14.20 – Pasi që LSDM bëri me dije se nuk ka arritur marrëveshje me Lëvizjen Besa për pjesëmarrjen e tyre në Qeverinë e Maqedonisë, në selinë e LSDM erdhi Ali Ahmeti, lideri i BDI-së. Ata ia japin kahjen e fundit formimit të Qeverisë përderisa presim konferencën për shtyp të Lëvizjes BESA për të sqaruar shkaqet e mos-arritjes së marrëveshjes.
Më vonë në ora 19, LSDM do të mbajë mbledhje të Këshillit Qendror të ri që u zgjodh dje, dhe do të vendosë për ministrat e LSDM-së në Qeveri, konfirmoi sot lideri i LSDM-së, Zoran Zaev njofton Portalb.mk.
Më vonë gjithashtu Aleanca për Shqiptarët do të zbardhë ministrat e saj.

******************************************************************************

10.00 Sot në Maqedoni pritet të finalizohet përbërja e re Qeveritare. Pas Kongresit të Lidhjes Socialdemokrate (LSDM) në të cilën sërish Zoran Zaev mori timonin e kësaj partie, pritet që i njëjti sot të zhvillojë konsultimet e fundit me partitë shqiptare për finalizimin e listës së pjesëmarrësve në Qeverinë e re të Maqedonisë, njofton Portalb.mk.
Nga burime të Portalbit, në Qeveri do të jenë LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët ndërsa BESA pritet ta refuzojë ftesën. Këtë e konfirmoi edhe Zaev i cili shkurt tha që tani më vendimi është miratuar për Qeverinë e Maqedonisë.

LEXO: Zaev: Është miratuar vendimi për Qeverinë e Maqedonisë (VIDEO)

LEXO: LSDM, Zaev dhe Sheqerinska premtuan ndryshime për Maqedoninë (VIDEO)

Nga LSDM-ja për Portalb.mk konfirmuan se do të ketë takime ndaras të liderëve të partive shqiptare BDI dhe Aleanca për Shqiptarët me Zoran Zaevin, por nuk specifikuan kohën e saktë të takimeve.

Tani më dihet që Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në krye me liderin Ali Ahmeti do të jetë pjesë e qeverisë, mbrëmë vonë kjo parti zyrtarizoi listën e ministrave nga ana e kësaj partie.

LEXO: Kush janë ministrat e rinj të BDI-së?

Nga ana tjetër edhe koalicioni Aleanca për Shqiptarët, sonte pas mbledhjes së kryesisë pritet t’i shpallë emrat e ministrave nga radhët e kësaj partie, kofirmuan për Portalb.mk nga partia. Pritet që Aleanca ti emërtojë Arben Taravarin si ministër të Shëndetësisë dhe Vesel Memedin si ministër të Pushtetit Lokal.

BESA afër qëndrimit në opozitë

Ajo që duhet të vendos për pjesëmarrje në Qeverinë e re është Lëvizja BESA e cila ka bërë të qartë se deri më tani nuk kanë biseduar për poste ministrore dhe se bisedimet kanë qenë ekskluzivisht për parimet dhe qëndrimet e saja se si duhet të jetë qeveria e ardhshme e Maqedonisë. Sot BESA do të mbajë konferencë për shtyp në ora 15 dhe do të tregojë përfundimisht a do të merr pjesë në Qeveri së bashku me BDI dhe Aleancën për Shqiptarët.
Megjithatë, siç mëson Portalb, pas shpalljes së listës së ministrave nga ana e BDI-së, kjo parti ka vendosur të mos hyjë në koalicion qeveritar. Nga kjo parti thanë që as nuk do të ketë takim mes Kasamit dhe Zaevit.

Përndryshe, zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Faton Fazliu pas takimi të liderit të kësaj partie ditë më parë, Bilall Kasami me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev është shprehur se ende nuk ka marrëveshje ndërmjet partive dhe se nuk largohen nga kërkesat të cilat ia kanë parashtruar LSDM-së si kusht për pjesëmarrje në Qeveri.

Qeveria e re para sfidash të mëdha

Analistë politik vlerësojnë se qeveria e re e Maqedonisë do të duhej të bënte kthesa të mëdha për kthimin e vendit në procesin e integrimeve dhe sundimin e drejtësisë dhe për të kthyer besimin e qytetarëve tek institucionet e shtetit. Prof. Mitko Gaxhovski vlerëson se qeveria e re, e cila duhet të formohet, do të jetë qeveria më e rëndësishme në historinë e Maqedonisë së re e cila do të duhet të bëjë reforma thelbësore, që nuk janë bërë që nga pavartësia e shtetit.

“Parimet bazë mbi të cilat do të udhëhiqet qeveria e re gjithsesi duhet të precizohen në atë masë që të mos lihet hapësirë manovrimi për të anashkaluar detyrimet e shumta që e presin përbërjen e re të qeverisë”, shprehet Gaxhovski.

Për analistin politik Ilir Luma partitë politike shqiptare që përbëjnë shumicën e re parlamentare duhet pa përjashtim të jenë edhe pjesë e koalicionit qeveritar meqë atë e presin detyra të rënda. “Të gjitha partitë shqiptare duhet të jenë pjesëmarrëse në qeveri, të mbajnë përgjegjësinë e pjesëmarrjes në qeveri dhe në fund të mandatit ato duhet të japin llogari para opinionit për arritjet apo dështimet”, vlerëson Luma.

Ndryshe nga Luma, analisti politik Blerim Hyseni nuk është përkrahës i drejtpërdrejtë i pjesëmarrjes të të gjitha partive politike shqiptare në ekzekutiv, sepse spektrit politik shqiptar i nevojitet edhe opozitë. “Për çështjet që përfshihen në deklaratën e partive politike të shqiptarëve nuk ka dilema se duhet mbështetje nga të gjithë, por kjo nuk nënkupton se të gjitha partitë shqiptare duhet të jenë pjesë e qeverisë. Shqiptarët e Maqedonisë pa një opozitë do të kërcënohen me humbjen e identitetit të mirfilltë politik”, vlerëson Blerim Hyseni.

Për analistin Xhelal Neziri partitë politike në këtë moment duhet ë jenë të përqëndruara në kthimin e normalitetit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës se sa në ndarjen e posteve në qeverinë e re. Formimi i qeverisë paraqet një hap të rëndësishëm drejt tejkalimit të krizës politike, çdo kushtëzim për formimin e saj paraqet edhe kushtëzim për tejkalim të krizës thotë Neziri.

“Pjesëmarja e partive politike shqiptare në qeverinë e re do të tregojë një lloj pjekurie politike dhe një lloj përkushtimi për kthimin e shtetit në binarët e normales. Partitë politike duhet të kenë një axhendë të qartë për reformat që kërkohen në Maqedoni, sepse këto reforma ngërthejnë shumë çështje që janë pjesë e programeve të partive politike”, thotë Xhelal Neziri.

Mandatari Zoran Zaev pas dorëzimit të përbërjes së re të kabinetit qeveritar në Parlamnent dhe debatit 48 orësh në pajtim me rregulloren e parlamentit, shpreson se nga mesi i javës së ardhëshme Maqedonia do të funksionojë me qeveri të re.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button